Kadri Rexha: Poetët nuk vdesin

(Homazh për Teki Dervishin)

Ishin ato netët e gjata të Jusufit me shokë, një copë qielli atdheu me yje që digjen zjarr, tashti diku një botë fort e largët edhe e dashur si kujtimi: pritje e takime të ngrohta miqësh të helmuar me fjalë herezie, gota të mbushura mall dehës e brenga të kohës që hapin plagë, shekuj agonie në rrugën e zgjimit të një lumi të ri, pikëllim varrezash pa shenjë e pa nishan, ilaçe shëruese dhe shpresë të sëmuarish nga dashuria, fytyra të vuajtura e të stolisura me vulën e fatit të prerë perendishë, figura surealiste tymi të duhanit harlisur në dhomën e gëlqerosur si për festë, biseda të gjata që sosën me fjalë për më të dashurit, për tokën, për muzikën, letërsinë, pikturën, filmin… 
Fjalët e Tekiut prekin si puhizë buzëmbrëmjeje netësh erëmira verore, si lëngë i ëmbël barishtesh në lulëzim, si dënesë fëmije në përmallim, si frymëmarrje deti të shqetësuar në stuhi, avull toke në zgjimin e hershëm të stinës, meteor që lë pas dritën, imazh që shihet e ndjehet vetëm me fuqi zemre djalërie, diçka ngjajshëm me ëndërren ogurmirë që shfaqet beft e të lë pa gjumë. 
Ashtu në heshtje, ashtu pa fjalë e pëshpërimë, janë hullitë e thella të ballit të Tekiut që dëshmojnë brengat, vuajtja dhe vetmia e tij e pakund shoqe që flasin për birin e dëvotshëm të një populli të pushtuar, argat i zellshëm në tokën e shkelur të të parëve, poet i qëndresës që në bakat e shkollës, shpirt i lirë kryengritësi kundër pushtuesit shekullor, ushtar i orëve të para në Lëvizjen e Adem Demaçit për liri e bashkim kombëtar, i burgosr politik i pathyer në ferrin serb të quajtur Goli Otok, i dënuar me internim e përcjellje hafijesh-hije me sy prej zymrydi, i i leçitur dhe i braktisur nga rrethi injorant dhe shoqëria e sëmurë, me dekada gjysmëilegal te prindët, te shokët, te botimi i shkrimit. Mbi supe mbante përvojën e jetës së tij prej romani, besën Konstantinit dhe frymën e ringjalljes baladike, qëndresën promethejane dhe ushtrimin e heshtjes që flet, veprimin për lirinë e munguar dhe shpresën për ditët e bardha që do të vijnë… 
Vdekja e parakohëshme e tij ma kujtoj folenë e dikurshme të netëve tona të gjata, atë nënqiell me re të shtresuara e riga të buta lotësh. Nga larg, si në vegim, ende e shoh Jusufin me kitar në prehër, me vështrimin e tretur atje ku nuk kishim qenë kurrë, diku në botën e lirisë së krijuar, duke na dhënë zemër, duke na forcuar me këngë, me fjalët e Tekiut, me porosinë shëruese të mikut të tij të madh: „secili zog këngëtar e ka qiellin e vet, o zog i trembur, zog i trembur… të kthjelltë dhe të paskaj… në retë e ftofta që dynden, në sqota të shqetësuara… lartësinë tënde do ta gjesh, o zog i trembur, zog i trembur…!“ 
   Dhe, sot, kur kambanat e përmortshme nuk po bien në shënjë zie e pikëllimi kombëtar dhe kur palët e flamurit kuqezi nuk po lëshohen të pikëlluara në gjysmë shtizë për vdekjen e të papërsëritshmit Poet, në çastin kur trupi i Kolosit të Kombit po i kthehet baltës së tokës nënë, padashur më vijnë ndërmend vargjet profetike të poezisë “Vdekja e Poetit”, që Tekiu, për së gjalli, si epitaf, i skaliti në faqe libri dhe në gurin e kujtimit të tij të përjetshëm: 

Tue e përcjellë loti i nxehtë ka me na kallë
Shpirtit të tij drita nuk i soset kah terri i vetë 
E ata që e vranë pendimi nuk do t’i vret
E di poetët nuk vdesin n’vorr i fusin të gjallë

Promethe nuk ishte e veten në kryq e pat gozhdu’
Ai i paguan sot të gjitha me këto tufa lule e lotësh
Nuk i duhen as epitafet e poetëve si kurorë motesh
I gjallë s’i pat e i vdekur kangë s’kam me i shkru’ 

Asnjëherë nuk ka ardhë ajo që ka ditë me shku’ 
E atij me dhunë ia vodhen çdo qëllim në jetë
E lanë si qiriun vetën tue e djegë e tretë
Për ta madhu’ pas vdekjes nevojë nuk ka 
Shpirtin e tij ia fali flakës së ferrit

Esteti shkruan: ai ngjyrë të zezë i dha jetës
Pse a s’ka muejt atëbotë disi me u ngushllue
Si të tjerët të shkruej që lak i bënë të vërtetës

Shumë kanë me vdekë e të nesërmen me u harru’
Për ne kjo s’ka me qenë dhimbë që lot na falë
Por ai e mposhti dhimbën që s’pushon veç me gjak
I humbur në jetë ai pat etje pak
Se koha shkel e shkel lule e s’din me u ndalë

   O ironi, është e tepërt të thuhet, Tekiu po e përjeton fatin i poetëve të kombit, fatin i gjenive të njerëzimit: injorimin meskin të bashkëkohësve..! 
Të madhit Teki i qoftë dheu i lehtë! 
Qenia e tij rron përjetshëm: me fjalën, me veprën…


                   ***

Teki Dervishi:

BILARDO NË FUND TË VERËS

Kur të mbarojnë sivjet pushimet verore
do të kthehemi në shtëpinë e bombarduar
streha shi vjeshte, faqja e nusës – lot
me borë do të mbulohet plisi i bjeshkës
baltë në rrugë. Në shtrat kashta e dimrit
kah mund të kthehen ata që i presim kot?

Vjen kartpostalja. Luftë, s’pushon diplomacia
Në’plazhet e Tenerifës, në’klubet e natës në’Nicë
Luan bilardo përfaqësia e Bashkësisë Evropiane
Në Kosovë verës piqen frutat, digjen grunajat
Vritën fëmijët, helmohen puset, plagoset hëna
Që bën dritë shtigjeve kah bredhin rrefugjatë.

Një mijë vjet dimër këndej kah fryen jugu erë
Që shkrin borë. Por kurrë Pranverë, o Zot
Robët e Babilionit, Rrugës së Shën Albanit
Kah Veriu i Thellë, si s’u shpirtëzuan njëherë.

Kur t’mbarojnë sivjet pushimet verore
A do të bjerë zilja e parë në shkollë? Në Botë
Është një vend ku fëmijë sa je bëhesh zog shtegtar
Lejlekë të verdhë të Jusufit kthehen gjithmonë
Kush nuk ka kulm mbi kokë e prag nën këmbë
Do të kuptojnë se Udhës e kishte emrin Odiseu
Djep lehonash të vrara Rrugët e Atdheut tonë.


Kur të mbarojnë sivjet pushimet verore
do të kthehemi në shtëpinë e bombarduar
streha shi vjeshte, faqja e nusës – lot
me borë do të mbulohet plisi i bjeshkës
baltë në rrugë. Në shtrat kashta e dimrit
kah mund të kthehen ata që i presim kot?
 


Jusuf Gërvalla:

TASH PO NISEMI

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
e të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi. U bë vonë. Edhe ylli i fundit
ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
si palaço të punojë
në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbetë ai diell i zjarrtë
– që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat mbi shëndetin
dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
– të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
në mesin tonë ka të sëmurë që lëngojnë
prej fjalësh të pathëna
dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
në pritjen e vet
rrugicat e përgjumura ritimin e mugun e dritareve
të fikura e derdhin kot
si një pikë det
jemi si yje
në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
me duart e mia
dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …