KDI: Rreth 80 mijë vota të kandidatëve numëruan gabim në rinumërim, Prizreni më i prekur

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë të ditur se nga rinumërimi i mbi 50% të vendvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit, rreth 80 mijë vota të kandidatëve për deputetë kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht. Sipas Eugen Cakollit nga KDI, në Kosovë kanë pasur rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike, dhe secili votues kishte të drejtë të votojë deri në 10 kandidatë. “Numri i përgjithshëm i votave preferenciale për kandidatët arrin në rreth 6.8 milion, që do të thotë se mesatarisht çdo votues ka shënuar rreth 7 kandidatë në fletëvotim”, ka sqaruar ai. Nga 80 mijë vota të afektuara, 47,619 vota u hoqën nga kandidatët pasi ishin shtuar gabimisht gjatë numërimit fillestar, ndërsa 32,018 vota iu shtuan kandidatëve pasi ishin hequr më parë në mënyrë të pasaktë. Nga këto vota, rreth 40 mijë i takojnë kandidatëve të PDK-së, 15 mijë LVV-së, 11 mijë LDK-së dhe 4 mijë AAK-së. Cakolli ka theksuar se mbi 80% e këtyre votave të pasakta vijnë nga komuna e Prizrenit, ndërsa komunat e tjera të prekura janë Malisheva dhe Podujeva. Ai ka nënvizuar se rritja e numrit të votave preferenciale dhe centralizimi i numërimit në QNR e bëjnë procesin më të cenueshëm ndaj abuzimeve, sidomos kur të dhënat përpunohen nga një numër i vogël personash, përfshirë familjarë ose të afërm të kandidatëve. “Ky proces tregon qartë nevojën për monitorim më të rreptë dhe mekanizma shtesë të sigurisë për të garantuar integritetin e votës”, ka përfunduar Cakolli.

Kontrolloni gjithashtu

Nasim Haradinaj kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë për ligjëratat nga Gjykata Speciale

Për ligjëratën e mbajtur me nxënësit e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ka …