Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar shtetet anëtare që përdorin mekanizmin e vetos për të penguar politikat e përbashkëta të bllokut, duke theksuar se një praktikë e tillë po dëmton funksionimin dhe reagimin e BE-së, veçanërisht në raport me çështjet e sigurisë dhe politikës ndaj Rusisë. Duke folur për sfidat e vendimmarrjes në BE, Kallas ka theksuar se parimi i unanimitetit shpesh e ngadalëson reagimin e Unionit në momente kyçe, ndërsa disa shtete e përdorin veton si instrument presioni politik. “Shtetet anëtare kanë dallime politike, gjë që është e natyrshme. Por nuk mund të lejohet që vetoja e një vendi të përcaktojë politikat për të gjithë të tjerët”, ka deklaruar ajo. Sipas mediave ndërkombëtare, deklaratat e Kallas konsiderohen si një kritikë e tërthortë ndaj kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán, i cili ka kundërshtuar në disa raste vendimet e BE-së lidhur me Rusinë. Në të njëjtën kohë, Kallas ka bërë thirrje për forcimin e rolit evropian brenda NATO-s, duke theksuar se aleanca duhet të bëhet më funksionale përmes angazhimit më të madh të vendeve evropiane. “NATO duhet të forcohet përmes një dimensioni më evropian. Evropa duhet të veprojë më shumë për të siguruar që iniciativat e saj në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes të jenë plotësuese dhe në përputhje me NATO-n, ka shtuar ajo.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
