Brickos

Kadri Rexha: NA RA SERBI NË TË KATËR ANË (II)

Çarmatimi i shqiptarëve, si masë dhune e pushtetit serbo-malazez, ka gjetur pasqyrim të denjë në shumë këngë të epikës historike. Realisht aksionet për çarmatosjen e shqiptarëve paraqesin njërën nga metodat kryesore të planit strategjik të politikës shfarosëse të shtetit serb. Si masa dhune, të pakufizuara  në kohë dhe në hapësirë, këto aksione vazhdimisht u shoqëruan me bastisje individuale dhe kolektive, me maltretime, me arrestime, me burgosje, me internime dhe me pushkatime, qoftë kur gjendej e qoftë kur nuk gjendej arma e kërkuar. Për ndërmarrjen e këtyre aksioneve, paraprakisht, pushteti hartonte lista për të pabindurit, për luftëtarët dhe për familjet e shquara atdhetare, mirëpo, në këtë drejtim, njësitet ndëshkuese qoftë me uniformë e qoftë pa të, ishin të lirë të vepronin sipas rastit deri të kurdisja dhe montimi i situatave nga më të ndryshmet. Në mesin e mjeteve ndëshkuese gjatë këtyre operacioneve u përdorën: thika, konopi, ngufatja, huri, shkopi, zjarri, pusi, lumi e deri te armët e zjarrit si revolja, pushka, topi, etj. Me gjithë masat e egra të gjenocidit të vazhdueshëm populli shqiptar nuk u nënshtrua asnjëherë, prandaj edhe në këto raste gjeti forcë për jetë dhe qëndresë. Njëra nga krijimet epike historike që trajton këtë temë, në interpretim të rapsodit Dervish Shaqa, është edhe kënga antologjike “Na ra serbi në të katër anë”.

Ngjarja e këngës “Na ra serbi në të katër anë” zhvillohet në një fshat të Drenicës, pikërisht në Prekazin kryengritës dhe heroik. Është muaj janar i vitit 1913. Serbia dhe Mali i Zi me ushtritë e tyre namzeza kanë pushtuar gjysmën e Shqipërisë. Dhuna dhe terrori shtetëror bëjnë kërdi mbi popullin duarthatë. Ngjashëm si dikur në Sanxhakun e Nishit, me çdo kusht synohet shpërngulja dhe shfarosja e shqiptarëve. Ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë hyrë në çdo fshat, në çdo lagje. Por edhe në këto rrethana shqiptarët nuk pajtohen me situatën. Nuk rrinë duarkryq. Herë individualisht e herë në mënyrë të organizuar sulmeve u përgjigjen me kundërsulme dhe me mjetet e vetme mbrojtëse që posedojnë.

      Që në vargjet e para të këngës jepet kumti për zezonën që ka pllakosur Kosovën. Tragjedia dhe zia kombëtare në  këngë shprehet e përsëritur dy herë përmes pasthirrmës vajtuese “hajmedet”. Serbia dhe Mali i Zi kanë pushtuar gjysmën e Atdheut. Kënga me pak vargje shpalosë programin e qeverisë serbe për çarmatosje dhe gjenocid ndaj shqiptarëve. Çarmatosja, dhuna, plaçkitja dhe vrasja në oborret shqiptare bëhen skena të përditshme trishtimi:

Hajmedet çka koka kanë

Na ra serbi n’katër anë

N’katër anët o hajmedet

Thojshin hallku det e m’det

Tana armët po na i hjek

Na i hjek armet hiç pa çare

N’oborr t’vet na ban batare

Na ban batare he i plaçin sytë

Po i mbledh serbtë po i shkrun çetnikë

Me na vra o me na plaçkitë

Në vazhdim të thurjes së ngjarjes objektivi e këngës përqendrohet në Prekaz. Çetnikët kanë vërshuar fshatrat shqiptare. Të trimëruar pas mbledhjes së armëve nga pushteti ata lëshohen lagjeve si ujqërit e tërbuar. Trembëdhjetë çetnikë serbë kanë hyrë për të bastisur dhe plaçkitur Prekazin shtëpi për shtëpi. Duke plaçkitur dhe duke dhunuar arrijnë në shtëpinë e Halilit, fqinj i Ahmet Delisë (1850-1913), atdhetar dhe luftëtar i njohur i kryengritjeve të Kosovës që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit:

Kokan da nji rrem çetnikë

Se n’Prekaz o kokan hi

Hallakatin dy a tri shpi

Te Halili janë vojtë janë hi

Te Halili janë hi komita

Piskasin robtë bërtasin fmija

Oh po ndin Ahmet Delia

Me të dëgjuar britmën e fëmijëve dhe grave Ahmet Delia i bën zë të birit:

Ai Ahmeti në divanhane

Thrret Murselin djalë ç’u bane

Çou Mursel binaj sakicat

Te Halili kanë hi komita

Kadal babë mos u ngut

Sa ta marr sakicën te drutë

Kur nuk des babë për ket kojshi

Tybe n’zotin des për ty

Këto vargje në vete mbrujnë filozofinë dhe etnopsikologjinë që e ka mbajtur gjallë shqiptarin shekuj me radhë. Ndjenja e solidaritetit dhe e flijimit për fqinjët, për personat në ngushticë dhe në rrezik është një kod i pashkruar që e ka shoqëruar shqiptarin nga brezi në brez. Ky moral, ky kod, fare natyrshëm, përcillet nga i ati tek i biri… Murseli, pa hezitim, i merr sakicat (sëpatat) dhe së bashku me të atin dalin në rrugë, në sokak, ku takohen me Ramë Islamin, bashkëfshatar por që ishin në hasmëri.6) Me okupimin serbo-malazez hasmëritë e ndërsjella ishin falë dhe ishte lidhur besa për luftë kundër armikut. Ahmet Delia e fton edhe Ramë Islamin në ndihmë:

A e kem besën si e kem pasë

Ramë Islami mirë po flet

Hajt Ahmet mos ki dert

S’jam pishman as vetë me dekë

Të vendosur për të vdekur në mbrojtje të fqinjëve që të tretë vazhdojnë rrugën në drejtim të shtëpisë së Halilit. Kur arrin te dyert e Halilit takohen me çetnikun roje. Tashti ngjarja arrin kulmin. Situata gjithnjë e më shumë merr përmasat e dramës. Pas një dialogu domethënës, të ngjashëm me dialogun e Gjergj Elez Alisë me Bajlozin e detit, roja asgjësohet dhe me çetnikët fillon përleshja fyt për fyt:

 

N’derë t’Halilit kur janë hi

Janë zatet n’atë nebetxhi

“Stoj”, Ahmet ku don me hi

Çka asht “stoj” i ka thanë atij

Unë serbishten hiç s’e di

Te shqiptartë kush t’ka thanë me hi

Me i nmerue robë e fëmi

A e din ktu që i thonë Shqipni

Sull n’sakicë i ra mbi sy

Sull n’sakicë i ka  ra në ballë

Tana trutë ia la në shkallë

Ahmet Delia po e ba ‘i piskamë

Thrret Murselin, Mursel bre djalë

Nxanjau derën mos na i le me dal

Lufta është e pa barabartë në çdo aspekt. Në përleshje e sipër Murseli ua rrëmben çetnikëve një pushkë. Siç thuhet në këngë, ai lufton si kreshnik. Arrin t’i vrasin dymbëdhjetë çetnikë. Por edhe Ahmet Delia plagoset për vdekje. Një vdekje heroike që do të përjetësohet në këngë, në histori. I trembëdhjeti, Jovani, i plagosur, merr ikën. Ramë Islami plak, i armatosur me hu gardhi, i sulet prapa:

Ban Jovani kuku për mue

Prej t’trmbdhetëve veç unë kam pshtue

S’po e di rrugën kah me shkue

Ikë Jovani okolla gardhi

Hu po e ndjek ai Ramë Islami

Kënga ka një përfundim interesant. Ahmet Delia në agoni të vdekjes e fton Ramë Islamin që ta lë të lirë Jovanin. Jovani si dëshmitar i gjallë i ngjarjes lirohet për të rrëfyer të vërtetën:

Ahmet Delia hala po flet

Hajde Ramë mos e mbyt krejt

Leje gjallë e për gazep

T’i kallxojë krajlit  në Serb…

Motivin e zënies rob, turpërimit dhe lirimit të armikut e ndeshim edhe në disa këngë tjera epike. Ky motiv është i realizuar bukur sidomos në rapsodinë arbëreshe “Skënderbeu dhe Ballabani”, ku pas dyluftimit, Skënderbeu ia pret veshin Ballaban tradhtarit dhe e liron atë të turpëruar për t’i treguar sulltanit të vërtetën.

      Kënga “Na ra shkau në t’katër anë” ka një strukturë të thjeshtë ndërtimi. Dhe mu në këtë thjeshtësi spikatë madhështia e këngës. Në pak vargje është dhënë botëkuptimi, filozofia dhe veprimi i agresorit  si dhe ajo e të pushtuarit të panënshtruar. Mesazhi i këngës është i qartë: ai që lakmon mallin dhe tokën e huaj gjënë vdekjen e sigurt. Mesazh që e mbajten gjallë brezat, deri te Tahir Meha, deri te Adem Jashari…

                3.

               Pos tatimeve të papërballueshme, rrëmbimit me dhunë të tokës, çarmatimit, kolonizimit, plaçkitjeve, vrasjeve, burgosjeve, masakrave, okupatori serbo-malazez mbi popullatën e Kosovës me vise si masë gjenocidi aplikoi edhe ndërrimin me dhunë të emrave, të kombit dhe të fesë. Natyrisht, ndërrimi me dhunë i emrave dhe i fesë për shqiptarët paraqiste jo vetëm një detyrim të rëndë e të pa pranuar por edhe një kujtim të hidhur që vinte nga Mesjeta e largët. Dënimi mesjetar i Car Dushanit me patkua të skuqur për të gjithë ata që kundërshtonin konvertimin tashti në rrethana të reja nga pinjojtë e ri çetnik po pasurohej me metoda hala më bashkëkohore. Ndërrimi i fesë tashti organizohej në krahina dhe në rajone të tëra në formë fushate dhe në skenën ndërkombëtare nga pushtuesi paraqitej si “dëshirë” dhe “vullnet” i popullit. Për të pabindurit dhe për kundërshtarët shteti dhe kisha kishte aplikuar dënime të rënda që shkonin nga vrasja individuale deri te vrasjet kolektive paraprakisht duke i detyruar viktimat që t’i hapin varrezat e veta. Ekzekutimet bëheshin me thika, me armë zjarri, me djegie rreth mullarëve me sanë apo brenda me gjithë shtëpi e katandi, me nxjerrje sysh, me shëmtime shqisash, me prerje kokash, me copëtime të gjymtyrëve të trupit dhe me masakra tjera nga më barbaret:

Po pëvet njaj mbreti i ri

Çfarë krajlie a hi n’Shqypni

Karadaki me Serbi

Te kanë vjerrë e te kanë gri

Te i kanë therë me singi

Po donë n’kishë robt me i çue

Po don fenë me ia u ndrrue

N’oborr t’kishës kur kanë shkue

Tanë jenë gri kokan coptue

Porsi trima kanë qindrue

Asnjanit fenë s’kanë mujt’ me ia ndrrue

Tanë i kanë therë me singi

U kanë marrë mallin kimetli

                                                                                  

      Në krye të konvertimeve me dhunë printe grigja e  popëve ortodoks, zemra dhe rroba e shtetit të ri pushtues, të cilët, me kryqe në njërën dorë dhe me thika në dorën tjetër, me afsh deri në ekstazë, aq sa mallkonin gjuhën dhe traditat shqiptare po aq bekonin krimet e reja mbi popullin duarthatë. Sidomos Kisha e Deçanit dhe Patrikana e Pejës për popullatën shqiptare ishin kthyer në emra tmerri dhe në vatra ferri. Lumi prej njerëzve, që zvarritej para pushkëve e bajonetave të ushtrisë së rregullt, zbrazej i lodhur dhe i trishtuar në oborret e kishave dhe priste në radhë para dyerve të tempullit të zotit sllav.. Nën urdhrat e “shenjtorëve” të rinj  meshkujt ishin të detyruar ta hedhin për tokë plisin e bardhë shqiptar, ta shkelin atë me këmbë dhe, në vend të tij, ta vënin kapicën në kokë. Duke u kryqëzuar para shenjtorëve në ikona, e tërë masa, burra e gra, fëmijë e pleq, të rënë në gjunjë para kryqit, duke e puthur Krishtin në ikonë, duhej ta  mohonte emrin e vërtetë dhe ta pranonte emrin e ri sllav… Konvertime të përgjakshme kisha organizoi në trevat e Gjakovës, të Deçanit, të Pejës, të Plavës, të Gucisë…

      Një ngjarje të këtillë tronditëse gjeniu popullor e përjetësoi edhe në këngën “Hajmedet për Lug të Baranit”. Këtë këngë rapsodi Dervish Shaqa me interpretimin e tij në një nivel të lartë artistik e ngriti në një monument qëndrese kushtuar rezistencës së shtresave të gjëra të popullit në mbrojtje të emrit dhe të kombit. Në të njëjtën kohë këtë këngë popullore ai e shndërroi në një akuzë të rëndë kundër vendimeve të padrejta të Fuqive të Mëdha të vitit 1913 në Londër. Në këngë muza popullore pasqyron aksionin namzi për konvertimin e rreth 40.000 shqiptarëve të rajonit të Pejës të udhëhequr nga komandanti i xhandarmërisë malazeze Sava Llazareviq, perfekti i Pejës Dushan Jagoviç, majori Jovan Plemenac dhe vojvoda Lekiç. Kronologjikisht në këtë këngë përshkruhet dhuna, vrasjet dhe masakrat që e shoqëruan aksionin e ndërrimit të fesë në popullatën e Lugut të Baranit. Më 13 mars 1913, të rrethuara nga bajonetat e tytat e mitralozave të ushtrisë që udhëhiqej nga Sava Llazareviq, i quajtur Batarja, të përcjella nga fotoaparatet e konsullatave evropiane, masat e gjëra të popullit, burra, gra, pleq e fëmijë, kush në qerre e kush këmbë, ecnin rëndë-rëndë në drejtim të patrikanës së Pejës, që “vullnetarisht” të ndërrojnë emër, komb e fe. Këtë karvan të pikëlluar Kisha po e priste me padurim. Popët ortodoksë, me enë të mbushura me “ujë të bekuar”, prisnin t’i pagëzojnë popullatën e viktimizuar. Për çdo familje “të pagëzuar” ishte caktuar kumbara serb nga Bellopoja, Gorazhdeci, Peja, etj.7). Por, para se të niseshin për në Pejë, në marrëveshje me bajraktarin e Vranocit, Sali Bajraktarin, populli kishte lidhur besën dhe ishte betuar:

Domë me u gri, domë me u coptue

Fe as emën s’domë me ndërrue,

T’parëve vorret me jau turpnue…

Në të dalë në Urë të Gurit në Pejë, Sali Bajraktari, Arif Halili, Zenel Binaku, Selim Gërvalla, etj. tregojnë urtësi e guxim të rrallë si prijës popullorë. Megjithëse duarthatë, e bëjnë copë e grimë flamurin e urryer të pushtuesit dhe në vend të tij e ngitin Flamurin kombëtar me shkabën e zezë dy krenare, i cili kohë më parë kishte rilindur në Vlorë dhe valonte i lirë në shtetin e pavarur shqiptar. Rezistencës së prijësve dhe të popullit ushtria iu përgjigj me armë zjarri:

Krisi pushka dhe dajaku,

Rrugët e shehrit i mloi gjaku

Vaj e gjamë Peja ka marrë

Me t’u dridhë toka nën kambë…

      Atë ditë fotoreporterët serbo-malazezë e francezë, në vend të buzëqeshjeve dhe haresë së një populli të “egër” që “vullnetarisht po hynte në gjirin e një populli të qytetëruar”, po fiksonin mllefin, pezmin dhe revoltën e popullit shqiptar, grushtet e ngritur të fëmijëve dhe gjakun që derdhej në ujët e Lumbardhit. Në shenjë hakmarrjeje lidhur me këtë rast qeveria e krajl Nikollës më 3 prill 1913 masakroi 1.300 shqiptarë.8)

      Kënga është e gjatë dhe ka strukturë klasike të ndërtimit. Ajo u bën jehonë të fuqishme idealeve kombëtare. Në fakt kënga pasqyron në mënyrë besnike ndjenjat, mendimet dhe idealet e kohës, por që, si të tilla, luajtën një rol të rëndësishëm njohës, edukues dhe mobilizues edhe për gjeneratat e reja. Me temën e qëndresës si dhe me emocionet e shfaqura natyrshëm, në rrethanat e rënda të terrorit serb, kjo këngë iu bënte jehonë idealeve të lëvizjes atdhetare dhe përjetohej si kushtrim i vërtetë. Po ashtu, me artin e saj, kënga jepte këtë mesazh bindës: atë që nuk e kishin bërë shekujt, s’kishte si ta bënte viti.

         4.

         Një masë tjetër e vazhdueshme e gjenocidit serbo-malazez për shfarosjen e shqiptarëve qe edhe likuidimi fizik i përfaqësuesve përparimtar dhe i prijësve të shquar të popullit shqiptar. Me këto akte të shëmtuara kriminele Serbia provoi ta shuante çdo shkëndijë zgjimi, organizimi, rebelimi dhe kryengritjeje shqiptare. Likuidimi i prijësve shqiptarë organizohej nga shërbime speciale të shtetit ndërsa ekzekutimi i tyre bëhej nga xhandarmëria, ushtria apo agjentët e shitur shqipfolës. Si mjet për zënien e gjallë apo likuidimin e personave të shënuar nga pushteti shfrytëzohej tradhtia dhe shumë rrallë lufta ballë për ballë. Për të mos u dënuar në qarqet e ndryshme ndërkombëtare, vrasjen e prijësve shqiptar, qeveria serbe e shpallte si ngatërresa për pronë dhe moral, si hakmarrje tradicionale gjaku dhe si qërim hesapesh mes grupesh politike. Shumë raste dëshmojnë për likuidime speciale të elementit të pabindur dhe të rrezikshëm për shtetin: personat e ftuar veç e veç, i gruponin në stacionet e xhandarmërisë, ku i maltretonin, i torturonin i mbysnin dru, pastaj i bartnin në mal, ua vënin  pushkët në krah ose mbi trupat e vdekur dhe kështu të fotografuar në grup nëpërmjet mjeteve të informimit para bote i shpallnin anëtarë çetash kaçake terroriste.Vrasja e prijësve shqiptar aq sa ishte masë hakmarrjeje e shtetit po aq ishte masë frike, demoralizimi dhe shuarjeje e çdo shprese të popullit për të jetuar në vatrat shekullore. Me një fjalë terrori shtetëror serb synonte shpërnguljen e domosdoshme të shqiptarëve nga trojet e veta. Tradita e vrasjes së personaliteteve të shquara shqiptare në praktikën e shtetit serb është e hershme, është e pasur, është e gjatë mbi një shekull e gjysmë dhe si e këtillë popullit shqiptar i ka kushtuar shumë, madje, në të gjitha sferat e jetës: të paktë janë ata prijës shqiptarë që kanë vdekur natyrshëm, me trup në shtrat e me kokë në jastëk.

      Aktet e burgosjes, maltretimit, vrasjes dhe likuidimit të prijësve dhe bijve të tij më të mirë populli shqiptar i mbajti prore në kujtesë dhe nëpërmjet këngës i bëri të pa vdekshme. Ndër qindra shembujt e vrasjeve të prijësve të shquar shqiptar nga dora terroriste serbo-malazeze muza popullore e qau me lot dhembjeje dhe krenarie edhe vrasjen e pabesë të atdhetarit Isa Boletini (1864-1916), personalitetit qendror të Rilindjes kombëtare, organizatorit dhe udhëheqësit të kryengritjeve të mëdha antiosmane për çlirim e bashkim kombëtar, organizatorit të forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, anëtarit të delegacionit shqiptar, që shkoi në Londër për të protestuar kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, organizatorit dhe udhëheqësit të qëndresës shqiptare kundër pushtimit serbo-malazez gjatë Luftërave Ballkanike e më vonë.

      Si personalitet që tërë jetën e kalon në përpjekje dhe luftëra për lirinë, për bashkimin e trojeve dhe për pavarësinë e Shqipërisë, me kohë, Isa Boletini fiton admirimin, respektin, dashurinë e popullit dhe njërin ndër vendet qendrore të figurave të merituara të epikës popullore historike. Figurë tipike e burrit shqiptar, gjithmonë i veshur me kostume të bukura kombëtare që i japin një hijeshi të pashoqe, luftëtar që kurrë nuk i largoi armët nga trupi, gojëtar i urtë dhe trim me orë, gjenerali Isa Boletini, u bë frymëzim i muzës popullore, si në kronika gazete, nga beteja në betejë e deri në momentin e vrasjes. Në radhën e krijimeve të shumta të epikës historike kushtuar veprimtarisë dhe betejave të Isa Boletinit kënga “Kral Nikolla rrehi telin” pasqyron aktin tragjik dhe vrasjen mizore të heroit legjendar. Kjo këngë e interpretuar me nota elegjiake dhe zemërimi nga rapsodi Dervish Shaqa lartësohet në monument artistik që dëshmon dhe akuzon rrethanat historike të krimit të organizuar, gjenocidin serbo-malazez  si dhe pabesinë e dhunën ndërkombëtare të kohës. Isa Boletini që nuk ishte përkulur para mbretit e kralit, para atentateve të shumta e sulmeve në beteja, para  djegieve gjashtë herë të kullës feniks e premtimeve marramendëse, më në fund, si njeri i besës e fjalës së dhënë, i beson diplomatit francez në Shkodër, konsullit Bikok, i cili i premton vizën e udhëtimit për cilin do vend neutral që dëshironte. Në marrëveshje sekrete me krerët e qeverisë së kral Nikollës konsulli francez e udhëzon Isa Boletinin që të shkojë në Cetinë, në Ambasadën Franceze, për të marrë vizën udhëtimit. Viza, në këtë rast, ishte kurdisur si pretekst për likuidimin e Isa Boletinit. Pikërisht këtë komplot të shëmtuar ndërkombëtar e stigmatizon hapur edhe muza popullore nëpërmjet vargjeve të këngës:

Krajl Nikolla rrehi telin

Kançallozit ja çon haberin;

Me ma nxanë çat Isa Begin

Me ma nxanë me ma mashtru

N’Podgoricë Isen me e çu

Kançallozi ja dredhi telin

Ta kam nxanë unë Isa Begin

Ta kam nxanë ta kam mashtru

Në Podgoricë ta kam çu

Më 23 janar të vitit 1916 Podgorica po pushtohej pa luftë nga ushtria austriake. Atë ditë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët e tij, i vendosur për t’u kthyer në Kosovë, tradhtohet nga diplomatët francez dhe lëshohet në “përcjellje” të ushtarëve malazezë. Kurthi i vrasjes i organizuar nga gjeneralët Veshoviq, Vukotiq, Plemenac, Ramadanoviç etj. zbatohet nga Sava Llazareviqi, krimineli namkeq i njohur me nofkën Savë Batarja. Prita iu zu te Ura e Ribnicës nga dy batalione prej 80 xhandarësh. Kërkesës së komandantit për dorëzim armësh dhe kalim pa luftë në duart e xhandarmërisë Isa Boletini i përgjigjet i vendosur për rezistencë, si gjithmonë:

 

Në Podgoricë Isa a dalë

Veshoviqi çon me e marrë

Hiqi armët se i kam dy fjalë

Veshoviq, mos t’kofasha falë

Para mretit n’aben jam dalë

Me sylahin s’ma ka marrë

S’i hjek armët sa t’jem gjallë

Dialogjet në mes të dy gjeneralëve janë sfiduese si në këngët e epikës legjendare. Konflikti i thellë krijon gradacion të menjëhershëm. Përgjigjet e heroit poetikisht reflektojnë burrëri, mburrje, vendosmëri, vendim të prerë për qëndresë deri në fund. Lufta që fillon është e rreptë dhe e pabarabartë. Dy batalione xhandarësh kanë zënë dy krahët e urës mbi lumin Ribnicë. Masa të mëdha të sigurisë formojnë rrethimin tjetër. Brenda në dërrasat e urës, pa mbrojtjen më të vogël, qëndrojnë të pa lëkundur tetë trima, tetë kreshnikë, me të vetmen alternativë: qëndresë sa më të gjatë në sheshin e nderit për të marrë me vete sa më shumë armiq.

Krisi pushka në Pazar

Në Pazar e në çarshi

Rrebt po qet Isa allti

Po i nimojnë do djem të ri

Ngul kadalë he kryqali

Se ksi djelm s’ke pa me sy

Në vazhdim muza popullore akuzon edhe Austrinë, qoftë si pjesëmarrëse e drejtpërdrejt e qoftë për qëndrimin e saj neutral gjatë ekzekutimit të Isa Boletinit nga xhandarmëria malazeze. Kënga nuk kalon pa e theksuar shpresën shqiptare që vinte si rezultat i besimit të krijuar nga propaganda austro-hungareze për liritë e popujve. Ndaj, aty ku të tradhton shpresa zhgënjimi është shumë i dhimbshëm:

Njefsha t’ligën moj Austri

Uzdajë t’madhe kam pasë n’ty

S’e kam ditë se don me m’gri

Austria po ban seri

Zot shka u ba ky nam beteri

Podgoricën e mloi jezeri

Po lifton çaj Isa Begi

Met shehit vet i teti

Vet i teti shehit a metë

Ka vra shkie izet e tetë

Kënga ka një mbarim spektakli tragjik. Lufta zien e pabesueshme. Qytetin e ka mbuluar një tis i dendur tymi. Kënga e le të hapur metaforën: është pikturë liqeni legjendar apo ndërgjegje e vrarë njerëzore austro-hungareze!? Ndërsa muza popullore shtron dilema arti, realiteti kohor e pohon të vërtetën objektive. Në luftën mbinjerëzore për të çarë rrethimin, duke lënë tridhjetë armiq të vrarë, Isë Boletini bie heroikisht në fushën e nderit. Me Isanë u vranë edhe dy bijtë, Halili dhe Zahidi; dy nipërit, Januzi dhe Halili; i kunati, Hajdar Radisheva, dhe dy shokë të tjerë të tij, Idriz Bislimi dhe Misin Bala. Kështu mori fund jeta e Isa Boletinit, i cili në zemrën e Atdheut ishte betuar për jetë të jetëve: “Edhe njëqind vjet jetë në paqa, të tana ia kam falë atdheut. Edhe njëqind herë n’u rrëxofsha prapë kam me u çue e kam me dalë ku është balli më i vështirë i luftës. Me dekë për atdhe më duket si me le për së dyti… Unë njëqind herë jetën e jap, po kurrë armën, nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!… Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia!”

Përfundim

Epika historike e periudhës së pushtimit serbo-malazez është krijimtari e ngjizur me gjak. Duke pasqyruar dhunën shfarosëse srbo-malazeze mbi popullin shqiptar si dhe pushtimin e kolonizimin e tokave të tij nga Serbia e Mali i Zi ky cikël këngësh në të njëjtën kohë akuzon edhe vendimet antinjerëzore të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Edhe pse kryesisht i shquan tema e qëndresës dhe e besimit në të ardhmen këngët e këtij cikli kudo i përshkon nota pikëlluese, elegjiake dhe tragjike. Me përmbajtjen e tyre të pasur këto këngë rapsodit Dërvish Shaqa i dhanë lëndë të rëndësishme për edukimin atdhetar, kombëtar, moral dhe politik të dëgjuesve të tij të shumtë, pa përjashtim moshe dhe vendbanimi në trevat shqiptare dhe më gjërë. Këto këngë në interpretimin virtuoz të rapsodit Dervish Shaqa para publikut dëgjues shpalosën një përvojë të rëndë por të lavdishme qëndrese shqiptare përballë “të shtatë krajlive”. Porosia e këngëve dhe e rapsodit shprehet qartë: qëndresë, vetëdijesim, vetëbesim, organizim, bashkim dhe luftë deri në fitore.

—–

6) ASHRPSSH, IKP, Epikë historike kosovare, Tiranë, 1985, fq.376

7)Dr. Mark Krasniqi, Lugu i Baranit (monografi etno-gjeografike), Rilindja, Prishtinë, 1985,fq.29

8) Po aty.

(Pjesa e dytë e vështrimit “Epika historike e periudhës së pushtimit serbo-malazez”, në repertorin e rapsodit  Dervish Shaqa).

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …