KMDLNJ në Mitrovicë hapi ekspozitën “Mos e harroni të kaluarën nëse dëshironi një të ardhme të ndritur“

“Mos e harroni të kaluarën, nëse e dëshironi një të ardhme të ndritur”, është motoja e ekspozitës me fotografi të autorit Halit Barani, që u hap të premten ne oborrin e Komunës së Mitrovicës, në përvjetorin e 35 të demonstratave gjithë popullore të vitit 1981 në Kosovë dhe në prag 17 vjetorit të bombardimit të caqeve serbe nga NATO-ja.

Në këtë ekspozitë u prezantuan  gjithsej 136 fotografi të ndryshme që flasin për masakrat në Mitrovicë të kryera nga forcat serbe, duke filluar nga keqtrajtimi fizik e deri tek masakrimi dhe karbonizimi i trupave të shqiptarëve.

Kryetar i KMDLNJ-së për rajonin e Mitrovicës, Halit Barani, tha me këtë rast para të tubuarve se fatkeqësia më e madhe është se njerëzit të cilët kanë bërë krime, vazhdojnë të punojnë në Policinë e Kosovës në veri.

“Deri tash vetëm një kriminel që ka bërë krime dhe ka pushkatuar shqiptarë është dënuar me nëntë vite burg e ai është Oliver Ivanoviq. Të tjerët janë ende të pakapshëm për drejtësinë kosovare. Ivanoviq është kryekriminel dhe urdhërdhënës i tri masakrave në Mitrovicë. Fatkeqësia dhe ironia më e madhe është kur ata që kanë bërë krime, si Xhavit Dervisheviq, polic hetues e të tjerë, tani punojnë në pjesën e okupuar të qytetit. Po ashtu, edhe Zharko Kosovac, që ka ushtruar dhunë të paparë mbi popullatën shqiptare, e një prej atyre që ka pësuar nga Zharko Kosovac jam edhe unë, jo një herë por disa herë, punon në policinë e Kosovës si hetues”, tha Barani.

Sipas Baranit, përveç keqtrajtimit psikik e fizik që atij i ka bërë,  Kosovac ia ka bastisur edhe shtëpinë dhe ia ka torturuar familjen, nusen bashkë me shtatë fëmijët. Ai përmend edhe policin famëkeq, të quajtur Cipi-Ripi, i cili ka bërë krime vazhdimisht, kryesisht ndaj nxënësve të shkollave të mesme, duke i keqtrajtuar, që tani është polic me uniformë të Kosovës në pjesën e okupuar të Mitrovicë.

Kryetari  i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se ekspozita e Baranit dhe fotografitë me imazhe rrëqethëse, që flasin për barbarinë serbe ndaj njerëzve të pafajshëm, nuk ka për qëllim futjen e urrejtjes apo hakmarrjes ndaj serbëve, por ka mesazh të qartë që të mos harrohen krimet dhe të punohet më me përkushtim për të ardhmen, në mënyrë që krimet e tilla të mos përsëriten.

Qytetarja Vlora Hajzeraj tha lidhur me ekspozitën se fotografitë flasin vetë. “U bëj apel të gjithëve të vinë dhe ta vizitojnë këtë ekspozitë sepse do të thotë shumë për ne dhe historinë tonë, të shohin se çka ka ndodhë” vetëm para pak vitesh”, tha ajo.

Ekspozita e posa hapur në orët e paditës zgjoi interesim të madh të qytetarëve, por jo edhe të atyre që kishin marrë  ftesa për pjesëmarrje, sepse pjesa dërrmuese e tyre munguan. Kjo është ekspozita e shtatëmbëdhjeta me radhë e Baranit dhe do të jetë e hapur 15 ditë.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …