Kadri Rexha

Kadri Rexha: ROMANI “UDHËKRYQI” – NJË DOKUMENT TRONDITËS LETRAR

(Botohet me rastin e ndarjes së Çmimit “Esad Mekuli”, 2019, nga LSHK, veprimtarit dhe shkrimtarit, Ramadan Rexhepi)

Ramadan Rexhepi, pjesëtar i plejadës së shkrimtarëve të rinj të Kosovës së fundviteve të pesëdhjeta e këndej, të atyre që premtonin më së shumti, me romanin “Udhëkryqi” po i kthehet sërish lexuesit të vet. Botimi pas afro tri dekadash i romanit në fjalë flet qartë për fatin tragjik të veprës, të autorit të saj dhe të popullit tonë në robëri. Në anën tjetër, dritësimi i këtij romani është edhe një fakt dëshmie se biri besnik i popullit, kudo që të gjendet dhe në rrethana sado të rënda që të ndodhet, mund të gjejë forma dhe mënyra që ta japë kontributin e tij, qoftë ai edhe modest, karshi një lëmi të caktuar apo karshi atdheut përgjithësisht. Ndonëse këtë roman lexuesi e merr në dorë nga larg, nga mërgimi i hidhur, dhe me një vonesë të konsideruar kohore, këto rrethana nuk mund t’i bëhen prag që veprën ta përjetojë si borxh të kahmotshëm të autorit ndaj tij dhe ndaj vendlindjes së vet dhe, në të njëjtën kohë, nga ai me plot të drejtë të pret vepra të reja dhe të frymëzuara.

Pa hyrë në interpretimin e mirëfilltë të tij, që në fillim e shohim të udhës të theksojmë se romani “Udhëkryqi”, para se gjithash, është një dokument letrar tronditës i kohës për të cilën flet, është një kronikë rrëqethëse letrare mbi dhunën dhe kundërdhunën në një mjedis të caktuar, në rastin konkret mbi dhunën e pushtetit të Beogradit të zbatuar në jetë përmes Seksionit U (UDB-a) dhe mbi kundërvënien që kësaj dhune i bëhet nga populli shqiptar.

Lënda e këtij romani vlon nga një kompleks i tërë temash dhe vetjesh. Me të gjitha elementet e tragjedisë dhe të komedisë ky roman sikur e merr kuptimin e një drame madhore aktet e së cilës vetëm sa kanë filluar të shkruhen. Subjekti i romanit lëvizë nëpërmjet ndjenjave, përjetimeve, pasioneve, detyrave dhe ambicieve më të skajshme, siç janë: dashuria dhe urrejtja, gëzimi dhe pikëllimi, qetësia dhe shqetësimi, urimi dhe mallkimi, dasma dhe vdekja, shpresa dhe zhgënjimi, realiteti dhe imagjinata, qeshja dhe vaji. Me frymëzim të veçantë autori i trajton këto dhe plagët e hapura të realitetit të rëndë kosovar me të gjitha kundërthëniet që lindin prej tyre. Varfëria, shfrytëzimi, shtypja, dhuna, terrori, shpërngulja me dhunë nga vatrat shekullore e afrojnë popullin, zgjojnë tek ai vetëdijen e bashkimit… Prandaj, edhe fillimet e unitetit në radhët e rezistencës së organizuar popullore kundër okupatorit, si dhe protesta e hapur popullore që mbetet të parakuptohet si horizont i hapur, si perspektivë, në roman vrujojnë fare natyrshëm si thirrje e kohës dhe si rrjedhë tejet normale e ngjarjeve.

I realizuar sipas arketipave të letërsisë gojore, me një leksik të pasur, me një narracion asociativ, me një kolorit të theksuar lokal, me një lirizëm të hollë, romani “Udhëkryqi” është transponim poetik i mbarë realitetit kosovar. Konfliktet shoqërore, familjare dhe ato zakonore, që e karakterizojnë këtë realitet, me sukses të lakmueshëm autori arrin t’i ngritë në kundërthënie të ashpra, në luftëra të pa kompromis. Kësisoj, edhe mozaiku i shqetësuar i këtij romani i merr përmasat e një bote që është në lëvizje të vazhdueshme, në lëvizje të pandërprerë. Lëvizë natyra, lëvizin individët, lëvizin masat… Në roman është evidente sidomos lufta në mes të dy botëve të pa pajtuara, antagoniste. Bota në degradim, e destinuar për rënie të turpshme, përfaqësohet nga Seksioni U, si instrument i pushtetit gjakatar, ndërsa bota e shëndetshme, e destinuar për ngadhënjim të lavdishëm, përfaqësohet nga masat e gjëra popullore që rezistojnë dhe luftojnë për ekzistencë, për dinjitet, për liri. Autori këtu e riaktualizon idenë e mirënjohur se për ta fituar dhe për ta gëzuar lirinë është i denjë vetëm ai popull që qëndron i paepur në të drejtën e idealeve kombëtare dhe atyre gjithënjerëzore, vetëm ai popull që guxon të ngrihet në luftë të pa kompromis kundër armikut sado i fuqishëm që të jetë ai, vetëm ai popull që është i gatshëm për çdo sakrificë deri edhe në flijim.

Duke e përfunduar këtë parathënie të shkurtër, lirisht mund të themi se romani “Udhëkryqi” është një klithmë, një britmë, një akuzë kundër dhunës, kundër gjenocidit, kundër robërisë. Në anën tjetër, ky roman është një përmendore e ngritur me përkushtim në kujtim të vuajtjeve, të përpjekjeve dhe të flijimit të një populli kundër një realiteti fantazmë të ngritur mbi themelet e tradhtisë dhe mbi detin e gjakut.

Altstätten, 1990

Shënim: Ky shkrim ka hyrë si parathënie e romanit “Udhëkryqi” , të cilin e kam pasur për redaktim. Deri me sot nuk kam njohuri lidhur me botimin e atij dorëshkrimi.

—–

Nga libri: Kadri Rexha, Pikëtakime letrare, RKL, Prishtinë, 2013, fq. 79-81

Kontrolloni gjithashtu

Blerim Metaj: SHQIPËRIA

Blerim Metaj: SHQIPËRIA

Ty Shqipëri ta puthi ballin, T’i njoh plagët e ta di hallin, T’i njoh dhimbjet …