Kadri Rexha: Haj medet për këtë Shqipëri ( I )

Qëndresa dhe lufta heroike shumëshekullore e popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe për krijimin e shtetit shqiptar, më në fund, më 28 Nëntor 1912, kurorëzohet me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Mirëpo pazarllëqet e Fuqive të Mëdha Evropiane, të bëra në kundërshtim të plotë me parimet etnike, nacionale, historike, gjeografike, kulturore, ekonomike e politike, në Konferencën e Ambasadorëve të mbajtur në Londër, dhjetor 1912-gusht 1913, këtë Shqipëri të rilindur dhe të pavarur e dënuan me vdekje duke lënë jashtë kufijve të saj Kosovën me vise, Maqedoninë shqiptare, Shqipërinë Veriore dhe Çamërinë, treva këto historike të pastra shqiptare, të cilat iu dhuruan Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Nga kjo dhunë ndërkombëtare, thuaja, dy të tretat e trojeve dhe popullsisë shqiptare padrejtësisht u dënuan me një robëri të rëndë kolonialiste me pretendime gjenocidi, etnocidi dhe shfarosjeje masive.  >>>

Në rrethanat e krijuara Lufta e Parë Ballkanike, që erdhi si rezultat i Aleancës antishqiptare serbe, malazeze, greke dhe bullgare, Shqipërisë i solli  tragjedi të reja me dëme afatgjata dhe të pariparueshme. Shembëllyeshëm pushtimit të përgjakur dhe dëbimit të mbarë popullatës shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, Toplica, Prokupja, Kurshumilia, Leskoci dhe Vranja, gjatë viteve 1877-1880, Serbia dhe Mali i Zi, tashti në kushte të reja dhe të përkrahura si gjithnjë nga Rusia dhe Fuqitë e Mëdha, me zjarr e hekur, marshuan drejt Kosovës dhe viseve të saj. Në këtë kohë të rëndë pushtimi toka e Kosovës filloi gjëmën nën çizmen ushtarake të trupave serbo-malazeze, gjaku i shqiptarit nisi të rrjedh përrua, barku i Kosovës po mbushej me plagë varrezash të reja, pirgje të dheut të ri avullonin sipër nënës tokë… Katundet, qytetet, fushat dhe bjeshkët po rrafshoheshin me tokë. Kasollet, shtëpitë, kullat, njerëzit, familjet e tëra, bagëtia, gjëja e gjallë, trashëgimia materiale dhe kulturore e një kombi autokton po shndërroheshin në hi e në thëngjill. Zjarri i ushtrisë vandale serbe gëlltiste të gjallë e të vdekur, tymi dhe shkrumbi kundërmues nxinte qiellin e Kosovës. Nga qeveria serbo-malazeze ishte dhënë urdhër i prerë: “Shkrumb e hi fshatrat dhe krahinat që na i kthejnë armët! Në thikë e në zjarr jeta shqiptare! Nuk duam robër, por shfarosje! Një mijë për një! Gjak, gjak, gjak shqiptari – kjo do të jetë hakmarrja serbe!” 1) Lidhur me gjenocidin serb në trojet shqiptare gjatë vjeshtës së 1912-tës dhe pranverës së vitit 1913 gazetari austriak Leo Freundlich, në librin akuzë “Golgotha Shqiptare”, ndër të tjera, dëshmon: “Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundin t’u shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më keq e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, të fshehurit gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilët përdhunoheshin, lidheshin, dhe pasi bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna, u çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija, vendosej në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të”.2) Shqiptarët duhet të zhdukën! Një soldateskë çnjerëzore, e egërsuar, e bëri realitet këtë zgjidhje, në mënyrën më të tmerrshme. Katunde të panumërta i kanë bërë rrafsh me tokë, njerëz gjithashtu të panumërt, janë masakruar si shtazët. Aty ku mundi i brezave ngriti për shqiptarët sadokudo një copë atdheu, kanë ngelur gërmadhat që tymojnë; një popull i tërë po përgjaket në kryq – dhe Evropa hesht!…”3)

Qëllimi i Serbisë pushtuese ishte i qartë: Kosova dhe viset e saja të serbizohen me çdo kusht. Programi i Serbisë pushtuese ishte i prerë: me anë të dhunës, terrorit, çarmatosjes, burgosjeve, vrasjeve, ndërrimit të fesë, dëbimit masiv të shqiptarëve, … Kosova duhet të zbrazej nga popullata autoktone shqiptare dhe të kolonizohej me elementin serbo-malazez.

Dhe, kështu, vetëm në agun e shekullit të ri, më 1913, nga dora serbe dhe malazeze u bombarduan qindra e qindra fshatra, qindra të tjera u dogjën me themel, mbi 60.000 shqiptarë dhunshëm braktisën atdheun dhe me njëmijë mundime u vendosën përgjithmonë në Turqi dhe gjetiu, ndërsa u shuan mbi 250.000 jetë të shqiptarëve 4).

Politika shfarosëse serbo-malazeze që shpërtheu furishëm në Kosovë, në djepin e luftërave të popullit shqiptar për liri e pavarësi, filloi ta rritë dhe ta forcojë edhe rezistencën e popullit shqiptar. U kundërshtua dhuna dhe terrori. U kundërshtua shpronësimi i shqiptarëve nga toka. U kundërshtua programi për shkombëtarizimin e shqiptarëve me anë të fesë, kulturës dhe arsimit në gjuhë të huaj. Në mbrojtje të atdheut që po pushtohej, në mbrojtje të jetës dhe të dinjitetit të kombit që po shkelej u ngritën masat e gjëra në luftë për jetë o vdekje. Ndonëse u lanë me gjak dhe u mbushën me varreza anë e mbanë, trevat shqiptare të ndara nga trungu i atdheut kurrë nuk u pajtuan me robërinë dhe asnjëherë s’e ngritën flamurin e bardhë në shenjë dorëzimi. Kjo rezistencë e fortë e shqiptarëve kundër dhunës, represalieve dhe politikës shoviniste shkombëtarizuese dhe gjenocide të qeverive serbo-malazeze është pasqyruar denjësisht edhe nga muza e epikës tonë historike.

Nga cikli i madh i këngëve që evokojnë rezistencën e popullit shqiptar kundër pushtimit të Kosovës me vise, kundër dhunës dhe politikës shkombëtarizuese serbo-malazeze në këto treva shqiptare, për repertorin e tij rapsodik, rapsodi Dervish Shaqa ka zgjedhur një mori këngësh, ndër të cilat, më të njohura, janë: “Hajmedet për ket Shqipni”, “Zot, çka u ba Rugova e shkretë”, “Na ra shkau në t’katër anë”, “Hajmedet për Lug t’Baranit”, “Po pëvet njaj mret i ri”, “Peja e shkretë na janë bashku”, “Kral Nikolla rrehi telin”, etj. Në këto këngë të dhimbjes së madhe për gjendjen e mjeruar të atdheut në robëri pasqyrohet dhuna, terrori dhe gjenocidi serb mbi masat e gjëra të popullit si dhe likuidimi fizik i prijësve të luftës dhe personave të shquar shqiptarë. Përmbajtja e këtyre këngëve vë në pah momente të caktuara të realitetit historik dhe shoqëror të popullit apo të individit, që të lidhura në një tërësi formojnë një poemë tronditëse artistike heroike-tragjike, një kronikë besnike të jetës, të vuajtjeve dhe të luftës së shqiptarit, një histori reale të shkruar me gjak dhe me gjuhën e artit. Në këto këngë lartësohen virtytet e shqiptarit, nderi, trimëria, gatishmëria e flijimit për atdhe, besa, dhimbja dhe solidariteti, si vetëdije ekzistenciale etnopsikologjike, ndërsa kundërshtohet me vendosmëri dhuna ndërkombëtare, pushtimi i atdheut, gjenocidi shtetëror serbo-malazez, tradhtia dhe bashkëpunëtorët e urryer të armikut.

Kënga “Hajmedet për ket Shqipni”,  e kënduar nga rapsodi Dervish Shaqa, mund të konsiderohet prolog që hap ciklin e këngëve që për temë kanë rezistencën aktive shqiptare kundër pushtimit të Atdheut nga forcat e armatosura serbo-malazeze, e cila, si këngë epike historike, evokon një nga aktet më tragjike të historisë sonë. Edhe pse e shtjelluar me pak vargje dhe ndërtuar me një strukturë të thjeshtë poetike ajo arrin ta  pasqyrojë marshimin e përgjakur të divizioneve të armatës serbo-malazeze mbi tokat shqiptare, ta shpalosë dhembjen, vuajtjen dhe tmerrin e popullit tonë të pambrojtur si dhe ta shfaq hapur akuzën shqiptare kundër vendimeve të padrejta dhe të pabesa të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Në realitet, në brendësinë e rrëfimit të saj, kjo këngë epike ngërthen tërë dramën historike dhe shoqërore të atij viti të zi me të gjitha elementet e një tragjedie kombëtare, në aktet e të cilës pasqyrohet copëtimi dhe pushtimi i gjysmës së trojeve shqiptare, rezistenca e përgjithshme shqiptare, ploja dhe masakrat serbe, shpërngulja e popullatës nga dhuna dhe, në fund, kundërshtimi i vendosur i popullit, akuza kundër vendimeve të pa moralshme të Si rëndomë në këngët e këtij cikli edhe kënga “Hajmedet për ket Shqipni” hapet me pasthirrmën vajtuese “hajmedet”, arketip poetik me të cilin populli shpreh efektin artistik dhe emocional të dhimbjes, mjerimit, mynxyrës, kobit dhe të fatkeqësisë që ka katandisur atdheun . Kënga hapet me një kumt të përnjëhershëm. Dy vargjet e para të këngës krijojnë tablonë e zymtë të tragjedisë së Atdheut, zinë tronditëse që të lë pa frymë:

Hajmedet për ket Shqipni

Katër krala n’ta janë hi

Kumti ngashëryes i këngës është i rëndë dhe pohon një realitet historik të ri dhune ndërkombëtare: shqiptarët, si komb, po dënohen me vdekje. Dhe, ky vendim i shteteve të mëdha po bëhej qëllimisht. “Na u desh ta sakrifikojmë popullin shqiptar për hir të paqes në Evropë”5), pohon Eduard Grej, kryesues i Konferencës së Londrës. Shqiptarët dhe Shqipëria përsëri po bëheshin monedhë kusuri për hir të këlyshëve të Rusisë në Ballkan. Është koha kur pas luftërave të përgjakshme anti osmane dhe anti serbo-malazeze, me gëzim të madh, populli shqiptar po bëhej gati ta jetësonte fitoren e merituar të lirisë me shpalljen e Pavarësisë. Është koha kur populli shqiptar po i lidhte plagët e luftës pesëshekullore dhe po kthehej me fytyrë nga ndërtimi dhe përparimi i atdheut për ta zënë kohën e humbur. Është koha kur populli shqiptar, pas të gjitha veprave të kulturës dhe të artit që kishte dhëne anë e mbanë meridianeve si dhe pas gjithë atij gjaku të derdhur në mbrojtje të Shqipërisë dhe të vetë Evropës, me të drejtë po priste ta zinte vendin e merituar në panteonin e shteteve të qytetëruara të botës. Është koha kur populli shqiptar, më në fund, si çdo popull sovran, duke i zotëruar trojet etnike, po krijonte baraspeshën e qëndruar demografike dhe territoriale në Ballkanin e shqetësuar. Është koha… Por, jo. Gëzimi dhe perspektiva e popullit dhe e shtetit shqiptar u pre në buzë ende pa filluar. Sëpata e vendimeve arbitrare ruso-evropiane pamëshirshëm ra dhe e gjymtoi tragjikisht trungun e lashtë iliro shqiptar. Dhe lukunia barbare e ujqërve të uritur dhe të tërbuar vërshuan trojet shqiptare. Serbia, me ushtri, me diplomaci dhe me komplote, duke e bërë shkrumb e hi Kosovën me vise, me revan të shfrenuar, marshonte drejt Durrësit për të dalë në det dhe realisht për ta shpallur vdekjen kombëtare shqiptare. “Hajmedet për ket Shqipni/ katër krala n’ta janë hi”, thotë kënga. Është Serbia, Mali i Zi, Greqia apo Bullgaria për  muzën popullore është njësoj. Secili shtet nga këta është më mizor se tjetri, secili shtet nga këta është më gjakpirës së tjetri, secili shtet nga këta është më antishqiptar se tjetri.

Në vazhdim kënga pasqyron rezistencën shqiptare si dhe masakrat e armatës serbe mbi masat e gjëra e të pa armatosura shqiptare. Rezistenca shqiptare është e jashtëzakonshme. Lufta mbrojtëse bëhet për jetë o vdekje. Armatës së përgatitur mirë dhe të ndihmuar moralisht dhe materialisht nga shtetet ruso-evropiane i dalin përballë forcat mbrojtëse shqiptare në viset e rrezikuara në veri, në verilindje dhe në lindje të grupuara dhe të udhëhequra nga prijësit Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Hasan Prishtina, Mehmet Deralla, Elez Isufi, Ramadan Zaskoku, Islam Spahiu, etj. Në këtë luftë të pabarabartë, ndonëse qëndresa dëshmon akte të panumërta heroizmi, rezistenca shqiptare thyhet:

Gjashtë ditë luftë Plavë e Gusi

Sall tri ditë Rekë e malsi.  

Krimet, vrasjet, tmerrin, zjarrin, shpronësimin, dëbimin, djegiet, grabitjet, masakrat e pashembullta dhe, me një fjalë, asgjësimin fizik të popullsisë shqiptare të shkaktuara nga armata serbe, që për këtë periudhë kohore i dokumenton historia, kjo këngë, fragmentarisht dhe në mënyrë tejet të kursyer, i jep vetëm përmes këtyre vargjeve:

 

Katër krala n’Gjakovë janë hi

Nëpër Rekë po bajnë devri

Ku po i gjajnë djemtë e ri

Tanë po i qesin për me i gri

Metoda e shpërnguljes me dhunë ashtu si në realitetin jetësor edhe në këtë këngë paraqet aktin më tragjik dhe më të dhimbshëm të masave popullore të pushtuara. Serbia, siç dihet mirëfilli, projekt të luftës së saj gjatë shekujsh kishte dhe ende e ka zgjerimin e vet territorial në trojet shqiptare. Këtë synim ajo e ka realizuar duke pushtuar me zjarr e hekur, duke shpërngulur dhe asimiluar me dhunë shtetërore popullatën e trevave të tëra kompakte etnike shqiptare, si Sanxhaku i Nishit dhe Sanxhaku i Pazarit të Ri, metodë të cilën do ta zbatojë edhe Greqia mbi Çamërinë shqiptare. Për zbrazjen e Kosovës nga popullata shqiptare Serbia dhe Mali i Zi, pos vrasjeve dhe djegieve, si masë efikase përdorën po ashtu metodën e shpërnguljes. Në këtë rrjedhë, pas evidentimit të masakrave, kënga në fjalë pasqyron edhe shpërnguljen e masave të gjëra, të cilat, në ikje e sipër, detyrohen t’i lënë në duart e armikut shtëpitë, ekonominë dhe gjithçka kishin të shenjtë:

Nanat e tyne kanë dalë n’kojshi

Gratë e tyne janë shku n’gjini.

Kush a kanë idikatli

Kanë lanë mallin janë dalë n’Malsi

Dhe, Malësia e Gjakovës, Shqipëria londineze, e rrezikuar edhe ajo në çdo çast dhe nga çdo drejtim, duke mos pasur alternativë tjetër mbrojtjeje dhe ndihme, refugjatëve të luftës ua shtrinë duart vëllazërore, e ndanë me ta  kafshatën e gojës, pjesëton me ta krejt çka ka për vete, varfërinë dhe skamjen e saj, vëllezërve të një gjaku dhe të një gjuhe ua hapë dyert e shtëpive, dyert e zemrës së çiltër dhe dyert e ngrohta të shpresës për të ardhmen. Pritja vëllazërore që i behët kësaj popullate fatkeqe, solidariteti vëllazëror në këto çaste të rënda të kombit, në këngën e popullit pasqyrohet me nderimin e përzemërt të momentit, me urimet ndjellëmirëse  për mbarëvajtje të gjithanshme, me ndjenjën vëllazërore të shpresës për të ardhmen e lumtur të kombit. Është ky falënderimi më tokësor dhe më hyjnor, mirënjohja dhe urimi i heshtur dhe i zëshëm që për më shumë se një shekull, deri te lufta e UÇK-së, deri me sot, buron nga zemra dhe nga goja e shqiptarëve të ndarë dhe të robëruar për atë copë toke të shenjtë, për Shqipërinë Shpresë, për Shqipërinë Nënë:

Njefsha t’mirë për ket Shqipni

Shumë po e mban ket muhaxhiri

Me tefter gjashtëmbdhetë mi

Dymdhetë vetë ma e vogla shpi

Të gjitha këngët e këtij cikli janë protesta dhe akuza sublime në adresë të Fuqive të Mëdha dhe vendimeve të tyre antinjerëzore. Si e tillë, edhe kënga në shqyrtim, artistikisht manifeston gjëmën dhe klithmën e popullit shqiptar të robëruar dhe të lënë në gojë të ujkut. Lufta mbrojtëse e shqiptarëve, protestat popullore nëpër kuvendet e trevave të rrezikuara shqiptare,  protestat e shqiptarëve me letra dhe me telegrame në rrugë diplomatike, udhëtimet zyrtare të Ismail Qemailit, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit dhe Hasan Prishtinës dyerve të qeverive të Evropës nuk u morën parasysh, u shpërfillën. Dhe, mbi gjysma e trojeve shqiptare u bënë pre pushtimi e Serbisë dhe Malit të Zi. Terrori dhe masakrat serbe mbi popullatën shqiptare janë të llahtarshme dhe tejkalojnë krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Krime që nuk do të fshihen kurrë nga kujtesa shqiptare. Në këtë krim të madh aq sa fajësohet pushtuesi sllav po aq fajësohen fuqitë evropiane me vendimet e tyre. Ndaj, kjo popullatë, tashti nga pozita e refugjatit, fton Fuqitë e Mëdha për reflektim, fton ato t’i shikojnë me sy rezultatet e vendimeve të tyre dhe kobin që ato sollën:

A po e shihni çka u ba me mue

Na kanë djegë, na kanë coptue

Rob e thmi na kanë marue

N’Mal të Zi mallin na e kanë çue

Me manzerre janë tuj luftue

Tuj liftu’ e haj medet

Mesazhi drejtuar fuqive të mëdha që jepet në fund të këngës është kuptimplotë. Me gjithë agresionin vdekjeprurës serbo-malazez, me gjithë vrasjet dhe masakrat në masë, me gjithë shpërnguljet që shkretuan vendin, me gjithë ngulitjen e kolonëve të ardhur nga larg, trojet shqiptare nuk u zbrazën kurrë dhe populli shqiptarë dominoi gjithandej e në çdo kohë si shumicë absolute. Duke sfiduar traktatin e Londrës dhe agresionin serbo-malazez shqiptarët nuk po i lëshonin armët nga duart. Populli shqiptar po bëhej gati për një qëndrese të gjatë deri në fitore:

Krejt Avropa ta marrë vesh

S’i biem n’dorë kti krali t’keq

Është ky një testament artistik i shkruar me gjakun e muzës popullore, është ky një betim i bërë mbi qindra mijëra viktimat e pafajshme të atij viti të kobshëm, është ky një urdhër për zbatim lënë brezave që do të vijnë.

Tema e agresionit serbo-malazez mbi trojet tona, tema e shpërnguljes me dhunë e popullatës shqiptare si dhe tema e zotimit të popullit për luftë deri në fitore trajtohet edhe këngën “Zot, çka u ba Rugova e shkretë”, e kënduar gjithashtu nga rapsodi Dervish Shaqa. Kjo këngë i bën jehonë dëbimit masiv të fshatrave të regjionit të Rugovës, kalvarit të trishtuar të një popullate të tërë e të pambrojtur. Tabloja që sjell kënga tejkalon rrëfimin biblik për eksodin e bijve të Izraelit dhe, në të njëjtën kohë, ripërtërinë rrëfimet e trishtuara të popullatës shqiptare të dëbuar nga trevat e Toplicës, Nishit, Prokupjes dhe Vranjës. Vetëm pak vargje të saj fiksojnë karvanët e bardha të një popullate të rrahur dhe të vrarë shumë fish. Pleq, burra, gra dhe fëmijë me fytyra të trishtuara e të kthyera drejt qiellit, pa kund tokë nën këmbë e me shpirt në dhëmb, të ngrirë e të mërdhirë në trup e në shpirt,  në tërheqje zvarë me zorrë nëpër këmbë, “me i shokë borë”, me shpresën e vetme që i mban gjallë. Me ju dhimbtë gurit e drurit:

Zot, çka u ba Rugova e shkretë

Zot,  çka bani e shkreta Rugovë

Ka marrë ikën me i shokë borë

Me i shokë borë asht ra n’Malsi

Janë mërdhi me robë me thmi   

Në këngën popullore, ashtu si në realitet, Shqipëria, në këtë rast Malësia, për shqiptarët e ndjekur nga dhuna serbe zakonisht konsiderohet si tokë shpëtimi dhe si strehë ku nuk arrijnë duart gjakatare të armikut. Shqipëria e këngëve historike është toka ku personat, grupet, çetat e deri edhe popullata milionëshe e fillimshekullit të ri, përkohësisht gjeti shpëtimin. Shqipëria e këngëve është liri, është flamur, është gjak kombëtar, është gjuhë, është tokë e qiell, është nënë. Në Shqipëri heronjtë e këngëve i kalojnë stinët liga atmosferike, i përtërijnë forcat fizike dhe shpirtërore, armatosen deri në dhëmbë dhe nga atje, në kushte të përshtatshme, kthehen në vendlindje për ta vazhduar qëndresën, për ta bërë realitet hakmarrjen e madhe. Për një mobilizim kësisoj flet edhe kënga në shqyrtim:

Po shkruejnë letra po i çojnë n’Serbi

 -Thuej Serbisë ma ke pa sherrin

Ta zo Grykën, ta vras asqerin

Sa t’jom gjallë s’ta kam da sherrin

Betim që edhe sot troket në ndërgjegjen e kombit. Zotim popullor që mobilizoi masat e gjëra për plot një shekull: Qëndresë individuale. Qëndresë grupore. Qëndresë gjithëpopullore. Viktima të panumërta. Varreza masive. Dëbime të vazhdueshme me dhunë. Mijëra shekuj burgime. Deri te UÇK-ja e lavdishme. Deri te liria.

 —–

1) Shaban Braha: Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990), Lumi-T, Gjakovë, 1991, fq.143

2) Leo Freundlich: Golgotha shqiptare”, Histori, www.fdbk.eu

3) Arif Kutleshi: Golgota e Shqipërisë Aktakuzë kundër zhdukësve të popullit shqiptar, www.akllapi.net -forum i hapur

4) Trocki: Unë, dëshmitari i masakrave serbe ndaj shqiptarëve në Shkup, Histori, www.fdbk.eu

5) Dr. Mehdi Hyseni: Koincidenca e padrejtësisë, www.albaniapress.com.

(Pjesë nga vështrimi “Epika historike e periudhës së pushtimit serbo-malazez”, në repertorin e rapsodit,  Dervish Shaqa)

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …