Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, ka nisur sot vizitën e saj zyrtare në Ballkanin Perëndimor, duke e filluar nga Beogradi. Kjo është vizita e saj e dytë në rajon që prej marrjes së detyrës si kryediplomate e BE-së. Sipas komunikatës së Bashkimit Evropian, Kallas në Serbi do të takohet me Presidentin Aleksandar Vuçiç, Kryeministrin Đuro Macut, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë. Pas Serbisë, Kallas do të qëndrojë në Kosovë, ku nesër do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile. Vizita e saj përkon me një periudhë të ndërlikuar politike në Kosovë, ku procesi i konstituimit të Kuvendit ka dështuar për të 19-ën herë radhazi. Pritet që Kallas të përcjellë mesazhe për dialog, stabilitet dhe përkushtim ndaj reformave. Në Kosovë, Kallas gjithashtu do të vizitojë misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, dhe do të zhvillojë një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Enrico Barduani. Konferenca e saj për shtyp do të mbahet më 22 maj në ora 15:45 në Shtëpinë e Evropës, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën EBS.
