leoni

Agim Murat Islami (5.1.1971 – 17.3.1999)

Agim Murat Islami (5.1.1971 – 17.3.1999)

Agim Islami u lind më 5 janar të vitit 1971 në fshatin Taraxhë të komunës së Vushtrrisë, nga prindërit Murat dhe Arife Islami. Shkollimin fillor e kreu në Bukosh dhe Qeltinë (ish-Novolan), kurse të mesmen në Vushtrri. Ndërsa studimet i ka regjistruar në vitin universitar 1990/1991 në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës.
Familja e Agim Islamit është dalluar edhe në të kaluarën për përpjekjet për të ndihmuar lëvizjen kombëtare për çlirim. Vlen të përmendet se gjyshi i Agimit, Hajriz Islami ishte ushtar i Azem Bejtës dhe se familja e tij e kishte ndihmuar këtë lëvizje duke strehuar dhe ndihmuar të plagosurit siç ishte rasti me të vëllain e Shotë Galicës, i cili pas katër ditësh strehim në këtë familje vdiq në duart e gjyshes së dëshmorit Shefkie Islamit. Po ashtu, edhe xhaxhai i dëshmorit, Rifat Islami ishte ushtar i Shaban Polluzhës, së bashku me djalin e axhës së tij Rexhep Islamin, ku morën pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan nga Llapi deri në Drenicë. Rexhepi ishte mbijetues edhe i masakrës së Tivarit.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, përveç Agimit në radhët e UÇK-së ishin edhe vëllezërit e tij, Hajrizi e Nuredini, djemtë e axhës, Lutfiu e Nexhati. Po ashtu vëllai i dëshmorit, Enveri, ka ndihmuar pa kursyer në aspektin e logjistikës së UÇK-së. Ai ka ndihmuar në hapjen e kanaleve mbrojtëse, ndërtimin e bunkerëve, vendet për fjetje dhe kuzhina të ushtarëve të UÇK-së.
Dëshmori i kombit Agim Islami ka qenë djalë i zgjuar, i matur, i drejtë e punëtor. Ai duke parë vështirësitë nëpër të cilat po kalonte vendi ynë gjithherë ishte i gatshëm që të jetë në grupin e atyre që organizonin aktivitetet kundër pushtuesit serb, madje edhe duke qenë në ballë të tyre. Në vitin 1989 ishte pjesëmarrës dhe në disa raste edhe organizator i protestave si në Vushtrri, Mitrovicë, Skënderaj e Prishtinë. Dhunën dhe terrorin e pushtuesit serb e përjetoi edhe ai. U helmua si nxënës i shkollës së mesme me rastin e helmimit të shumë nxënësve në Kosovë. Ai ishte nxënës shembullor në shkollën e mesme të bujqësisë në Vushtrri. Edhe pse dëshironte të vazhdojë shkollimin pas regjistrimit në fakultet më 12 shtator 1991 i arrin thirrja për shërbim ushtarak në armatën jugosllave, të cilën e refuzoi dhe për këtë u detyrua të ndërpresë studimet dhe të kufizoi lëvizjet e tij ngase kërkohej nga policia.
Ai kërkohej vazhdimisht nga policia për ta dërguar në shërbimin ushtarak por edhe për aktivitetin e tij ilegal, si dhe ngarkohej për organizimin e rojeve të fshatit dhe për posedim të armës M – 48. Kështu ai kalon për pesë muaj në ilegalitet të plotë në fshatin Leqinë të Skënderajt dhe Mirushë të Istogut të miqtë dhe shokët e familjes. Problem në vete ishte edhe çështja e helmimit e cila e mundonte shpesh.
Në vitin 1995 vendos të largohet nga Kosova por rrugës për në Gjermani arrestohet nga policia serbe dhe dërgohet në qendrën e paraburgimit në Beograd. Aty është keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht dhe më pas dërgohet në burgun ushtarak në Nish ku ka qëndruar 36 ditë. Nga ky burg ishte larguar me ndihmën e një avokati i cili kishte siguruar një vendim gjyqësor ku Agimi do të duhej të kontrollohej te mjeku në ndonjë spital. Kështu Agimi në ato rrethana, në dhjetor të vitit 1995 largohet nga Kosova dhe vendoset në Gjermani. E merr në mbrojtje kisha evangjelistë në Buer Gelsenkirchen Horst Esmer Str. 35. Agimit nga fundi i shkurtit i njihet e drejta e azilit kishtar. Më pas fillon zbutja e ligjeve ekzistuese për azilkërkues që në atë kohë ishin të shumtë nga Kosova. Gjatë kohës tremujore sa kishte qëndruar në mbikëqyrje të kishës, Agimi kishte arritur të mësonte gjuhën gjermane. Ai më pas fillon komunikimin si me bashkatdhetarë dhe me vendas, madje shpesh ndërmjetësonte për ata që nuk e dinin gjuhën gjermane. Edhe prifti i kishës së lartcekur Johans Frankheman thotë se “unë dhe stafi im nëpërmes të Agimit kemi mësuar për Kosovën dhe shumë gjëra nga historia e saj. Tani ne dimë shumë gjëra për të dhe e dimë se është një pikë e zezë për ndërgjegjen e Evropës”.
Lidhur me rastin e Agimit kishin shkruar edhe gazeta të njohura gjermane dhe kishte dhënë deklarata në radio të ndryshme ku kishte rrëfyer për rastin e tij dhe për gjendjen në përgjithësi në Kosovë. Kështu populli gjerman kishte mësuar shumë gjera për gjendjen në Kosovë dhe dhunën e terrorin që përjetonte populli shqiptar nga okupatori serb. Agimi gëzonte një respekt të madh te banorët vendas dhe për këtë ata i kishin ndihmuar shumë pasi kishin mësuar për vuajtjet e tij dhe të popullit në përgjithësi.
Me fillimin e luftës në Kosovë, menjëherë pas daljes publike të UÇK-së, Agimi tregonte përkushtim të madh rreth kësaj çështje sepse e dinte se çfarë do të ndodh në vijim. Ai ishte futur në organizimin e shqiptarëve të atjeshëm dhe përgatitjen e tyre për t’u kthyer në Kosovë për ta luftuar okupatorin. Në këtë drejtim Agimi, ndihmoi moralisht dhe materialisht e që pas masakrave të njohura në Prekaz, Qirez e Likoshan ai me një grup shokësh vendos të kthehet dhe ta ndihmojë luftën në Kosovë. Kështu më 18 maj 1998 në mënyrë të organizuar nga Gjermania niset për në Shqipëri. Me të arritur në Shqipëri u takua me vëllain e tij, Hajrizin dhe kushëririn Lutfiun, e shumë bashkëvendës të tjerë që kishin shkuar në Shqipëri për armatim. Ishte një gëzim i madh që pas disa vitesh për herë të parë takohet me të vëllain e që të dy ishin në uniformën ushtarake dhe të armatosur dhe që të dy kishin bërë betimin si ushtar të UÇK-së. Nga Gjermania kishte sjellë uniformë e vet dhe disa të holla të cilat i shpenzoi në Shqipëri për të blerë gjëra të nevojshme për ushtarët e UÇK-së pasi që ata kishin nevojë.
Pas disa javë ushtrime ai kërkon që vullnetarisht të shkoi në Junik dhe pas arritjes atje i vëllai Hajrizi këmbëngul që të qëndroi ai në Junik kurse Agimi të vazhdoi rrugën më tej. Agimi i dha të vëllait jelekun antiplumb që e kishte sjellur nga Gjermania. Pas udhëtimit me rreth 500 shokë, Agimi arrin në Zonën Operative të Shalës. Ata dërguan armatimin që kishin sjellur nga Shqipëria, në shtabin e ZOSH në Oshlan ku edhe këtu takohet me shumë të afërm luftëtar të lirisë. Nga aty niset të takohet me familjen e tij në fshatin Taragjë.
Agimi sistemohet në Brigadën 142, batalioni i dytë, togu i liqeve nën komandën e Sherif Vocës. Pas pushimit disaditësh fillojnë aktivitete ushtarake si pozicionimi nëpër pika të caktuara në Pantinë, Bukosh, Bruznik etj. Pas rënies së Junikut i vëllai Hajrizi kalon në Shqipëri prej nga kthehet nga gjysma e gushtit në Taraxhë.
Në muajin shtator, në rajonin e Qiqavicës fillojnë ofensiva të mëdha të forcave serbe ku bëhet një rrethim i fortë nëpër brigjet e lumit Sitnica e që shumë familje mbesin të izoluara. Hajrizi në përpjekje për të larguar familjen nga fshati në drejtim të Vushtrrisë arrestohet nga policia serbe së bashku me të vëllain Enverin dhe mikun e vëllait Safet Shalën. Ata në stacionin policor në Vushtrri keqtrajtohen rëndë. Enveri dhe Safeti më pas lirohen kurse Hajrizi dërgohet në burgun e Mitrovicës e më vonë gjatë bombardimeve të NATO-së në Pozharevc ku qëndron deri më 22 korrik të vitit 2000.
Agimi me shokët e tij edhe pas arrestimit të Hajrizit vazhdon luftimet kundër forcave okupatore serbe të cilat sulmonin nga të gjitha anët.
Në shkurt të vitit 1999 forcat e okupatorit nisin një sulm drejtë pozicioneve të UÇK-së në fshatrat e kësaj ane e posaçërisht në fshatin Taraxhë ku kishin ardhur për të ndihmuar luftën shumë pjesëtar të UÇK-së nga Drenica dhe Shala e Bajgores. Në këto anë luftimet e pandërprera zgjatën rreth një muaj.
Më 17 mars të vitit 1999, Agimi qëllohet nga një plumb në kokë dhe bie për të mos vdekur kurrë. Ai mbushi obligimin e tij siç thoshte shpesh në bisedë me familjarë se “ai ka lënë jetën e luksit në Gjërmani dhe është kthyer për të luftuar me shokët për çlirimin e vendit. Kështu mbusha obligimin tim që kamë ndaj atdheut. Kjo luftë do të përfundoi shpejt dhe ata që do të bien do të bien për liri e ata që do të mbesin do të jetojnë të lirë në Kosovën e lirë “. Ai varroset nga shokët në fshatin Taraxhë, kurse në shtator të vitit 1999 është rivarrosur në varrezat e Dëshmorëve të kombit në Stanofc të Vushtrrisë.
Familjes së dëshmorit Agim Murat Islamit, i ka dhënë mirënjohje Shtabi iPërgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Kosovës, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …