Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka kundërshtuar qëndrimin e deputetit të Vetëvendosjes, Hekuran Murati, i cili pretendon se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 lejon votimin e kryetarit të Kuvendit përmes votës së hapur ose të fshehtë. Cakolli theksoi se një interpretim i tillë përbën tentativë për të “turbulluar një çështje që është, në thelb, shumë e qartë”. Sipas tij, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është një akt përfaqësues dhe si i tillë duhet të kryhet përmes votimit të hapur, të ndershëm dhe transparent. Në sistemin tonë parlamentar, votimi i hapur është rregull; votimi i fshehtë është përjashtim dhe mund të zbatohet vetëm kur përcaktohet qartësisht me normë,” tha Cakolli, duke shtuar se në Rregulloren e Punës së Kuvendit nuk ekziston asnjë dispozitë që parashikon votim të fshehtë për këtë pozitë. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit në mes të procesit përbën shkelje të sigurisë juridike dhe cenon parimet e shtetit të së drejtës.
