Faton B. Mehmetaj: OBJEKTI I DRURIT NË LLOQAN KISHTE VLERA TË MËDHA KULTURORE, ETNOGRAFIKE DHE HISTORIKE

Faton B. Mehmetaj: OBJEKTI I DRURIT NË LLOQAN KISHTE VLERA TË MËDHA KULTURORE, ETNOGRAFIKE DHE HISTORIKE

Të dhënat për objektet e vjetra të shek. XII-XV për këtë objektive më të hershme dhe atyre të mëvonshme të kësaj periudhe janë mjaft të kufizuara. Këto të dhëna kryesisht mund të sigurohen nga përmendja e ndonjë arkeologjie të kësaj periudhe, nga ato pak monumente të lëna, si dhe nga dokumentacioni i shkruar i arkivave mesjetare. Në vitin 1330 manastiri i Deçanit i ka takuar 40 fshatra me 2.432 shtëpi. Objekti i drurit në Lloqan ishte ndër objektet më unike në Ballkan. Përmendim rëndësinë e parë 700 vjetësh, i ruajtur deri në vitin 1999, dhe i shkatërruar dhe djegur në luftë nga forcat serbe, të cilat pas luftës dogjën disa mullinj dhe ura dhe kishat në Komunën e Deçanit me rrethinë. Sipas studiuesve të ndryshëm, bazuar edhe në dokumentacione arkivore të vjetra për edhe në Kresobulën e Deçanit, fshati i Lloqanit është ndër fshatrat më të vjetra të Deçanit me rrethinë.[1] Kuptohet se vjetërsia e këtyre vendbanimeve dhe vendndodhja e tyre në Komunën e Deçanit dëshmohet në një varg qendrash të banuara, të njohura që në antikitet, të cilat e vazhdojnë jetën e tyre edhe në mesjetë, e disa edhe deri në ditët e sotme.[2] Kjo e dhënë dëshmohet edhe në regjistrimet osmane të shek. XV-XVI, të cilat flasin për një numër të madh fshatrash, duke treguar për vendin ku ndodheshin dhe madhësinë e përafërt të secilit. Shumica e atyre vendbanimeve gjendeshin në zonat kodrinore, në shpatet e maleve a rrëzë tyre dhe përgjatë luginave të lumenjve. Aty, mes tjerash, ceket edhe Pridvorci, vendbanim i kishës së Deçanit e fshatit Deçan (qytezës së sotme që sot nuk është ruajtur as si toponim, as si vendbanim.) Mendojmë se “Pritvorci” është shtrirë në fushën pjellore që nga kisha e deri tek ndërtesa e sotme e Kuvendit Komunal, ndërmjet Podit të Gështenjave dhe Bistricës së Deçanit. Për rreth Kishës së sotme të Deçanit, edhe sot e kësaj dite gjenden gjurmët e 6-7 fshatrave shumë të hershme, që shtriheshin rrëzë maleve deri tek Kërrshi i Mark Gegës, si Belleja e Poshtme, Zhigu i Deçanit, i cili gjendet në Bjeshkën e Deçanit, këtu kanë jetuar një pjesë e banorëve të vjetër të Deçanit e Carrabregut. Pranë Zhigut të Deçanit, kalonte Rruga e Prapshtisë, që është po ashtu rrugë e vjetër.

Afreskë në Shpellën e Zezë. Në mesin e këtyre afreskave gjendet edhe ikona e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari, e trashëguar nga kultura Iliro-Bizantine.

Pastaj banorët e fshatit që jetonin tek Kërrshi i Mark Gegës, lokalitet ky që gjendet mbi Kishën e Deçanit, ku edhe sot disa familje të Deçanit i kanë trojet e veta aty. Shumë prej këtyre fshatrave janë shuar me kalimin e kohës dhe banorët e këtyre fshatrave janë shpërngulur nga ato pjesë, duke kaluar në pjesën fushore (të rrafshët), ku krijuan vendbanime dhe fshatra të reja. Banorët e këtyre fshatrave, para se të shpërnguleshin nga ato pjesë, jetonin në barqe, vëllazëri e grupe jo të mëdha. Këto fshatra kishin kishat e veta, mullinjtë për blojë, vallavicët për përpunimin e leshit, vathët për bagëti dhe vendet e banimit. Edhe sot e kësaj dite në komunën e Deçanit ekzistojnë gjurmët e disa objekteve të vjetra siç është Kulla e Qelisë, që gjendet në anën e majtë të Bistricës së Deçanit, disa kilometra larg manastirit të Deçanit.

Një nga dhomat e Kullës së Qelisë. Ky lokalitet është vend arkeologjik, me mbetje dhe rrënoja të lashtësisë.

 

Ky objekt ngritet në strehën e një shkëmbi dhe ka lartësi diku 16 metra, ndërsa është i gjerë 5 metra. Po ashtu gjenden rrënojat e një kalaje në Belle, por janë gjurmët edhe të shpellave asketike dhe të një shpelle që kishte qenë kishë shumë e vjetër, ku deri vonë ekzistonin edhe freska të ndryshme në të. Nga mjeshtrit e vjetër të Deçanit me rrethinë është edhe një objekt tjetër i punuar nga druri, hambari pronë e familjes së Bajram Mehmetajt të Pozharit, i ndërtuar diku në vitin 1745. Në fshatrat e Komunës së Deçanit, sidomos në bjeshkët e këtyre fshatrave, banorët ndërtojnë vatha nga druri, origjina e të cilave është shumë e vjetër.[3] Ndër vendbanimet e vjetra të Deçanit me rrethinë bën pjesë edhe Lloçani, i cili gjendet rrëzë bjeshkëve të Vokshit e Pobergjës. Vendbanimet rrëzë bjeshkëve, siç u tha edhe më lart, janë të vjetra sa vetë jeta në këtë lokalitet. Shtrihet në luginën e Lumbardhit të Lloqanit, 2-3 km në jug-perëndim të Deçanit, rrëzë Alpeve Shqiptare. Është vendbanim i tipit të grumbulluar. Lloçani është fshat i vjetër, i banuar që nga mesjeta e hershme. Në dokumentet e shkruara, Lloçani përmendet në Krisobulën e Manastirit të Deçanit të vitit 1330 me emrin (Oulaçani). Në këtë kohë ky fshat kishte 60 shtëpi, 200 meshkuj, tre mullinj etj.[4] Në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, me emrin Lugjani, i varur nga Peja, ku ishin të regjistruara 29 shtëpi, 10 beqarë dhe 2 të veja.[5] Përmendet edhe në fermannin e Sulltan Selimit në vitin 1516.[6]

Fermani i Sulltan Sylejmanit të Parë, i shkruar në Konstandinopojë, përmes të cilit lirohet nga taksat Kisha e Deçanit në vitin 1539.

 

Në defterin tjetër të Sanxhakut të Shkodrës, të vitit 1582, me emrin Lloqani, si vendbanim kishte 22 shtëpi, 2 beqarë dhe 9 bashtina.[7] Në shtesën e relatës së vet, arqipeshkvi Karagiqi, në vitin 1725, përkitazi me famullinë e Pejës, thekson se misionar apostolik aty është don Ndre Braçani, ndërsa misionit të tij i takon edhe fshati Lisciani me 3 shtëpi e 25 anëtarë besimtarë të krishterë.[8] Duke u bazuar në shënimet historike dhe statistikore, territori i komunës së sotme të Deçanit, deri në vitin 1912, ishte i banuar plotësisht me popullatë shqiptare, me përjashtim të fshatit Lloçan, ku kishin mbetur disa banorë që ishin shqiptarë të besimit ortodoks, të cilët e kishin pranuar fenë sllave, por që i mbanin edhe ritet e vjetra ortodokse shqiptare. Në popull, kjo shtresë e shoqërisë njihej me emrin “Shkije raje”, të cilët ruanin edhe mbiemrat e gjuhës shqipe, si dhe emrat e fiseve prej nga vinin, duke përfshirë këtu edhe disa doke dhe zakone që ishin pjesë e traditës së tyre familjare, që kishin të bënin me origjinën e tyre të besimit të ritit ortodoks bizantin, të cilat i ruajtën dhe i kultivuan me shekuj.[9] Me emrin Lloqan është i regjistruar edhe në salnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h). Duhet cekur se në mes dy luftërave botërore, Lloçani ishte kolonizuar me kolonë serbë e malazezë, të ardhur nga rajonet e këtyre dy vendeve që kanë qenë pushtuese të Kosovës, dhe janë vendosur në mes të fshatit, duke pasur një armiqësi të madhe që nuk është shfaqur nga frika e pushtetit ndaj shkijeve raje. Deri në atë kohë, femrat por edhe burrat e tyre i kanë përdorur veshjet kombëtare shqiptare. Pos kësaj, në Lloqan kanë qenë mbi 50 kulla ku ka jetuar popullata e këtij fshati. Në kulla kanë jetuar edhe familjet e “shkijeve raje”. Është e njohur kulla e Jorda Simiqit, i cili njihej në popull si Jord Milani nga Lloçani, i cili një kohë ishte edhe kryetar i komunës në Irzniq. Sipas disa burimeve të shkruara, ky fshat në të kaluarën ka qenë edhe i fortifikuar. Në këtë periudhë historike përmendet edhe fshati Beleg, që ishte i fortifikuar, në kuptimin se ishte i rrethuar me mure në pjesën kryesore të fshatit, kurse Lloçani ishte i fortifikuar me drunj të trashë të ngulur në dhe, pothuajse rreth gjithë fshatit.[10] Lloçani ishte i banuar së paku 200 vjet para se të rindërtohej Manastiri i Deçanit.[11] Popullata e këtij fshati ishin shqiptarë me besim të krishterë, por pjesa kryesore ortodoksë të ritit bizantin. Siç dihet, në këtë fshat kemi të bëjmë me një popullsi jo të ardhur, por vendase, dhe se bartësit e kësaj kulture të mesjetës së hershme janë pasardhësit e ilirëve. Thonë banorët e kësaj ane se kur është ndërtuar kisha e Deçanit, kanë punuar me mëditje ose edhe falas shumë banorë të Carrabregut, Deçanit, Lloçanit, Belegut e Llukës së Epërme, dhe se për të ndezur zjarrin në oxhakun e konakut të kishës së Deçanit, sipas zakoneve të lashta të traditës, kanë shkuar në Lloçan dhe aty kanë marrë një “kaci me prush” dhe e kanë çuar në konakun e kishës.[12] Vendi prej ku është marrë zjarri për ta dërguar në konakun e Kishës së Deçanit ka qenë një shtëpi në Lloçan që datonte nga shekulli i XIII, e ndërtuar nga druri i gështenjës dhe i bungut. Ky objekt u ruajt me fanatizëm nga popullata shqiptare, sikurse është ruajtur edhe Manastiri i Deçanit, i Pejës, i Prizrenit, i Graçanicës etj., si objekte të vjetra, të cilat më vonë u përvetësuan nga sllavët. Ky kujdes i popullatës shqiptare gjatë shekujve për këto monumente u sigurua përmes të drejtës zakonore, në brendinë e së cilës, nga lashtësia e deri sot, ekzistojnë disa norma dhe rregulla të pashkruara, të cilat janë transmetuar brez pas brezi, për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore në Deçan, por edhe në disa krahina të tjera të Shqipërisë, kryesisht në krahinat malore të vendit. Rrënjët e këtyre normave shtrihen thellë në lashtësi. Ato norma janë shprehje e qëndresës së popullit shqiptar për të mbrojtur qenien, gjuhën dhe kulturën e tij. Faktikisht, këto norma dhe kode të vjetra përbëjnë edhe një provë tjetër të autoktonisë dhe të individualitetit të popullit shqiptar. Që në kohët e vjetra e deri sa është djegur nga serbët, ky objekt është vizituar nga qindra e mijëra pelegrinë nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe nga pelegrinë që vinin nga popujt e ish-Jugosllavisë, por edhe nga vende të Evropës dhe botës.[13] Nga ato kohëra si objekt që i ka qëndruar kohës e kemi edhe Konakun e Manastirit të Deçanit të Deçanit i cili është ndërtuar më drurin e gështenjës. Shtëpia e punuar nga druri që gjendej në Lloçan, e kishte rolin edhe të Votres, këtë e tregonte edhe konstruksioni i saj dhe arhitektura tradicionale e punuar nga mjeshtrit vendor. Në shoqërinë fisnore vatra (votra) është e shenjtë. Ajo nënkupton vazhdimësinë e brezave; shërben për sigurinë vetjake dhe ekonomike, për mbrojtjen e vetvetes dhe të tjerëve. Në kuptimin fizik vatra është një lokal, odë e shtëpisë ku ndizet zjarri dhe mbahet prushi. Oda e vatrës ka hapësirë më të madhe nga odat tjera të shtëpisë. Kur të ndahet shtëpia e madhe në shtëpi më të vogla dhe familjet e ndara dalin në shtëpi të vet, kur e ndezin zjarrin për herë të parë në shtëpinë e re, vijnë në vatër – në “shtëpi të zjarrit” dhe aty marrin nga një unë të ndezur dhe pak prush me çka e ndezin zjarrin në vatrën e re. Zjarri është simbol i zhvillimit dhe shtimit familjar që paraqet shtëpinë, vëllazërinë dhe fisin. Për më tepër zjarri është simbol force, drite e nxehtësie.[14] Në të kaluarën e largët, por edhe sot, me drurin e gështenjës punoheshin lugët e mullinjve, dyshekllaku i kullave, dyert kryesore të kullave.

Kulla e Demëukajve të Deçanit, kullë ku ndaheshin pleqni dhe ishte kulla e vojvodëve të njohur në të gjitha trojet shqiptare.

Druri i gështenjës përdorej edhe për quprinë e kullave. (Qupria është shtylla kryesore e kullave) etj. Sipas legjendës popullore, ky objekt ishte ndërtuar së paku 200 vjet më herët, para se Dushani ta rindërtonte Manastirin e Deçanit. Objekti në fjalë ka qenë ekzistencial deri në vitin 1999, të cilin forcat serbe, pasi u tërhoqën, e dogjën për të mos lënë gjurmë të lashtësisë. Ky objekt përmendet edhe në literaturën e hershme serbe. Prej kësaj shtëpie është marrë zjarri (prushi), për ta ndezur zjarrin për herë të parë në konakun e kishës së Deçanit, pas rindërtimit dhe meremetimit që i kishte bërë Dushani për nevoja të vetat. Sipas zakoneve të lashta të banorëve të Deçanit, të cilët i kanë besuar kultit të Diellit dhe kanë ndezur zjarre me rastin e festave të ndryshme, sipas traditës, edhe sot kur hyn në shtëpi të re, zjarri merret nga shtëpia e vjetër. Ndërtimi i kësaj shtëpie është bërë në katër etapa. Ajo shtëpi ka qenë i vetmi ekzemplar i ruajtur i këtij lloji në trevën tonë dhe në gjithë Ballkanin. Ka qenë ndërtesë unikate. Gjatë kohës sa ka qenë duke u ndërtuar Kisha e Deçanit, në këtë objekt kanë banuar një grup i mjeshtërve gurëskalitës që kishin ardhur nga Krasniqja e Malësisë. Banorët e këtij fisi kanë mbetur në Lloçan që nga ajo kohë.[15] Të asaj kohe që kanë mbijetuar gjurmët e tyre deri më sot janë disa mullinj të Deçanit dhe fshatrave përreth, themelet e ndonjë kishe, shpellat asketike dhe gjurmët e një kalaje në Beleg.

Muret e lashta të Kalasë në Beleg.

 Mjaft i vjetër është edhe kryqi i plakut Nestor që jetonte në Beleg dhe shërbente në njërën prej tri kishave që ishin në Beleg. Kryqi i Nestorit është i njohur në historiografinë serbe që prej vitit 1852, por, siç thotë studiuesja kroate Mirjana Šakota, çështja e këtij kryqi “nuk ka qenë e shpjeguar në mënyrë profesionale e as nuk kanë qenë të deshifruara – të shpjeguara tekstet e shkruara në të”.[16] Kryqi është punuar me urdhër të Nestorit dhe vëllazërisë kishtare deçanase; në kryq është nënshkruar edhe emri i mjeshtrit – jeromonahut Nikodim.[17] Shpjegimi i teksteve në këtë kryq, që janë shkruar me një ligaturë shumë të ndërlikuar, ka mundësuar njohjen e motiveve dhe qëllimin e punimit të këtij kryqi. Kuptimi i teksteve që është huazuar nga triodi i vonë dhe disa lutjeve jokanonike, bashkë me shkronjat e kryqit, janë falënderim për kryqin e nderit dhe thirrje fuqive të tij magjike për ta mbrojtur kishën dhe vëllazërinë kishtare nga demonët (dreqërit), që, kujtoj, këta “demonë” janë armiqtë-pushtuesit. Deri në fund të shek. XX, Kryqi i Nestorit (që po e quajmë kështu në këtë shkrim) vihej pranë ikonave të Krishtit në kishën e Deçanit me rastin e festave të krishtera. Kryqi i Nestorit është sjellë nga Belegu në Kishën e Deçanit pasi ushtria osmane e dogji Kishën e Shën Nestorit në Bellenë e Epërme në shek. XVI. Ky kryq gjendet edhe sot e kësaj dite në Kishën e Deçanit. Deri në fund të shek. XX, Kryqi i Nestorit vihej pranë ikonave të Krishtit në kishën e Deçanit me rastin e festave të krishtera. Kryqi i Nestorit është i vetmi i këtij lloji që gjendet vetëm në kishën e Deçanit. Është trashëgimi kulturore e popullit shqiptar të këtyre anëve, kuptohet i punuar nga mjeshtrit e Deçanit me rrethinë që merreshin me punimin e drurit. Nga këta mjeshtër janë punuar edhe shumë orendi prej druri në Kishën e Deçanit, të punuara diku nga fundi i shek. XVI ose fillimi i shek. XVII. Edhe pse në disa shkrime serbe për këto orendi thuhet se i punuan mjeshtrit nomadë të Hercegovinës, studiuesja kroate Mirjana Šakota, që studioi mbi 10 vite Manastirin e Deçanit, me theks të veçantë Riznicën e Deçanit, thotë se shumica e këtyre orendive u punuan nga mjeshtrit e Deçanit.[18] Nga këto punime të asaj periudhe janë edhe disa tavolina të punuara nga druri i arrës, i gështenjës dhe pajës. Kuptohet, druri i arrës, që ka qenë i bollshëm në terrenet e Deçanit me vendbanimet përreth, është përdorur qëmoti në këto anë nga zdrukthëtarët dhe mjeshtrit vendas, punëdore kjo që ka lënë gjurmë dhe përdoret edhe sot. Në terrenet e Deçanit me rrethinë, si dhe në shumë vende të Evropës Perëndimore në kohën e Mesjetës, druri ka qenë një lëndë shumë e çmueshme. Terreni i Deçanit me rrethinë është vend shumë i pasur me drunj, e sidomos me drunj fisnikë dhe drunj për ndërtim.[19] Ka qenë zakon që druri që është përdorur për ndërtimtari, por edhe për përdorim të zakonshëm, të prehet në kohën kur është hëna e plotë – e vjetër, në muajin shkurt, mars ose disa muaj më vonë – tetor, nëntor. Mjeshtrit shqiptarë të Deçanit kanë qenë të njohur për drugdhendje në shumicën e trevave shqiptare të asaj kohe.[20]

Kompleksi i dëshmorëve dhe martirëve te kombit në Lloçan

Objekte të tjera të vjetra që janë ruajtur dhe kanë mbijetuar gjatë në Deçan janë edhe kullat. Madje, treva e Deçanit është e njohur për kulla; këto të dhëna i hasim, pos të tjerëve, edhe në veprat e shumë studiuesve të huaj, duke përfshirë këtu edhe shënimet dhe ditarët e shumë udhëpërshkruesve, ushtarakëve e vizitorëve të tjerë, që nga koha e Turqisë, Serbisë dhe e pushtuesve të tjerë. Kullat në trevën e Deçanit me rrethinë paraqesin vlera unike të arkitekturës burimore shqiptare. Janë të përhapura në të gjitha fshatrat e komunës së Deçanit. Janë të njohura frëngjitë e kullave të kësaj treve. Ato janë të ndërtuara vetëm nga shqiptarët dhe i kanë rrënjët në kullat e fortifikatave ilire, romake e bizantine; ato shërbenin në radhë të parë për të banuar në to, së dyti për t’u mbrojtur nga sulmet e ushtrive të huaja dhe, së treti, për t’u ruajtur nga gjakmarrja e ngatërresat ndërmjet veti.[21] Në Beleg është i njohur lokaliteti “Kulla e Qelisë”, lokalitet i vjetër mesjetar, por në shumë vendbanime disa kulla i kishin edhe karallhanen (kullën vrojtuese). Këto kulla ishin të vendosura edhe në disa kështjella. Një kullë tjetër me domethënie të madhe ishte kulla ku ka qenë e vendosur “Oda e Junikut” në Junik. Kjo kullë u ndërtua me punën e përbashkët të fshatit. Oda e Junikut ka qenë e ndërtuar apostafat për mbajtjen e mbledhjeve, për të ndarë pleqëri dhe strehimin e njerëzve të Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare. Kjo kullë është ndër institucionet më të vjetra në vend.[22] Objekti i drurit në Lloqan ndërlidhet edhe me vatrën, me trashëgiminë, me doket dhe zakonet shqiptare. Në shoqërinë fisnore vatra (votra) është e shenjtë. Ajo nënkupton vazhdimësinë e brezave; shërben për sigurinë vetjake dhe ekonomike, për mbrojtjen e vetvetes dhe të tjerëve. Në kuptimin fizik, vatra është një lokal, odë e shtëpisë ku ndizet zjarri dhe mbahet prushi. Vendi në oxhak ku ndizet zjarri në odë quhet vatër (votër). Në të dy anët e oxhakut vihen dy gurë të latuar, me majë të kthyer për t’u ndezur drutë në oxhak sa më mirë.[23] Ky objekt që gjendej në Lloçan ka qenë i mbrojtur me ligj, por u dogj nga serbët në vitin 1999, që të mos lihen gjurmë të lashtësisë që lidhen me shqiptarët në këto anë, sepse ishte objekt me vlera të jashtëzakonshme për kulturën dhe etnografinë e Deçanit. Po të ishte ky objekt sot, sigurisht se do të ishte ndër objektet më të vizituara në Kosovë nga turistët e huaj, por edhe nga vetë popullata shqiptare.[24] Sa për dijeni të lexuesve, Serbia në këtë kohë kur e dogji këtë objekt, përveç plaçkitjes dhe shkatërrimit të pasurisë së shqiptarëve, shkatërrimit të qyteteve e fshatrave shqiptare, plaçkitjes dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore e të dokumentacioneve administrative, vrau dhe masakroi mbi 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa ende konsiderohen të zhdukur mbi 1660 persona. Mbi një milion shqiptarë, të ballafaquar me vdekjen, u dëbuan jashtë Kosovës gjatë operacionit për spastrimin etnik. U përdhunuan rreth 20 mijë femra shqiptare, ndërsa qindra fëmijë, madje edhe foshnjat shqiptare, u vranë në barkun e nënave me pretekstin se po ekzekutoheshin “armiqtë e ardhshëm të Serbisë”.

Në këtë kohë u shkatërruan të gjitha xhamitë, tyrbet, kullat, mullinjtë; varrezat e vjetra u rrafshuan me bager. U shkatërrua administrata dhe objektet e lashta, duke mos lënë asgjë me vlerë historike apo kombëtare në këtë vend. Shkatërrimi i monumenteve në Komunën e Deçanit, kullave, bibliotekave, xhamive, teqeve e monumenteve tjera nuk ishte rastësi, por një fushatë e egër kundër popullit tonë, e nxitur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë për të shkatërruar jo vetëm monumentet, por edhe kujtesën tonë historike.

Xhamia e Prejlepit (1686-1998) u dogj dhe u shkatërrua tërësisht nga ushtria serbe në vitin 1998.

Ky shkatërrim u bë me vetëdije nga ushtria dhe policia serbe. Objekti i drurit në Lloçan ishte i vendosur në lagjen e Krasniqëve. Pjesëtarët e hershëm të këtij fisi kishin ardhur si gurëskalitës nga Malësia në periudhën e rindërtimit të Manastirit të Deçanit dhe kishin mbetur aty. Sipas shënimeve (kryesisht serbe), në fshatin Lloçan kishin qëndruar mbi 5 vjet rresht një grup mjeshtërish të ardhur nga Malësia, të cilët i takonin fisit të Krasniqës. Ky grup është marrë me latimin e gurëve që kanë shërbyer për ndërtimin e shtyllave të kishës së Deçanit. Që nga ajo kohë, nga barku i asaj familjeje në Lloçan, janë familjet e Krasniqëve. Në ndërtimin e Kishës së Deçanit morën pjesë mbi tridhjetë mjeshtër-ustallarë dhe mbi 300 punëtorë-argatë, shumica prej tyre banorë të Deçanit dhe fshatrave përreth. Siç u tha edhe më lart, në mbikëqyrjen e ndërtimit të Kishës së Deçanit kishte marrë pjesë edhe arkitekti i njohur i asaj kohe Miho Tivarasi (“fu un albanese, certo Michele di Antivari”) dhe Fra Kuçi, që ishin arkitektët kryesorë në ndërtimin e kësaj kishe, të cilët vinin nga shkollat e Kotorrit. Ati Kuçi ishte edhe kryemjeshtër si dhe udhëheqës i punimeve të ndërtimit të Kishës së Deçanit. Fra Kuçi bashkë me Miho Tivarasin dhe 30 gurëskalitës dhe disa skulptorë e rikonstruktuan Kishën e Deçanit dhe e përshtatën atë për nevojat e Stefan Deçanit. Gjatë shekujve XIV-XVI u dallua një plejadë e tërë artistësh dhe mjeshtërish arbërorë, të cilët punuan në Dalmaci dhe në disa qendra të mëdha të Italisë, në Raguzë, Split, Zarë, Korçullë, Venedik, Romë, Padovë, Firence, Vicencë, Milano etj. Në mesin e tyre përmenden: Miho Tivarasi (skulptor e arkitekt), Andrea Aleks Durrësaku (skulptor e arkitekt), Gjon Progon Novobërdasi (mjeshtër i arteve aplikative), Aleks Tarketa Arbërori (skulptor e arkitekt), Gjon Injaci (piktor), Viktor Kapraçi (piktor), Andrea Martin Aleksi (piktor), Gjon Durrësaku (piktor). Pastaj tre breza skulptorësh të familjes Arbërori (Albanesi) të Vinçencës (Gjon, Jeronim dhe Françesk Arbërori).[25] Sipas gojëdhënave, objekti i drurit në Lloqan, prej nga u mor zjarri për konakun e Manastirit të Deçanit, kishte qenë aty edhe në kohën kur kishin ardhur të parët e Krasniqëve të Lloçanit. Sipas kujtesës së banorëve të kësaj treve, ata thonë se kur është ndërtuar kisha e Deçanit, shumë banorë të Carrabregut, Deçanit, Lloçanit, Belegut, Llukës së Epërme etj., kanë punuar me mëditje ose edhe falas – argatisht në ndërtimin e Kishës së Deçanit.

Porta hyrëse e Manastirit të Deçanit e punuar me gurë të Bistricës së Deçanit nga mjeshtrit vendorë shqiptarë. Në këtë formë ishin të ndërtuara edhe dyert e oborrit të kullave të Deçanit me rrethinë.

Sa për ilustrim të disa konstatimeve të përmendura më lart, po përmend një të dhënë që është e vërtetuar edhe në aspektin historik, se shqiptarët në periudhën e paganizmit ndërtuan vepra me motive pagane. Ndër të parët në Evropë e përqafuan krishterimin, ndërtuan vepra paleokristiane, ndërsa ceremonitë fetare i kryen në këto monumente fetare. Kurse sllavët i kanë përvetësuar për nevojat e tyre këto monumente të kultit, dhe monumentet e Bizantit i kanë përdorur si të tyre për shkak të ritit ortodoks. Kështu ndodhi edhe kur populli ynë mori fenë islame: filloi ndërtimin e xhamive, dhe disa kisha u kthyen në xhami. Objekti i drurit në Lloqan – shtëpi nga druri që ishte mjaft unikat për formën e ndërtimit, lashtësinë e saj dhe jetëgjatësinë, e cila u bë ballë fortunave të kohës një mijë vjet e më shumë. Ky objekt gjendej në qendër të fshatit Lloçan, ishte ndërtuar në tokë të rrafshët në pronën e lagjes së Krasniqëve. Edhe Kisha e Deçanit është ndërtuar në pronën e Hak (Hako) Kuçit, banor i fshatit Deçan dhe, sipas gojëdhënave, nuk ka pasur kompensim për pronarin e kësaj toke, por truallin ku është ndërtuar Kisha e Deçanit e ka dhuruar për shpirtin e tij dhe ka porositur pasardhësit që, nëse e kërkon nevoja e vendit, të falin për shpirtin edhe një truall për ngritjen e ndonjë objekti fetar që do t’u shërbejë vendasve. Që nga ajo kohë, familja e Kuçëve, Hakajve, Makajve, Bojkut të Isniqit e disa të tjera, që nga ato kohëra të mesjetës e deri më sot, gjenden me prona të tyre rreth e rrotull Kishës së Deçanit.[26] Objekti fillimisht nuk kishte tavan dhe ishte i mbuluar me fluga pishe, sipas shënimeve që i kam siguruar në terren, ky objekt ka qenë i mbuluar një kohë edhe me rrasa e pas kësaj me tjegulla të luguara siç shihet edhe në foto. Lloçani si vendbanim nga shtrirja ishte i vogël, por nga rëndësia e tij në histori dhe etnokulturë ka pasur dhe ka një vlerë të konsiderueshme. Banorët e këtij fshati janë 85% shqiptarë. Në të kaluarën Lloçani kishte 31 familje shqiptare e 10 familje serbe, 305 banorë shqiptarë e 75 serbë (gjithsej 380 sish), dhe një dyqan shqiptar. Familjet serbe në Lloçan ishin familje shqiptare ortodokse të ritit bizantin, por që në vitin 1913, por edhe më herët, nën presionet e pushtetit serbo-malazez e humbën identitetin e tyre. Edhe përkundër kësaj, deri në vitet ’90, në disa fshatra të Deçanit, si në Lloçan, Prapaqan e vende të tjera, ekzistonin shkijet raje që ishin (shqiptarë të besimit ortodoks të ritit bizantin) të cilët ishin asimiluar, por i ruanin fshehur ritet pagane të kohëve të vjetra, sepse edhe kisha ortodokse bënte presione të mëdha që edhe shqiptarët e ritit ortodoks bizantin të kalonin në fenë ortodokse sllave. Procesi i asimilimit tek shqiptarët fillon nga periudha e hershme e Ilirisë. Fillimisht u bë romanizimi i ilirëve nga romakët, sllavizimi i ilirëve nga ana e Bizantit dhe Car Dushanit, dhe turqizimi i ilirëve nga ana e Perandorisë Osmane. Ky proces i asimilimit të shqiptarëve ortodoks në rajonin e Deçanit kishte filluar herët përmes kanonikut të Dushanit, por që zgjati me qindra vjet deri sa u arrit ky qëllim. Ky qëllim, që ishte ndër projektet e mëdha sllave, u arrit si finalizim, tash së fundmi përmes Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe pushtetit policor dhe ushtarak të Millosheviqit. Por me pavarësimin e Malit të Zi nga Serbia, si shtet në vete dhe të republikave të tjera të Federatës Jugosllave, me siguri që këto çështje do të diskutohen prapë. Në Maqedoni ka filluar rizbulimi i elementit ortodoks shqiptar, si njëra nga vlerat më të mëdha të qytetërimeve të popujve të shtypur të Ballkanit perëndimor nga hegjemonia serbo-sllave.

Lloçani përbëhet nga këto lagje: Lagjja e Cenajve, Shabanhaxhajve, Himajve, Krasniqëve, Stokajve, Ugrinajve dhe Tolajve. Prej shekujsh këto lagje kanë jetuar në harmoni mes veti. Në Lloçan jetonin dhe jetojnë edhe sot banorët e fisit të Krasniqës, Thaçit e Hotit. Banorët e Lloçanit 95% i takojnë fisit të Thaçit. Po ashtu në Lloçan gjenden edhe disa toponime shumë të vjetra që kanë të bëjnë me lashtësinë e këtij vendbanimi si: Kërshi i Mark Gegës, rrëzë së cilit ekzistonte një vendbanim shumë i vjetër i cili është shuar me kalimin e kohës. Banorët e këtij fshati dhe fshatrave të tjera që gjendeshin rreth Kërshit të Mark Gegës janë shpërngulur nga ato pjesë, duke kaluar në Lloçan dhe pjesën fushore (të rrafshët), ku krijuan vendbanime dhe fshatra të reja. Aty pranë, pranë Kërshit të Mark Gegës dhe Zhigut të Deçanit, binte Rruga e Prapshtisë që ishte ndër rrugët e vjetra të mesjetës së hershme që i lidhte këto territore me Malin e Zi dhe Shqipërinë. Po ashtu një vendbanim tjetër i vjetër i Deçanit me rrethinë gjendet përgjatë Grykës së Lloçanit, në afërsi të fshatit Hulaj, dhe në krahun e majtë të Kërshit të Mark Gegës, në pjesën veriore të Bistricës së Lloçanit, që konsiderohej një vendbanim i lashtë dardano-ilir. Toponime të tjera të këtij fshati, pos Kërshit të Mark Gegës, janë edhe: Guri i Hutit, Te Furrat, Shkalla e Keqe, Ana e Rrezes, Ana e Hijes, Lugu i Kasumit, Qepi i Kurvalls, Çesta e Lloçanit, Bejzat, Polanat, Gryka e Lloçanit, Kroni i Fetë Sejfisë, Shkalla e Lloçanit, Shkalla e Hulës, Stani i Cenit, Kërrshat e Zhivanit, Uji i Bardhë, Gurra e Hasan Agës, Kroni i Gusisë, Guri i Kuq, Kërrshi që qet ujë etj. [27] Biografia e këtij fshati është interesante dhe me interes për studiuesit. Pos që ishte fshat i fortifikuar me kulla vrojtuese dhe kishte edhe objektin e drurit prej ku u mor zjarri për konakun e manastirit, pas rindertimit e meremetimit sipas kërkesave dhe projektit të Dushanit, fshati kishte edhe 4 mullij, të cilët punonin me uijn që merrej nga Vada e Vokshit që vinte nga penda e Hulajve, e që disa prej tyre datojnë nga ato kohëra, dhe gjurmët e tyre janë egzistuese edhe sot. Mulliri në përpjetëze të Lloçanit, është quajtur mulliri i Hims, dhe është shumë i vjetër. Lloçani e ka edhe një tyrbe që ka formën e një varri, por që është e vjetër. Sipas disa të dhënave që i kam marrë nga banorët e fshatit, në varrezat e fshatit Lloçan ekzistonin disa gurë varresh të cilët populli i quan Vorret me Gurë, të cilat janë vorreza me gurë të mëdhënj, të kthyer në drejtimin jug-perendim, që janë shumë të mdhej dhe datojnë nga lashtësia e hershme. Varre të tilla të vjetra gjëndën edhe në Belle e fshatra tjera rrëzë bjeshkëve.[28] Këtu duhet cekur se pranë varrezave të vjetra, në ndonjë objekt fetar, kishë apo xhami, gjatë historisë janë mbajtur kuvende të ndryshme. Ato janë mbajtur edhe tek ndonjë krua që kishte livadh të mirë, në kulla, tek ndonjë lis i madh që ishte me shenjë, në mrize e vende të tjera. Duhet theksuar se kuvendet konsideroheshin si organe më të larta të drejtësisë popullore. E përmenda këtë fakt sepse edhe objekti në fjalë ishte objekt me shenjë dhe një kohë u përdor edhe si objekt sakral, duke kujtuar konceptin biblik të banesës për nga funksioni i saj. Në mes fshatit është edhe lapidari i dëshmorëve dhe martirëve të rënë për liri në luftën e fundit. I këtij fshati ishte edhe kaçaku në zë dhe luftëtari i dalluar kundër pushtetit turk, Zenun Stojku, i cili u vra në vitin 1912 në një betejë të madhe me ushtrinë malazeze, të cilët kishin ardhur për ta pushtuar Kosovën.

Në pjesën e poshtme të fshatit kalon Bistrica e Lloçanit, e cila buron rrëzë Gjeravicës dhe Dervish Komit, dhe bashkohet në Cep të Kurvarrës me Gurrën e Hasan Agës, të cilat burojnë rrëzë Gjeravicës. Ujërat e Bistricës së Deçanit dhe Lloçanit janë burim ekzistencial për deçanasit, dhe që moti këto ujëra janë shfrytëzuar për energji hidraulike (mullinj, vojavica etj.). Banorët e fshatit Lloçan për një kohë të gjatë janë marrë kryesisht me bujqësi, blegtori e zejtari.[29] Në një dokument të vitit 1716, të cilin e posedonte Muhamet Lani-Demukaj nga Deçani (vojvodë i Manastirit të Deçanit), i cili është botuar edhe në disa libra dhe revista shkencore të kohës, thuhet se banorët e Deçanit, Lloçanit dhe Carrabregut ishin 90% shqiptarë myslimanë dhe 10% shqiptarë ortodoksë. Në këtë dokument përmenden këta kryeshtëpiakë të fshatrave Deçan, Lloçan dhe Carrabreg: Hysein Halili, Osman Hasani, Ali Marku, Mehmet Prendi, Mehmet Kurdi, Jusuf Hasani, Mehmet Papa, Ali Davisi, Hasan Mustafa, Haxhi Mustafa, Ali Prendi, Ahmet Kola, Gjini, Ali Marku (tjetër), Hasan Menkeshi, Hysein Hasani, Jusuf Menkeshi, Mehmet Prendi, Hasan Papa, Hasan Kola, Ali Hyseini, Stanisha Miladini, Mustafa Menkeshi, Kurt Baxhi, Ali Hasani, Ibrahim Hyseini, Osman Buça, Ali Marku, Hasan Gjini, Mustafa Gjini, Ibrahim Hyseini (tjetër), Radoța Miladini, Krasjenoviqi, Radovi Jezdemije, Ismail Alia, Muhamed Vata, Hysein Vesku, Hasan Mehmedi, Iljas Papa, Buçe Marke.

Dokumenti osman i viti 1716 mbi banorët shqiptarë të Deçanit, Lloqanit dhe Carrabregut

Nga ky dokument kuptojmë se shumica e popullsisë së Deçanit, Lloçanit dhe Carrabregut ishte islamizuar deri në shek. XVII; disa prej tyre ishin islamizuar në fund të shek. XVIII, sepse etërit e tyre ishin katolikë apo skizmatikë, kurse pjesa më e vogël e tyre, që kishte mbetur në skizmë, kishte filluar të sllavizohet, më saktë të serbizohet.[30] Në disa raste pjesëtarët e fiseve shqiptare u takonin konfesioneve të ndryshme familjare, madje në disa raste njëri vëlla ishte myslimanizuar dhe tjetri e mbante edhe më tutje fenë katolike. Në fshatin Beleg kishte një rast që burri ishte bërë mysliman, ndërsa gruaja e kishte ruajtur fenë e krishterë deri sa kishte vdekur.[31] Kurse pjesëtarët e fisit të Gashit i përkasin tri religjioneve, si p.sh., në regjionin e Pejës këtë mbiemër e mbajnë familjet myslimane, katolike dhe ortodokse (Gashiq-i).[32] Sa i përket procesit të sllavizimit të shqiptarëve, ka të dhëna të shumta edhe në regjistrimet e ndryshme osmane, sidomos në ato gjatë shekullit XV e XVI, në të cilat hasen shumë njerëz me emër sllav e mbiemër shqiptar, si p.sh. në regjistrimin e Sanxhakut të Shkodrës më 1485-1582, ku në fshatin Junik të Gjakovës hasim edhe këta emra: Gjoni i biri i Lekës dhe Stefani i biri i Lekës, Bozhidari i biri i Gjonit, Damjani i biri i Nikollës dhe i vëllai Progoni me djemtë e tij të quajtur Gjon dhe Nikollë. Ky fakt, i bazuar në dokumente historike, shpjegon edhe disa emra që mund të dëgjohen edhe sot në vendbanime e familje të ndryshme shqiptare në Kosovë e përjashta saj, si p.sh. Stepanët në Junik, Bojkajt, Rajkajt në Dubovikë (Deçan), Dobrajt në Carrabreg (Deçan), Simonët e Kukajt në Voksh, Stojkajt e Ugrinët në Lloçan (Deçan) etj.[33] Me depërtimin e sunduesve serbë u vështirësua së tepërmi gjendja e popullsisë shqiptare në këtë anë. Gjatë tërë shek. XIV dhe fillimit të shek. XV, për më së 100 vjet rresht, treva e Deçanit, që u quajt “Fendi i Deçanit”, d.m.th. i kishës së Deçanit, u bë qendra autoritative dhe shpirtërore e popullit serb. Përmes konvertimit me dhunë nga feja katolike në atë ortodokse të ritit serb (pravosllav), popullsia e kësaj treve pësoi dëme e humbje shumë të mëdha në jetën shpirtërore, materiale dhe shoqërore. Asnjë serb nuk erdhi të jetojë në ato kohëra në këto anë, përveç klasës sunduese dhe klerit ortodoks pravosllav. Shumë banorë autoktonë, të gjithë shqiptarë të fesë katolike, u konvertuan në fenë ortodokse të ritit serb-pravosllav, sidomos në fshatrat Lloçan, Carrabreg, Lybeniq, Gorozhdec i sotëm etj. Dëmi më i madh në këtë drejtim ishte jo vetëm ndërrimi i fesë, por edhe ndërrimi i gjuhës, i dokeve e zakoneve të vjetra, e me to edhe ndërrimi i identitetit. Në kuadër të kësaj fushate të tjetërsimit të çdo gjëje shqiptare, Car Dushani (në Krisobulën e Deçanit që e shkroi vetë bashkë me njerëzit e tij të besueshëm) bëri edhe regjistrimin e popullsisë së këtyre anëve, që ishin 85% shqiptarë, duke ua ndryshuar emrat dhe duke i përshtatur interesave dhe projektit të tij asimilues. Aty regjistroi shumë emra, toponime e mikrotoponime, por megjithatë edhe përkundër kësaj tendence, aty dominon elementi shqiptar.[34] Të dhënat e mia, vëzhgimet në terren, të dhënat e pleqve, por edhe burimet historike dhe literatura e siguruar me kujdes, tregojnë qartë se Lloçani qysh në kohërat e vjetra e kishte fituar vëmendjen si një vend i rëndësishëm historik dhe kulturor. Prandaj edhe objekti i drurit në Lloçan (shtëpia e punuar nga druri, që u mbijetoi shekujve) kishte rëndësi historike, por ishte edhe vepër artistike. Monumenti në fjalë lidhet shumë me historikun e fshatit Lloçan, aty ku ky objekt ishte ndërtuar, sepse Lloçani ishte një vend që zinte një pozitë të rëndësishme në mesin e fshatrave të Deçanit që përmendeshin në shkrimet e vjetra të mesjetës, por edhe më vonë. Qysh në mesjetë, mjeshtrit e Deçanit që merreshin me punimin dhe gdhendjen e drurit ishin të dëgjuar në gjithë rajonin dhe më gjerë. Ata punuan shumë objekte nga druri edhe në Manastirin e Deçanit, ku disa prej tyre gjenden edhe sot e kësaj dite të ruajtura aty. Popullsia e kësaj ane deri në vitin 1950, e në disa raste edhe më tutje, janë shërbyer me enë druri si: buri që ka shërbyer për të pirë ujë, tinar që shërbente për ruajtjen e djathit, mazës dhe turshisë, sheka për kos, koritat e drurit për qumësht etj.[35] Mjeshtrit e Deçanit përmenden edhe me rastin e rindërtimit dhe të modifikimit të Kishës së Deçanit, e cila filloi të rindërtohej dhe të modifikohej aty rreth vitit 1327, mbi strukturën e një kishe iliro-dardane, që ishte ngritur shekuj më parë për banorët e Deçanit. Punimet për ndërtimin e Kishës së Deçanit kanë zgjatur 8 vjet (1327-1335). Bazuar në mjaft dokumente arkivore të shkruara të kësaj periudhe, del se mjeshtrit dhe arkitekti kryesor që e kanë ndërtuar (rikonstruktuar) Kishën e Deçanit, mbi kishën e vjetër iliro-shqiptare, ka qenë Fra Vita Kuçi.[36]

Fra Vita Kuçi, mjeshtri kryesor që e rikonstruktoi Kishën e Deçanit për nevojat e Dushanit.

Kisha e Deçanit është quajtur Kisha e Gashit. Fisi i Gashit u përket tri religjioneve, p.sh., në Pejë e gjithandej trojeve shqiptare, mbiemrin Gashi e mbajnë familjet myslimane, katolike dhe ortodokse (Gashi-q). Këtu duhet përmendur se edhe vetë priftërinjtë dhe rregulltarët kishtarë veçoheshin si ndërtimtarë dhe arkitektë të mirë. Nga kjo del se objektet e para sigurisht janë realizuar nga ata vetë. Kjo traditë vazhdon nga mesjeta e hershme dhe deri në kohërat e vona. Edhe zejet e vjetra të këtyre anëve, si përpunimi i zhgunit, mjeshtëria e përpunimit të drurit, farkëtaria, mullinjtë si dhe ndërtimtaria me gurë të latuar të mermerit, mbjellja e hardhisë dhe përpunimi i verës, janë shumë të vjetra në anët e Deçanit, të Junikut dhe të Tropojës. Kujtojmë ndër më të vjetrat kultura materiale tek ilirët, e që shumë prej tyre i ushtrojnë edhe sot e kësaj dite banorët e Deçanit.[37] Por invadimet e shumta, që kanë pasuar njëri-tjetrin, e patën kthyer Deçanin me rrethinë në një arenë ngjarjesh e betejash, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre shkatërrimtare. Këto situata i kanë dëmtuar së tepërmi dëshmitë dhe proceset historike dhe i kanë shkatërruar gjurmët e shumta arkeologjike, por edhe dokumentet e shkruara. Një dokument i rëndësishëm që tregon për gjendjen e Deçanit në kohën e mesjetës është Krisobula e Deçanit (1330), dorëshkrim në pergamenë nga Stefan Uroshi III Deçanski, por kemi edhe një varg fermanesh të sulltanëve dhe zyrtarëve të tjerë që po ashtu tregojnë për ngjarjet dhe situatat e asaj kohe për Deçanin.

Krisobula e Deçanit (1330), dokument mbretëror i Stefan Uroshit III-të  Deçanskit, që përcakton privilegjet dhe pronat e Manastirit të Deçanit.

 

Gjatë gjithë historisë Serbia bëri mjaft falsifikime të historiografisë mbi trashëgiminë fetare të Kosovës. Po të shihet zhvillimi dhe shpjegimi i së kaluarës së Kosovës dikur dhe sot, shqyrtuar përmes shikimit faktik shqiptar, qenësisht ndryshon nga falsifikimet historiografike të farkuara nga makineria propagandistike pansllave. Monumentet fetare të mesjetës, që disa prej tyre i përvetësuan serbët, gjithmonë i ruajtën vojvodët shqiptarë, të cilët gjithmonë kanë qenë pjesë e këshillit kishtar. Këtë të dhënë e vërteton edhe një fakt tjetër historik: territoret për të cilat po flasim në këtë punim, prej shekujsh dhe pa ndërprerje u banuan nga ilirët, por ishin të banuara edhe qysh nga kohërat parahistorike, për të vazhduar me një kontinuitet deri në ditët tona. Gjatë këtyre kohërave janë ruajtur disa monumente kulturore, historike dhe arkeologjike në brendësinë e Gadishullit të Ilirisë, por edhe në këto anë, si gërmadha të kishave, nekropoleve, të kalave, urave, rrugëve, varreve të vjetra, vendbanimeve siç është Kulla e Qelisë, zbukurimeve në gurë, kullave, xhamive, teqeve etj. Kohë pas kohe elementi shqiptar autokton u godit nga propaganda ekspansioniste dhe ideologjia pansllave, duke krijuar një errësirë dhe paqartësi mbi lashtësinë tonë dhe autoktoninë në trojet tona. Në shumicën e rasteve elementi serb, aty ku nuk pati sukses për të dominuar përmes propagandës së përvetësimit, objektet e ndryshme u rrënuan qëllimisht, sidomos pas vitit 1878, duke vazhduar deri në vitin 1912, vit ky kur Serbia e pushton Kosovën. Shkatërrimet e monumenteve, por edhe vrasjet masive të popullatës për ta ndryshuar strukturën demografike, vazhduan deri në vitin 1948, ku ngadalësohet procesi i hegjemonisë serbe ndaj shqiptarëve.[38] Në disa fshatra të Deçanit, në periudhën e Dushanit ishin të vendosur idhujt parahistorikë dhe kishat e hershme katolike, disa prej tyre u shkatërruan nga ushtria e Car Dushanit dhe më vonë nga pushtimi osman. Në këtë periudhë kishte ndodhur beteja e Angorës, dhe pas kësaj beteje Deçani kishte rënë prapë në sundimin e Brankoviqëve-Maru me të bijtë: Greurin, Gjurgjën (Gjergjin) dhe Lazarin, të cilët deri me vdekjen (rënien) e Lazareviqëve më 1404 kanë zhvilluar me ta luftëra qytetare. Në këtë kohë shumica e popullit shqiptar-autokton të Deçanit me rrethinë i përkisnin fesë katolike të ritit romak, ose fesë ortodokse të ritit grek e bizantin dhe ekzistonte një përplasje e madhe me konceptin fetar të ritit pravosllav serb. Edhe përkundër dhunës së madhe të ushtruar nga elementi pansllav serb për ta mbështetur konceptin fetar të tyre, në asnjë mënyrë nuk u përkrah nga popullsia autoktone shqiptare e Deçanit. Në këtë kontekst, nga elementi sllav u shkatërruan shumë tempuj, kisha e vende të tjera me rëndësi nga ushtria serbe gjatë gjithë shekujve. Objekti në fjalë ishte objekt përfaqësues me karakter historik, etnografik dhe kulturor. Ky objekt me rëndësi të madhe ishte i vendosur në një vend me rëndësi në mes të fshatit, sepse kishte vlera shpirtërore për banorët e kësaj ane. Kjo ishte edhe arsyeja pse u shkatërrua nga soldateska serbo-sllave.

[1] Faton B. Mehmetaj, Deçani nëpër shekuj – Promovimi i trashëgimisë kulturore, Prishtinë, 2020.

[2] Faton B. Mehmetaj, Deçani nëpër shekuj – Promovimi i trashëgimisë kulturore, Prishtinë, 2020.

[3] Faton Mehmetaj, Belleja, Monografi, Prishtinë, 2022.

[4] Dr. Selim Daci, Feudi i Manastirit të Deçanit, Buletini i Fakultetit Filozofik, XXII/1992, Prishtinë, 1994, fq. 136.

[5] Dr. Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës 11 – Peja e Deçanit, Prishtinë, 2004, Deçan, f. 231.

[6] Dr. Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës 11 – Peja e Deçanit, Prishtinë, 2004, Deçan, f. 231.

[7] A. Boue, La Turquie d’Europe, Vëll. IV, Paris, 1840, f. 427-428. Krahaso, St. Novakoviq, Stefan Dushana, Beograd, 1898, f. 153-154. (Cit sipas Pëllumb Xhufit, po aty); Monografia Deçani, vep. e cit., f.

[8] Dr. Skënder Rizaj, Një dokument i fillimit të shek. XVIII mbi kufizimin e Bjeshkës së Deçanit dhe mbi popullsinë e Deçanit, Lloçanit dhe Carrabregut, Vjetari i Arkivit të Kosovës. Këtu shihet se në fillim të shek. XVIII këto fshatra gjendeshin në kuadër të administrimit të kazasë së Gjakovës me Altun-Ilin. Këtë dokument zyrtar e nënshkruan kadiu i kazasë së Gjakovës me Altun-Ilin, nga dëshmitarët: shehlerët, hatibët (predikuesit e fesë islame), muhziri (lajmëtari i gjyqit) dhe nga të pranishmit e tjerë.

[9] Faton Mehmetaj, Kisha e Deçanit, monument i rëndësishëm i kulturës Iliro-Arbërore, i përvetsuar më forcë nga kultura serbe, fejton në 7 vazhdime, botoi “Epoka e Re”, 2011.

[10] Selami Pulaha, Mbi praninë e shqiptarëve në Kosovë gjatë shekujve XIV-XVII, “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi”, botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1990.

[11] Faton Mehmetaj – Fetnete Ramosaj, Deçani (Monografi)

[12] Faton B. Mehmetaj, Deçani nëpër shekuj – Promovimi i trashëgimisë kulturore, Prishtinë, 2020.

[13] Faton Mehmetaj – Fetnete Ramosaj, Deçani (Monografi), botuar nga “Zgjimi”, Deçan, nëntor 1997.

[14] Faton B. Mehmetaj, Deçani nëpër shekuj – Promovimi i trashëgimisë kulturore, Prishtinë, 2020.

[15] Dragan Qukiq, Kosova: Monumentet dhe bukuritë, Prishtinë, 1971, f. 139.

[16] M. Shakota, Dečanska riznica, f. 284.

[17] M. Shakota, Dečanska riznica, f. 284.

[18] Nga hulumtimet dhe vëzhgimet e mia të kohëpaskohshme në terrenet e Deçanit me rrethinë, mund të konstatojmë se Nestori ishte plak i mençur dhe i dëgjuar i këtyre anëve, banor i fshatit Belleja, që ka punuar një kohë të gjatë në kishën e Shën Nikollës në Ogorioç-Gorioç të Bellesë.

[19] Për ndërtimtari, por edhe për përdorim të zakonshëm drurin e kanë prerë në kohën kur është hëna e plotë – e vjetër, në muajin shkurt, mars ose disa muaj më vonë – tetor, nëntor.

[20] M. Shakota, Krst stranca Nestora, Saopštenja VIV, Beograd, 1982, 51-61.

[21] Ma. Sc. Bekim Vishaj, Trashëgimia Historike  dhe Etno-Kulturore e Deçanit, Prishtinë, 2014

[22] Faton B. Mehmetaj, Deçani nëpër shekuj – Promovimi i trashëgimisë kulturore, Prishtinë, 2020.

[23] Faton B. Mehmetaj, Deçani nëpër shekuj – Promovimi i trashëgimisë kulturore, Prishtinë, 2020.

[24] Faton B. Mehmetaj, Deçani nëpër shekuj – Promovimi i trashëgimisë kulturore, Prishtinë, 2020.

[25] Muharrem Carabregu, Gjeografia Historike e Shqipërisë, (Kosova-Çamëria Dardania-Epiri) Tradita e ndërtimtarisë prej guri, Ndërtimet e Justinianit të Madh, f. 23, Deformizmi në historiografi, falsifikimet historiografike të shek..19-të. Kontribut Gjeografisë Historike të Kosovës nga Muharrem Carrabregu, New York, N.Y.1996

[26] Faton B. Mehmetaj, Deçani nëpër shekuj – Promovimi i trashëgimisë kulturore, Prishtinë, 2020.

[27] Faton Mehmetaj – Fetnete Ramosaj, Deçani, monografi, botoi “Zgjimi” – Deçan, nëntor 1997,

[28] Intervistë e Asim Cenaj zyrtar komunal në Deçan dhe banor i fshatit Lloçan, dhënë autorit me 12.04.2026

[29] Faton Mehmetaj – Fetnete Ramosaj, Deçani, monografi, botoi “Zgjimi” – Deçan, nëntor 1997.

[30] Vjetar, XXIX-XXX, Prishtinë 2003, f. 224-225.

[31] Faton Mehmetaj, Një vëzhgim rreth konceptit të termit gjeografik “Gadishulli Ilirik” dhe popullsia e këtij gadishulli në kohën antike, fejton në 9 vazhdime, botuar në “Epoka e Re” 25.5.2014

[32] Skënder Gashi, Prania e etnosit shqiptar, Onomastika e Kosovës

[33] Faton Mehmetaj – Fetnete Ramosaj, Deçani, monografi, botoi “Zgjimi” – Deçan, nëntor 1997

[34] Faton Mehmetaj Vëzhgim Geografiko-historik e gjuhësor për Bjeshkët e Nemuna, fejton në 10 vazhdime, botoi “Epoka e Re” 1 korrik 2014.

[35] Faton Mehmetaj – Fetnete Ramosaj, Deçani, monografi, botoi “Zgjimi” – Deçan, nëntor 1997

[36] Faton B. Mehmetaj, Deçani nëpër shekuj – Promovimi i trashëgimisë kulturore, Prishtinë, 2020.

[37] Faton Mehmetaj, Një vëzhgim rreth konceptit të termit gjeografik “Gadishulli Ilirik” dhe popullsia e këtij gadishulli në kohën antike, fejton në 9 vazhdime, botuar në “Epoka e Re” 25.5.2014.

[38] Fetnete M. Ramosaj, “Kundër Harresës-Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, Prishtinë, 2019

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Qëndresa heroike e Tahir Nebih Mehës dhe Nebih Emin Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981

Ahmet Qeriqi: Qëndresa titanike e Tahir e Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, ishte riciklim i historisë së rezistencës

Qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, …