Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me rastin tragjik të Agon Zejnullahut në Lipjan, duke kërkuar përgjegjësi ligjore, institucionale dhe politike. KMDLNj thotë se vendimet si paraburgimi ndaj pesë policëve nuk duhet të jenë pasojë e presionit publik, por rezultat i hetimeve të pavarura dhe një procesi të drejtë gjyqësor. Në reagim, theksohet se përgjegjësia për rastet e fundit, përfshirë edhe ato në Therandë dhe Klinë, është individuale për zyrtarët policorë, por politike dhe institucionale për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe zinxhirin komandues. KMDLNj kundërshton përpjekjet për përfitim politik nga këto raste dhe bën thirrje që Policia e Kosovës të mos ndikohet nga politika, ndërsa gjyqësori të mos veprojë nën trysni, pasi kjo cenon të drejtat e njeriut dhe besimin në drejtësi. Rastet e ndodhura gjatë ndalimit policor bien nën përgjegjësinë e MPB-së, ndërsa ato në paraburgim dhe qendra korrektuese janë përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë.
