Fushatat zgjedhore në Kosovë, zakonisht karakterizohen me akuza që politikanët i bëjnë njëri-tjetrit. Kandidatët për kryeministër qysh në fillim të fushatës, gjatë tubimeve nëpër komuna të ndryshme, u përqendruan në kritika e akuza. Për të udhëhequr Qeverinë e Kosovës në 4 vitet e ardhshme, në garë për kryeministër janë Albin Kurti – kryetar i Vetëvendosjes, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku – kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj – kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Të gjithë këta, dikush më shumë e dikush më pak, nuk kursyen akuza për kundërshtarët politikë. Disa ditë pas fillimisht zyrtarisht të fushatës zgjedhore, rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha se është vërejtur gjuhë nxitëse dhe e urrejtjes. Nga monitorimi i saj del se më së shumti gjuhë të tillë ka përdorur Lëvizja Vetëvendosje – parti në pushtet, por edhe subjektet e tjera.
