Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila sot ka rrëzuar mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. KMDLNj vlerëson se refuzimi i të gjitha pikave të këtij mocioni, pa ofruar një arsyetim të detajuar juridik, përbën shqetësim serioz për garantimin e një procesi të drejtë dhe të paanshëm. Sipas KMDLNj-së, që nga fillimi i këtij procesi janë evidentuar një sërë shkeljesh të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë:
- Arrestime të bazuara në prova të dyshimta;
- Zgjatje të pajustifikuara të paraburgimit;
- Refuzim të garancioneve të ofruara nga institucionet e Kosovës;
- Mospërfillje të kërkesave për masa alternative ndaj paraburgimit.
Këto veprime, që sipas Këshillit janë bërë në mënyrë të përsëritur, rrezikojnë të dëmtojnë kredibilitetin e Gjykatës dhe perceptimin e saj në opinionin publik. KMDLNj gjithashtu shpreh shqetësimin për përdorimin e materialeve të mbledhura nga shërbime të inteligjencës së shteteve të treta ose nga burime jo të verifikuara, duke theksuar se një praktikë e tillë cenon integritetin e procesit gjyqësor.