Dilaver Goxhaj

Kolonel, Dilaver Goxhaj: SHKOLLA KU LINDIN ELITAT USHTARAKE I

Në një prej intervistave, dhënë nga z.Sali Berisha, kur i është bërë pyetja: “Pse e mbyllët shkollën e mesme të përgjithshme ushtarake “Skënderbej?”, Ai dha afërsishtë këtë përgjigje: “Është anti humane t’i edukosh  fëmijët në moshën e adoleshencës me një disiplinë të tillë spartane.”

Për fat të keq tonin, shumë intelektualë, politikanë të majtë e të djathtë, midis tyre dhe ushtarakë, e quajnë të drejtë këtë përgjigje të z.Berisha, duke harruar edhe vetë z.Berisha, se qeveria e tij, kur ai ishte edhe president, dërgoi një sasi të konsiderueshme adoleshentë të vendit tonë në shkollat e mesme ushtarake në Turqi. Mirëpo, z.Berisha, si dhe të gjithë presidentët e kryeministrat pas tij, që kanë këtë mendim për shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, nuk e dinë që këtë lloj shkolle e kanë pothuajse të gjithë shtetet seriozë, të mëdhenj e të vegjël, si, p.sh: SHBA ka 22 shkolla të tilla; Rusia – 9; Franca -6; Italia e Turqia nga 4; Anglia -3; Kanada e Portugalia nga 1, e kështu me radhë. A mund të pranojmë se të gjithë këta shtete janë antihumanë, sikundër mendojnë e shprehen këta politikanët tanë të gjithëdijshëm?!

 

 

Domosdoshmëria e shkollave të mesme ushtarake është e lidhur organikisht me edukimin dhe elitat e ushtarakkëve 

Ndoshta, me pranimin e Shqipërisë dhe të Ushtrisë së saj në NATO, është rast i rëndësishëm historik që të rrisim në opinionin publik ndërgjegjen e institucioneve tona të larta shtetërore, që kanë të drejtë vendim-marrëse, në interes  të  riaktivizimit të një institucioni të madh  formues, sikundër është Shkolla e Mesme e Arsimit të Pëgjithshëm Ushtarake, e cila nuk është thjesht edukim ushtarak, por që, përmes metodologjisë, aktiviteteve dhe programeve moderne të mësimit, që ajo përdor, bëhet e mundur arritja e formimit të hierarkive të reja ushtarake, si dhe protagonistë të rinj të profesioneve jashtë fushës ushtarake, sikundër do ta sqarojmë më poshtë. Kuptohet se, sa herë flitet për formimin ushtarak, mendja të shkon menjëherë te Akademitë Ushtarake, dhe të paktë janë ata politikanë, për mos të thënë se në këto tre dekada nuk kemi parë apo dëgjuar politikanë që të dinë rëndësinë që ka shkolla e mesme ushtarake, funksionin e saj jo vetëm në pranimin e kadetëve në akademitë e ndryshme ushtarake të vendit dhe të shteteve të tjera antare të NATO-s, por edhe në kërkesat specifike të profesionalizmit që vinë direkt nga bota civile e punës.

Parë nën një këndvështrim të veçantë në pjesën më të madhe të shteteve antare të NATO-s, por edhe në ato të Lindjes, mund të themi se shkollat e mesme ushtarake kanë qenë prej shekujsh dhe vijojnë të jenë forma e parë e institucionit publik të mesëm për t’iu përgjigjur faktikisht nevojave gjithnjë në rritje për njerëz të kualifiuar për Forcat e Armatosura që shtetet si Franca, Spanja, Italia, Anglia, Portugalia, Austria, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, Rusia, Turqia etj., kanë ngritur shkolla të tilla ushtarake që janë njohur përgjithësishtë me emrin: “shkollat e kadetëve”.

Po t’i hedhim një shikim historisë së këtyre shkollave, shohim se fillesat e tyre, të strukturuara posaçërisht për ushtrinë, nisin qysh nga viti 1600, ndaj të cilave gjithnjë është rezervuar një vëmendje e madhe, më shumë se ndaj shkollave të tjera të mesme që krijonin profesionistë të ndryshëm. Regjistrimi në këto lloj shkolla, në shtetet e lartpërmendura, prej para 400 vjetësh dhe deri në ditët e sotme, ka qenë dhe është privilegj i madh për familjet e nxënësve që pranoheshin në to. Mjafton të kujtojmë sforcon e madhe  të Karl Bonopartit, i cili me shumë vështirësi morri nga marshalli i Korsikës një rekomandim që zyra e heraldikës t’u dorzonte Bonopartëve dëshminë e fisnikësrisë, se vetëm në këtë mënyrë mbreti Luigj kish të drejtën ta lejonte ta bënte një nga djemtë e familjes officer, (Emil Ludvig “Napoleoni”, Shtëpia botuese “Globus-R”, Tiranë, 1999, f.11), dhe  “pas shumë ndërhyrjesh, në vitin 1779 arriti ta regjistronte Napoleonin,  atëherë dhjetë vjeç, me bursë të shtetit, në shkollën e Brienit, në lindje të Francës”.(Tarle, “Napoleoni”, Shtypshkronja “Mihal Duri”, Tiranë, 1960, f.11).

Por historia tregon se përgatitja për komandantë lufte qysh në moshën fëminore është trashëguar të paktën 4 shekuj para Krishtit, ku historiani gjerman Artur Vajgal sqaron se, “Në atë kohë kur Aleksandri ishte gati 12 vjeç (viti 367 p.e.r, DG), duket se Filipit iu ngjall interesi për djalin…Filipit i interesonte shumë ta shkëpuste Aleksandrin prej ndikimit të mbretëreshës, Olimpiadës, prandaj, ai tok me Aristotelin vendosën që shkollën e re ta ndërtonin pak larg nga kryeqyteti. Për këtë zgjodhën qytetin e vogël të Miezas… Godinat e shkollës i ndërtuan në një pyll të lashtë nimfash”.(Artur Vajgal, “Aleksandri i Madh”, ShB Bargjini, Tiranë, 2002, f. 58, 66). Edhe “Skëndërbeu q’i ka dhënë edhe do t’i apë gjithë jetënë nder Shqipërisë, ky burr i pashoktë ish foshnjë, kur ra ndër duart të Tyrqet, e u rit në plasët të Sulltanit; që pa mbirë qime në faqet e tij tregonte trimërira e bënte punëra n’ushtëri të Tyrqet, që çuditësh gjithë bota; kudo që vinte, muntte e njeri s’i qëndronte dot kundrejt.”(Sami Frashëri.(“Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, Prishtinë, 1978, f. 30)

Po ashtu edhe Suvorovi, qysh 15 vjeç regjistrohet në shkollën ushtarake, ndërsa Kutuzovi në vitin 1757, kur ishte 12 vjeç.(Kalendari Ushtarak, Botim i Degës së Historisë Ushtarake, MMP, Tiranë, 1950,  f. 109, 127).

Kjo traditë jo vetëm që ekziston ende në Evropë, por është përhapur pothuajse në shumicën e shteteve antare të NATO-s dhe në të gjithë kontinentet. P.sh., Kolin Pauell regjistrohet në kolegjin ushtarak kur ishte 17 vjeç: “Kolegjet si ai që studjova unë qenë Harvardi dhe Princetoni i të varfërve”,(Kolin Pauell, “Udhëtimi im amerikan”, SHBU, 1999, Tiranë, f. 37), shkruan ai në kujtimet e tij. Edhe udhëheqësi i revolucionit të Amerkës Spanjolle (Venezuela, Peru, Panama, Kolumbi, Ekuador dhe Bolivi), gjenerali Simon Bolivar (1783-1830, lindur në Karakas), hyri në shkollën e mesme ushtarake në Aragua në moshën 14 vjeçare dhe emërin e tij e mban sot Bolivia.(G.Markez “Gjenerali në labirintin e vet”, Tiranë,2000).

Por edhe Karl Fon Klauzeviç (178-1831) qysh në moshën 12 vjeçare iu bashkua ushtrisë prusiane dhe në vitet 1793-1794 merr pjesë në fushatëne Rinit kundër ushtrisë franceze dhe në moshën 14 vjeç titullohet officer, (K. fon Klauzeviç ”Mbi luftën”,SHBU,Tiranë 1994,v.1, f. 3-4), gjë që vërteton se  në këtë moshë shpalosen virtytet, aftësitë dhe prirjet për profesionin e ushtarakut.

Duke u qëndruar besnikë traditave kulturore të trashëguara, vijimisht këto shkolla janë konsideruar dhe konsiderohen pararoja e ushtrive përkatëse si dhe në të njëjtën lidhje me proceset që karakterizojnë shoqërinë e sotme moderne. Këto shkolla kanë qenë dhe janë pararoja e korpusit të ushtarakëve, por edhe në drejtime të tjera, sepse në këto shkolla janë të rrënjosura tepër thellë vlerat themelore dhe parimet e besnikërisë si dhe shpirti i kolektivitetit, të vlerësuara sëbashku me respektin. Ja si shprehet ish-kryetari i dhomës së deputetëve të parlamentit Italian, Xhan Frako Fini: “Në ato shkolla nuk mësohet vetëm regulli dhe bindja ndaj regullave, por kërkohet që të maturohet tek ta bindja që vetëm ai që di të bindet sot, brenda një kornize korrekte të të drejtave dhe detyrave, do të dijë nesër të komandojë sisteme komplekse”. (www.esercito.difesa.it).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Ndihma në artikuj ushqimorë për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Ndihma në artikuj ushqimorë për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

Jam zgjuar i lodhur dhe i mërzitur tejmase. Sapo ndahem nga gjumi  dhe kontaktoj me …