Hartimi i përbashkët i buxhetit është llogaridhënie dhe transparence, ka deklaruar kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, gjatë takimeve konsultative me qytetarët për hartimin e projekt buxhetit të komunës për vitin 2026. Takimet janë mbajtur me banorët dhe këshillat lokal të Maralisë e Gajrakut dhe këshillat lokal të Pagarushës dhe Guriqit.
Kryetari Kastrati, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, dhe Zyrtaren Kryesore Financiare, Valentinë Krasniqi, prezantuan para banorëve Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026-2028, duke theksuar në veçanti planifikimin buxhetor për vitin 2026.
Gjatë prezantimit, Kastrati dhe drejtori Thaçi thanë se qëllimi i këtyre takimeve është hartimi i përbashkët i buxhetit komunal dhe orientimi i investimeve kapitale sipas kërkesave dhe nevojave të qytetarëve dhe vendbanimeve. “Gjatë tri viteve të fundit kemi qenë të fokusuar në investime në qytet, për shkak të nevojave emergjente, ndërsa në vitet në vijim, investimet do të orientohen në fshatra,” deklaroi Kastrati.
Pas prezantimit, qytetarët pjesëmarrës paraqitën kërkesat e tyre sipas prioriteteve të secilit vendbanim. Në mesin e kërkesave më të shprehura ishin: zgjerimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të kanalizimit, asfaltimi i rrugicave brenda lagjeve, trotuareve, sigurimi i ujit të pijshëm, investimet për mbrojtjen e ambientit, si dhe zhvillimi i turizmit, veçanërisht në Pagarushë, e cila njihet për atraksionet e saj turistike, si kompleksi për Nexhmije Pagarushën dhe disa të tjera, që lidhen me historinë dhe trashëgiminë.