Kamber Cano: Një datë historike dhe tri poezi për Çamërinë

Më 12 mars  të vitit 1942, pas shumë vitesh nën robëri, çamët ngritën flamurin kuq e zi, në Pargë

Në fillim të vitit 1942 situata për krahinën e Çamërisë ishte me të vërtet dramatike. Kjo për arsyen se politika shoviniste greke vazhdonte të këmbëngulte fort sa çamët ishin shtetas turk ndaj duhet të shkonin në Turqi dhe të shkëmbeheshin me banorët me besim ortodoks nga Azia e Vogël. Nga ana tjetër pushtuesit fashist italianë kërkonin që banorët e Çamërisë të bashkëpunonin me ta për të luftuar kundra Greqisë, pra t’i përdorte si mish për top.

Ndaj shqiptarët e krahinës së Çamërisë vendosën t’i dalin zot vatanit të tyre dhe organizuan në qytetin e Pargës ngritjen e flamurit kuq e zi shqiptar. Në datën 12 Mars 1942 popullsia çame iu përgjigj thirrjes së organizatorëve, patriotëve çam dhe u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit rreth 1,000 vetë,si përfaqësues të viseve çame.

Tubimi filloi rreth orës 9 – 9 e 30 minuta. Tubimin e hapi Haxhi Sejko nga Filati , i cili kish ardhur me 300 çamë të Filatit. Në fjalën e tij, pasi përmendi masakrat që kishin bërë shovinistët grek kundër popullsisë së pafajshme çame që nga viti 1913 e deri më vitin 1942, citoi fort rëndësinë e ngritjes së flamurit shqiptar si një domosdoshmëri për ti treguar grekëve, italianëve dhe gjithë fuqive të mëdha se Çamëria ishte Shqipëri.

Një ndodhi tepër domethënëse ishte ndërprerja e fjalës së z. Haxhi Sejko nga një çam i Arpicës, i quajtur Isa Idrizi cili mori në duar flamurin dhe i lotuar e puthi disa herë, duke thënë: “Rrofsh o flamur shqiptar edhe 1000 vjet mbas kiametit”. Në atë  tubim ceremonial para 74 vitesh  ishin pjesëmarrës midis shumë përfaqësues të zonës së Çamërisë, edhe përfaqësuesit nga fshati Arpica.

 Amaneti i nënës

 (Këtë poezi ua dedikoj me dhimbje e respekt gjithë nënave  e baballarëve tanë çam, që ashtu si nëna  ime që nuk mundën ta shihnin më Çamërinë)

Biri im.

Sa herë të kthehesh nga Çamëria

eja te varri im.

Edhe në më ka zënë gjumi,

të bëj rixha të më zgjosh.

Dua,

gjithçka të më tregosh.

Ç’bën Çamëria?

Buzëqesh

a ende lotët nuk janë tharë?

Si janë njerëzit,

ullinjtë?

deti,

shtëpitë,

retë.

Deri sa ajo tokë të jetë e ndarë.

nuk jam e qetë.

Kur të vijë dita e shënuar që Çamëria do jetë jona,

shko te shtëpia e vjetër.

Në sepete

do gjesh dullaman

e shaminë e kokës,

qëndisur në ar.

Meri me vete.

Dua të vishem nuse ate dite,me kostum shqiptar.

I thuaj edhe tyt eti

të vishet dhëndër.

Kam një jetë që e shoh këtë ëndër.

Dua te shoh Çamërinë të qeshur,

të gëzuar,

të ëmbël,

të lirë

……është i vetmi amanet që kam

o bir,

Jam i zoti i shtëpisë

Kam hapur dritaren e hotelit dhe shoh agimin që po zbardh mbi fshat.

Poshtë e kaltra e detit.

Lart, blu e qiellit.

Duket një bukuri e artë.

E njoh këtë bukuri,

edhe pse kurrë s’e kam parë më parë.

Një peisazh,

që tërë jetën pran zemrës e kam mbajt.

Ma ka pikturuar nëna.

Me zemër,

fjalë ,

lot

e mall.

Oh,është e kot , që ende në hotel të qëndroj.

Po zbres mes çamëve të pi një kafe të ngrohtë.

Aty ka jetë,

Po mbyll dritaren e hotelit

dhe po shkoj të hap portat e Arpicës,

fshatit më të bukur të Çamërisë.

Do pres miq.

…..jam i zoti i shtëpisë.

U ktheva nga Çamëria

U ktheva nga Çamëria.
Nga toka ime e adhuruar.

Tokë e ëndrrave të mia.

Toka ime e malluar.

Në xhepa,kisha marre ca gjethe e kokra ulliri.

Nga ulinjtë,

që babai im i kish mbjellë e me djersë i kish ujitur.

Në shpirt,

kisha këngën e bukur të një birbili,

që ç’do mbrëmje ,në penxhere i këndonte nënës,

kur babanë e lodhur nga puna, ish duke pritur.

Në zemër mora ca fjalë,

që kaq ëmbël i thonin në gluhën çame

plakat e vjetra të fshatit:

“Ç’u erre?

Ka të kemi or djalë?”

Në xhepa,

dhe ca gjethe të rrapit të moçëm në qëndër të fshatit.

Nën hijen e të cilit pija kafen me pleqtë çam.

“Këtu e pinte kavenë edhe yt atë-më thanë.

Kur kthehej nga puna ç’do aksham.”

Te kroi i fshatit mbusha një bidon me ujë.

Tek ai krua,

ku nëna pa për herë të parë babanë.

Buzëqeshi ,uli shaminë mbi ballë e u largua.

Veç të martuar ,

herën e dytë ata u panë.

Tek pragu i shtëpisë së gurtë

një lule kishte çelë,

Nëj lule vjeshte,e vonuar.

E këputa,

E vendosa në xhepin pran zemrës,

Nënës në Shqipëri

për t’ia dhuruar.

U ktheva.

Pashë nënën të përlotur.

Më priste me padurim.

Në prehërin e saj të ngrohtë vendosa kokën

Ndjeva mbi krye një të ëmbël ledhatim.

“O bir_më tha mes ngashërimës_

Më ke prurë aromë Çamërie !”

Dhe më ledhatoi mua me dashuri nëne.

Ledhatoi edhe ullinjtë,gjethet e rrapit dhe lulen

E lotët të ngrohtë i rridhnin prej syve

E ëmbla, nëna ime.

E malluara për pak aromë …Çamërie.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …