Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, ka bërë thirrje për kujdes dhe ndjeshmëri në raportimin e tragjedive, duke u kërkuar gazetarëve dhe redaksive që të respektojnë dinjitetin e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre. Në reagim, KMSHK ka theksuar se raportimi duhet të bëhet vetëm kur ka interes të lartë publik dhe gjithmonë duke mbrojtur privatësinë e të prekurve. Sipas kodit të etikës, mediat duhet të shmangin publikimin e fotografive apo videove që shfaqin viktima, persona të zhdukur apo të plagosur, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë, duke e cilësuar një veprim të tillë si fyerje ndaj familjarëve dhe të ndjeshëm për publikun. “Është e nevojshme të mbrohet identiteti i viktimave, të mbulohet fytyra ose sytë në rastet e fotografive apo videove, dhe të vendosen paralajmërime kur përmbajtja është e ndjeshme”, thuhet në deklaratë. Këshilli kërkoi nga gazetarët të tregojnë maturi edhe ndaj pamjeve të rënda si kufoma, të plagosur apo skena gjaku, duke theksuar se raportimi sensacional duhet të shmanget. Sipas KMSHK-së, edhe kur përmbajtje të ndjeshme publikohen nga autoritetet ose burime të tjera, mediat kanë përgjegjësi profesionale për t’i trajtuar me kujdes dhe për të filtruar atë që publikohet. “Jo gjithçka që prezantohet nga autoritetet duhet marrë si e mirëqenë. Gazetarët dhe mediat duhet të tregojnë kujdes se çfarë i ofrojnë publikut”, përfundon reagimi i Këshillit.
