Kolonel Dilaver Goxhaj: SHKOLLA KU LINDIN ELITAT USHTARAKE II

Kolonel Dilaver Goxhaj: SHKOLLA KU LINDIN ELITAT USHTARAKE II

Vështrim historik i ndërsjellë 

për shkollat e mesme ushtarake në planin kombëtar dhe ndërkombëtar

“Ushtria e kaprojve, e udhëhequr nga luani, është më e fuqishme se ushtria e luanëve e udhëhequr  nga kaprolli.”

 Fjalë e Urtë Ushtarake Angleze e vitit 1644

Po e nisim me fqinjën tonë më të afërt, Italinë. Ajo ka aktualisht 4 shkolla të mesme ushtarake, si ajo “Nunziatella” në Napoli, themeluar qysh më 18 Nëntor 1787 nga Mbretëria e Napolit; shkolla e mesme ushtarake navale “Françesko” në Venecia, e themeluar prej vitit 1937; shkolla e mesme ushtarake “Teueli” në Milano, themeluar prej vitit 1839; shkolla e mesme ushtarake e aviacionit “Giulio Douhet” në Firence, themeluar në 15 Maj 2006. Pranimi në këto shkolla bëhet me konkurs. Në fund të çdo viti shkollor studentët frekuentojnë edhe një kamp ushtarak pranë një reparti të Forcave të Armatosura për të përfituar elementë praktikë të përgatitjes për luftim, ku përfshihen dëndur edhe qitjet me armë në poligon, përgatitje sanitare, luftim trup me trup etj. Në këto shkolla pranohen prej moshës 15 vjeç, por edhe nxënës që mund të kenë kryer një apo dy vite shkollë të mesme civile, por këtu nuk u merret parasysh, e fillojnë prej vitit të parë. E veçanta e Italisë është se 20% e vendeve në Akademinë Diplomatike Shtetërore rezervohen për maturantët e këtyre shkollave ushtarake. (www.wikipedia.org, 20. 07.200).

Franca ka 6 shkolla të mesme ushtarake, për të tre llojet e forcave të armatosura, të cilat thirren Lice Ushtarak, ku studjojnë rreth 4000 nxënës. Pranohen kryesishtë nxënës të familjeve franceze që jetojnë në Francë dhe jashtë saj, por, përparësi kanë fëmijët jetimë të ish-ushtarakëve, dhe familjet e ushtarakëve. Në një prej këtyre shkollave ka kryer studimet edhe “Ariu i Luftës”, Norman Shvarckof, deri sa shkoi në Uest Point.(M.E. Morris, “Stuhia e Shkretëtirës”, SHBU 1992, Tiranë, f. 26-27). Në shenjë respekti pse Shvarckof pat kryer shkollën e mesme ushtarake në Francë, ndaj dhe Legjioni i Huaj Frances, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Gjirit kundër Irakut e ftoi atë në një ceremoni të jashtëzakonshme, duke i dorëzuar titullin e nderit “Kapural”, i pari dhe i vetmi amerikan deri sot i nderuar me një titull të tillë nga Legjioni Frances.(en.academic.ry/academic dictonaria encyclopedias). Është vendi ta theksojmë se Liceu Ushtarak në Sarthe mban sot e gjithë ditën emrin që i pat vënë Napoleoni qysh në 24 mars1808, pavarësisht se është krijuar prej vitit 1604:  “Prytane Natonal Militaire”, duke iu referuar liceut klasik grek Prytaine, një institucion ekskluziv që përbënte zemrën politike dhe fetare të qyteteve-shtet të Greqisë antike, ku pat filluar mësimet Aleksandri i Madh në vitin 367 p.e.r, e cila ishte shkolla e filozofit të madh, Platonit.(Artur Vajgal, “Aleksandri i Madh”, ShB Bargjini, Tiranë, 2002, f.63). Studentët që bëjnë pjesë në këta lice thirren “brutions”, si referim klasik i rajonit Brutium, në Romën e Lashtë, banorët e të cilit dalloheshin për ashpërsinë dhe shpirtin e tyre luftarak.(www.wikipedia.org). Në këto shkolla kadetët francezë pranohen qysh në moshën 10 vjeçare.

Anglia ka një veçori, këto shkolla i ka në dy varjante. Një varjant është ai që i merr në moshën 16 deri 18 vjeç, i cili quhet kolegji “Welbeck”, dhe ka dy të tillë, themeluar prej vitit 1953. Për të dy vitet çdo kolegj ka 150 studentë, duke pranuar çdo vit 50 studentë në shtator dhe 25 studentë në janar. Në këto shkolla bëjnë përgjithësisht përgatitje ushtarake dhe përgatiten si oficerë teknikë. Këtë lloj kolegji e kanë edhe në SHBA. Ndërsa shkolla tjetër e mesme quhet “Duke of Yorks Royal Military School”, themeluar në vitin 1803. Këtu nxënësit i pranojnë prej moshës 11 vjeç deri 18 vjeç. (www.wikipedia.org)

Portugalia shkollën e mesme ushtarake e quan “Kolegjio Militare” dhe ndodhet në Lisbonë, e themeluar prej vitit 1803. Në këtë shkollë hyjnë fëmijë prej moshës 10 vjeç deri në 18 vjeç, ku bëhen gati për Akademi Ushtarake dhe Universitet. Nga kjo shkollë kanë dalë 5 presidentë të Portogalisë.(www.wikipedia.org).

Austria, si dhe Portogalia, ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake, themeluar qysh në kohën e të qenit perandori.

Kanadaja, edhe kjo ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake, me emrin “Robert Land Academy”, në Ontario, themeluar në vitin 1917. Në këtë shkollë nxënësit merren prej klasës së 7-të deri në të 12-ën.( www.wikipedia.org).

Turqia ka 4 shkolla të mesme ushtarake, ajo “Denis Lisesi”, në Stamboll, themeluar në vitin 1773, e cila është katër vjeçare; vitin e parë mësojnë anglisht, ndërsa tre vitet e tjera mësimi zhvillohet turqisht. Sholla tjetër është “Bursa Ipyklar Askeri Lisesi”, në Bursa, e cila e ka fillesën prej vitit 1844. Shkolla “Kuleli Militare High School”, edhe kjo në Stamboll, themeluar prej vitit 1845; ndërsa shkolla tjetër “Izmir Maltepe Askeri Lisesi”, në Izmir, është themeluar në vitin 1928.

Rusia disponon 8 shkolla të mesme ushtarake “Suvorov” dhe një për marinën “Nakhimov”. Nxënësit i marrin prej moshës 14 vjeç. (www.wikipedia.org).

Gjermania fillesën e shkollës së mesme ushtarake e ka në vitin 1813 kur mbreti Frederik Vilhelm III formoi tri shkolla lufte për kadetët.(Kolonel Kristian Millotat “Oficeri i SHP”, SHBU, Tiranë 1993, f.49). Sistemi i përzgjedhjes së kadetëve ishte sipas klasës dhe origjinës. Kjo shkollë u konsiderua si guri i rëndësishëm themeltar historik për të ardhmen e oficerit të Bundesverit.(Po aty, f.52)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përsa i përket shkollave të mesme ushtarake kanë një veçori nga të gjithë shtetet e lartpërmndura, si në sasinë ashtu edhe në larminë e tyre. Jo vetëm që SHBA kanë 22 shkolla të tilla, në 17 shtete të ShBA, por shkojnë në shumicë edhe vajza. Nxënësit merren prej moshës 10 vjeç deri në 17 vjeç. Kur kanë kryer një prej këtyre shkollave, ata shkojnë në Uest Point. Në këto shkolla kanë filluar karjerën ushtarake Xh. Xh. Pershing, D. D. Ajzenhauer.(M. E. Morris, vepër e cituar, f. 22), i cili  arriti deri President i SHBA, si dhe shumë personalitete të tjera të shquara ushtarake dhe politike. Veçori tjetër është se në këto shkolla të mesme, sikundër u shprehëm më lart, pranohen edhe vajza, me të njëjtat kritere si dhe për djemtë, dhe që mësojnë në klasa të përbashkëta, stërviten po në klasa të përbashkëta dhe, e veçanta për vajzat është, se nuk ua presin flokët deri në maturë, por, në hyrjet e fjetinave të tyre shkruhet me gërma të mëdha: “Bukuria e juaj nuk qëndron tek flokët, por tek sjellja juaj.”( www.military-school.org )

Në Amerikë, në pragun e konkurimit për në këto shkolla, familjarët që dërgojnë fëmijët prezantohen me njoftimin: “Djali ose vajza e juaj që do të pranohet kadet, jeta e tyre do të ndryshojë për mirë. Ata nuk do të mësojnë vetëm disiplinën, regullin dhe punën e strukturuar, ata do të mësojnë të jenë të pavarur dhe të mendojnë për veten e tyre në çfardo rrethane, larg të qenit robot, por do të bëhen individë të ndjeshëm, të cilët do të kujdesen për veten e tyre, për familjet e tyre dhe për kombin amerikan”(www.military-school.org )

Fillesat e shkollave të mesme ushtarake në SHBA nisin prej vitit 1842, ndërsa ajo më e reja është hapur në vitin 1916. Njëzetedy shkollat e mesme ushtarake ndodhen si më poshtë:  Dymbëdhjetë shkollat e mesme ushtarake, që pranojnë vetëm djem prej klasës së 7-të deri në të 12-ën, një tjetër i merr prej klasës së 5-të, ndërsa një tjetër prej klasës së 4-t, ndodhen në:  Carlsbad, CA; Camden, SC; Në Bloomfield, PA; Waynesboro, VA; Fork Union, VA; Chatham, VA; Mexico, MO; Gainesville, GA; Anaheim, CA; Salina, KS; Delafield, WI; Wayne, PA.(http://www.military-school.org/Military_Boarding_Schools/Girl.asp). 

Ndërsa 10 shkollat e tjera të mesme ushtarake, që pranojnë djem dhe vajza, prej klasës së 7-të, të 8 dhe të 9-të deri tek e 12-ta, ndodhen në: St. Petersburg, FL; Culver, IN; Melbourne, FL; Howe, IN; Woodstock, VA; Roswell, NM; Oak Ridge, NC; Front Royal, VA; San Antonio, TX; Lexington, MO.

Përsa i përket Kinës, gjurmët e shkollës së junorëve për përgatitje ushtarake fillojnë qysh në epokën feudale. Shkolla e parë  e mesme ushtarake bashkë me akademinë e oficerave u hap zyrtarisht më 1 maj 1924, nga presidenti i saj Sun Yat-sen, por mësimet e para filluan më 16 qershor 1924, duke u emërtuar shkolla Huangpu në Guangzhou, me komandant Chang Kai Shi-në dhe komisar Çu  En-lai. Lin Biao u regjistrua në këtë shkollë në vitin 1925 kur ishte 12 vjeç. Gjatë ceremonisë inauguruese Sun Yat-sen mbajti një fjalim, i cili u bë më vonë teksti i himnit kombëtar i Republikës së Kinës.(htp://www.ancient-chinese-military.htm)

Po t’i referohesh objektivave të të gjitha shkollave të mesme ushtarake në të gjithëtetet që përmendëm më lart, rezulton se objektivat i kanë të njëjtë dhe përmblidhen në këto shtatë pika:

  1. Të bëhen qytetarë të mirë, me dije të thella dhe patriotë.
  2. Të zhvillojnë vetëbesimin, vullnetin në punë, lidërshipin dhe përgjegjshmërinë.
  3. Të zhvillojnë aftësi të mira në komunikim dhe në të shkruar.
  4. Të zhvillojnë dhe t’i japin rëndësi përgatitjes fizike.
  5. Të rrisin respektin për rolin e ushtrisë në mbështetje të objektivave kombëtare.
  6. Për të zhvilluar karaktere të mira përmes formimit të ndjenjës së kolektitetit.
  7. Të zhvillojnë aftësitë për të punuar në grup dhe në drejtim të teknikave ushtarake.(military-school.org).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Moti është përkeqësuar. Shi, stuhi, pastaj mjegull. Kemi mbetur në tendë dhe po presin derisa …