Kadri Rexha: POEZI KUSHTUAR JUSUF GËRVALLËS

Këto poezi, të botuara në vitin 1980 dhe 1981, në kohën kur Jusuf Gërvalla vepronte në mesin e mërgimtarëve shqiptarë,  ribotohen të përgatitura nga Radio – Kosova e lirë me rastin e 65-vjetorit të lindjes së Poetit dhe Atdhetarit tonë të pavdekshëm.


 


 


 


 


SI TA ZË VARGUN


 


Tash je më afër


Nuk përfton vetëm netëve të vona


Shpirtkandil farfuritës


I ngrohtë mbi të gjithë


Fluid në shtëpinë time të ngushtë


Dorë e zellshme mes lulesh të verdha


Ta shoh në buzë shpërthimin e pranverës


Në stinën e bardhë


 


Asnjë natë pa ty


Nuk pushon të heshtë me bubullimë


Asnjë çati për be s’e rrëzuan rrufetë


Je jugë e bardhë. Je tambël mbi zjarr


Lejlek i oxhakut tim


Nuk beson.Ti e paske ditur si lind si perëndon


Stina. Si ringjallet njeriu


 


Si ta zë fjalën. Përfytyrimin


E netëve të gjata. Bisedat për të dashurit


Shtegtimin tim në ngazëllimin tënd të çiltër


Për  “duartrokitjet që vijnë nga rreshtat e fundit”


Vargu i parë i poezisë që do të shkruhet


Lisi më blerosh i bjeshkës


 


Të vrau fjala e fundit


Uji që nuk ecën. Bërraka


Fluturimi yt është fillim i ri që premton


Po të sheh në ëndërr zabeli


Kroi i etheve. Maja e Strellcit


Në fantazinë e fëmijës je trimi i këngës


Në shqetësimin tënd më së paku ka vend droja


 


                        “Fjala”, qershor 1980


 


 


 


 


ZGJIM GJAKU


 


Kudo që të kërkoj të gjejë kudo


Në fjalë në lule në kullë në mal


Muret janë rrënuar mes njerëzish


Sikur fati prore ngel mbi prag


Të shtëpisë as i rëndë as transparent


E mban mend fundin e vjeshtës së vonë


Dita që solli shiun s’ish veç zgjimi im


Bërraka s’u përmend më beso


Në plepat e kopshtit flenë zogj


Në lumin e fushës rrjedh ujë i ri


 


                  “Bota e re”, maj 1981


 


 


 


KËTU MES NESH


 


Në ngarendjet stinëve


Plot zgjim të blertë fushe


Të shoh të dëlirë


 


Ja këtu mes nesh


S’janë prerë flokët e kitarës


S’janë tharë lulet në verandë


S’është vrarë mendimi i pjekur


Në kujtesë


 


Të prek me këto duar


Ty. Shtegëtimin e parandjerë


Lumin e turbullt që le pas


Dhe shtegun  e malit


që puqet me retë


e shqetësimit


 


De prap pyes


Përse kroi kundërmon erëmali


 


                            „Zëri i rinisë“, 1981


 


 


 


 


FJALË E BLERTË BJESHKE


 


S’di në flenë trarët shthurur


Apo tenja bren prajshëm


Një zë më ngroh një zë më këndell


Je ora më e zgjar e fushës


Je fjala më e blertë e bjeshkës


Më kot s’i ferron ditët në këtë stinë


Tek fara lëshon rrënjë në rudinë


Të kam parë me Lajmëtar në dorë


Si më fëmijën në kopsht të kam parë


Është  ajo vapë vere në dejt e shtatit


Është bulzë e re në manin mjekërrbardhë


 


                                “Zëri i rinisë”, 1981


 


 


 


BOTË DIELLI


 


Besdisjet tua u krahasuan me frymëmarrjen e detit


Me ujëvarat me uraganet me fjalët e të urtëve


Ëndërrimet tua s’u mbërthyen. Kah s’flutuaruam


Në kulla ballë oxhaku në lartësi bjeshke me sqotë


Mengjeseve të paqarta përherë krijuam botën tonë


Prej dielli, prej dashurisë së nënës, prej rënkimi


Në luzmë ninulash  liqeni  gufon me zë barishtesh


Si çdo nismë e re  fryme  visesh  të lëna në harrim


Në krahët e nadjeve të lagura në stinën që fillon


Prarohesh në dritë lëshon shtat në ujë rritesh në zjarr


Kush nuk i do kaltritë tokën e bukës lisat malet


Kujt s’ia ka ënda t’i bëhët vëlla këngëtarit trim


Mos vallë na pëlqen vetëm të flemë e të ëndërrojmë


 


                                     “Bota e re”, maj 1981


 


 


KANDIL I PASHUAR


 


më prek me gjuhë dielli me sy fosfori më sheh


tek qëndroj pip në këmbë si para ushtarit të rryer


që bie në log të mejdanit për nder e prag të atdheut


loti e paska amën në gurrën e bardhë në qiell në det


çudi frutet pikojnë nën pemë e lisat bien vetëm  mbi tokë


në çastin që unë rri këtu e prehem në heshtjen tënde


im vëlla qet pushkë prej fjalësh e pi kafen e mesnatës


ti di gjithçka je dëshmitari më i saktë i vetmisë


sekretin tënd me gjithë qejf do ta mësonin gjahtarët


dhe si murtajë do të gjesdisnin dyerve të botës


e ke parë ylberin e ditës në shishe e nuk ke bëza


peshk akuariumi para fjalëve valë para pezmit të çastit


mbi supin tënd kurrë shtresë pluhuri as merimange


kundërmon nikotinë dhe ëmbëlsirë të gatuar për festë


më së shumti ke dëgjuar balada për ndarjet për pritjet


ndaj ke etje për dritë siç ka shtëpia për zëra fëmijësh


në kokën tënde të bilurtë betohen miq e të dashur


në flatrat tuaja të zjarrta dashuria merr kuptim amshimi


në rite të prekshme motmotesh e mban vetën burrë


me ty do të pinin gjakun yjet dhe do të bëhëshin vëllazër


 


                                             “Rilindja”, 22 mars 1994


 


 


LAJMËTAR NADJESH


 


Kënga jote


S’do t’i zgjojë kurrë më


Ata që i zgjove një herë


Lajmëtar nadjesh


Ti që këndon vetëm një avaz


Parmbrëmë mbrëmë dhe sonte


Kërkojmë pemën që kërkon edhe ti


Dhe të gjithë ata që ikën


Për t’u bërë drita jonë


Tashti flenë nën bli


Në zabel mes shavarit


Vetëm mbrëmjeve të festave kthehen


Mes nesh hyjnë të çiltërt


Me frymën e sharkisë ngjallën


E kalurojnë


 


                     “Bota e re”, maj 1981


 


 


 


 


ORË QË ZGJON


 


sa herë të na zgjojë fryma e këngës tënde betohemi


në bukën e valë në lëngun e njelmtë të urës së fshajtë


lidhet besa në kuvende armët ngjeshën në supe


në netët me yje në ditët pa diell bashkohemi sërish


unë ti dhe ai që aq shumë i kënduam dritës


fjala jote është zgjim edhe erë edhe këngë bilbili


zgjimi yt bekimi më i saktë mbi frute ardhmërie


është kjo dorë miku gufim stine apo mrekulli


deri më sot askush nuk e tha këtu as atje lartë në yje


por secili nga ne beson se ecën me orë të mbarë


se në fisin tim të vogël në trungun tim të lashtë


urtisë tënde të çiltër i besojmë si diellit


në trokun tënd nam madh koha s’fjeti kurrë


ritmi yt hyjnorë prore në krah me ndërrimin


këndell stinë të verdha premton ditë të re


 


                                                1981


 


 


 


KULLË MERMERI


 


Kujtimi për ty dhe kënga për namin tënd


Nëpër dimensione kohe u vesh me të blertë


Këtu në poret e nënës tokë dhe në shpirt


Që nga lashtësia bëjmë dashuri me shirat


Me mjegullat e vjeshtës me ritimin e kasolles


Vetëm balli qëndroi lartë kështjellë mermeri


Të ushqyem me zjarr të praruam me legjenda


U dogjëm u bëmë shpuzë për emër për tokë


Shpresa kjo grua fisnike kurrë nuk na braktisi


Sa herë u nisëm në pritje të vjeshtës së tretë


Siç presim rrezen e parë në pjergull mbi derë


Si puthjen e ëmbël të nënës në ditëlindjen tonë


Në zgorin tënd të bruztë lind ëndrra prej fjalësh


Prej lëngut të këngëve për bukën prej klorofili


Ndaj të gjithë kështu të dehur e fillojmë ditën


Me porosinë e rapsodit me këngën e tij në gojë


Të gjallët flenë si toka në stinën e butë të barit


Si fusha si pyjet si lumenjtë në pranverë


 


                                 “Bota e re”, maj 1981


 


 


 


 


KUR TË TAKOHEMI SËRISH


 


do të bisedojmë për miq e të dashur


im at s’do të flasë më me gjuhën e shënjave


bari do të gufojë shthurur fieri do të rritet mal


nën çatinë prej bese stina do të ketë pemë


murana e rrethuar qetë do të flë nën bli


nata do të ketë yje dita do të ketë diell


gajzeri i pezmit do të thahet në rrënjë


ecja pas prijësit më s’do të jetë mashtrim


apo do të agojë nesër prapë diçka si dje


 


                                “Zëri i rinisë”, dhjetor  1981

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …