Trupat shumëkombëshe të Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it, së bashku me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, morën pjesë në “Konkursin Ushtarak të Ushtarit më të Mirë”, i organizuar në kampin “Villagio Italia” në Pejë. Sipas njoftimit të misionit të NATO-s në Kosovë, gara bashkoi ushtarë nga disa vende kontribuuese të KFOR-it në një aktivitet sportiv-ushtarak të konceptuar për të vlerësuar qëndrueshmërinë fizike, përgatitjen mendore dhe aftësitë taktike të trupave. Pjesëmarrësit përshkuan një marshim 15 kilometra me pajisje të plota, duke kaluar një sërë provash të ndërtuara për të simuluar kushte reale operacionale, përfshirë vrapim dhe ushtrime fizike, detyra të qëndrueshmërisë, hedhje granatash, skenarë CBRN, furnizim logjistik, lëvizje në terren të pjerrët, kalim me tirol dhe prova qitjeje. Në komunikatën e KFOR-it u theksua se gara nxori në pah vendosmërinë, disiplinën dhe nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes trupave, elemente që sipas misionit mbeten të rëndësishme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
