Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Agron Kuçi, ka bërë të ditur se është kërcënuar me jetë, pas publikimit të disa denoncimeve për, siç thotë ai, skandale dhe keqpërdorime zgjedhore në këtë komunë. Kuçi ka theksuar se pas publikimit të fakteve dhe dëshmive që lidhen me manipulime të listave të votuesve dhe ndërrime të vendbanimeve, ai është përballur me tentativa për frikësim dhe shantazh. “Pas denoncimit publik të skandaleve dhe keqpërdorimeve zgjedhore të ndodhura në komunën tonë, të kryera nga individë e grupe që nuk ia duan të mirën Junikut, sot jam përballur me një tjetër akt të ulët – kërcënime me jetë dhe tentativa për frikësim e shantazh,” ka shkruar Kuçi. Ai ka bërë të ditur se njëri prej personave që e ka kërcënuar, sipas tij, është militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe zyrtar komunal në Junik. Kandidati i AAK-së thekson se rasti është tashmë i paraqitur në organet kompetente të sigurisë dhe ka kërkuar që institucionet të reagojnë pa vonesë. Kuçi ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga gara dhe se “kërcënimet vetëm e forcojnë bindjen për të zbardhur të vërtetën në Junik.
