Kolonel Dilaver Goxhaj: SHKOLLA KU LINDIN ELITAT USHTARAKE V

Kolonel Dilaver Goxhaj: SHKOLLA KU LINDIN ELITAT USHTARAKE V

Cilat janë vlerat e shkollës së mesme ushtarake?

Arsimimi, pa e pasur  zemrën dhe shpirtin e arsimuar është edhe kjo një farë shkolle me dituri, por pa ndërgjegje.”

  1. Shopenhauer

Para dy dekade u eksperimentua në Tiranë hapja dhe funksionimi i Universitetit Ushtarak “Skëndërbej”. Pavarësisht se ajo u shfaq si një risi shpresëdhënëse, koha vërtetoi se nuk pati jetëgjatësi. Natyrshëm lind pyetja: Pse nuk pati jetëgjatësi Universiteti Ushtarak? Shumëkush mund të reshtojë një sërë argumentash, madje edhe mund të të bindi me ato, por kryesoja është se ideuesit e atij Universiteti e filluan ndërtimin e “shtëpisë” nga çatia dhe jo nga themelet. Formimi, apo thënë ndryshe, maturimi i të riut përfundon bashkë me adoleshencën, në moshën 18 vjeçare. Kushdo mund të bindet për këtë po të kalojë në kujtesë historinë e profesionit përkatës se, elitat kanë dhënë shenja për të qenë të tilla përgjithësisht në shkollat e mesme profesionale, të çdo lloj lëmije në jetë. Kështu që, shumica e atyre që regjistroheshin në Universitëtin Ushtakak “Skëndërbej” të Tiranës, bazuar në faktin se nuk kishte kritere për pranimin e tyre, vinin në plan të parë interesin fitimprurës për jetën, e shihnin atë si varjantin e fundit për arsimim të lartë. Si të tillë ata i dhanë vetes më shumë liri se sa lejon disiplina ushtarake në shkollat ushtarake, sepse në atë moshë e kishin të vështirë të përballonin disiplinën e rrepte formuese si ushtarakë krajere, e cila kultivohet në shkollat e mesme ushtarake, ndërsa, në kushtet e të mësuarit universitar, njësoj si edhe në shkollat e mesme civile, mungon ndjenja e kolektivitetit, e cila është domosdoshmëri në ushtri e në luftë. Mendojn se kjo mund të jetë një nga shkaqet pse Universiteti Ushtarak që ish-Ministri i Mbrojtjes Majko dhe Kryeministri Nano që e inicuan, nuk iu përshtat disiplinës së nevojshme që kishte më parë Shkolla e Bashkuar e Oficerave, nuk e pati atë disiplinë që kërkon dhe duhet të ketë shkolla për përgatitjen e oficerave.

Mirëpo, përvoja e historisë ushtarake botërore ka treguar se, kuadrot që nuk e kanë të kultivuar ndjenjën e kolektivitetit dhe të përgjegjshmërisë për detyrë, të cilat kultivohenn në mënyrën më të plotë në shkollat e mesme ushtarake, në situata të vështira bëhen trima ndaj miqve, të dobët ndaj armiqve; nuk frigohen nga Zoti, por s’kanë besim tek shoku. Shkaku është se të tillë oficerë, të dalë nga universitete ushtarake, pa u mësuar dhe kalitur gjatë adoleshencës me disiplinën ushtarake dhe ndjenjën altruiste të ushtarakut; nuk kanë ndonjë dashuri apo shkak tjetër që ta nxiti të qëndroi në ushtri, veç pagës, e cila nuk mjafton që ai kuadër të pranojë të sakrifikoi deri në vdekje për Atdheun; aq më tepër kur ata universitarë nuk vijnë as nga familje ushtarakësh. Me qejf ata duan të jenë oficerë të ushtrisë shqiptare, sidomos sot që jemi edhe pjestarë të NATO-s dhe u jepet mundësia të përfeksionohen jashtë shtetit, por ama, deri sa të mos shkojnë në luftë; mirëpo, porsa të shkojë në vendin ku luftohet dhe porsa të krisë mitralozi dhe avjoni, mezi presin që ose t’i kthejnë në atdhe (pranë familjes) ose t’ua mbathin këmbëve. Që të kemi ushtri të mirë, duhet të kemi oficerë me vlera të veçanta të mira, të cilat fitohen në maksimumin e mundshëm në shkollat e mesme ushtarake, në periudhën e adoleshencës. Dhe ato vlera janë:

  1. Aftësia e punës në grup: bashkpunimi, konkurnca, aftësia për të reaguar me dhe për shokët, kuptimi i nevojave të të tjerëve;
  2. Duke bërë jetë grupi të pandërprerë gjatë katër viteve atje konsolidohen virtyte, të cilët e bëjnë njeriun më të fortë shpirtërisht, sikundër janë: ndershmëria, respekti, lojaliteti, besimi në forcat e veta, etika dhe sensi i drejtësisë, të cilat duhet të jenë vlerat formuese për çdo kuadër ushtarak në shërbim të shoqërisë dhe Atdheut;
  3. Përveç motivimeve që mësohen në shkollat e mesme civile, në shkollën e mesme ushtarake kemi edhe një formim kompleks fizik të nxënësit, etik dhe civil; ajo shkollë përmes kësaj veçorie jep mësimet bazë për t’u bërë qytetar ekzemplar, “një produkt i përpunuar” që nuk do të ketë të sharë;
  4. Në shkollën e mesme ushtarake nxënësi do të jetojë një përvojë të mahnitëshme formuese, që do t’i mundësojë të fitojë çdo lloj sfide, qoftë nëse zgjedh karjerën ushtarake apo profesion civil; e edukon nxënësin për t’i bërë ballë çdo lloj mundimi të jashtëzakonshëm, urren çdo lloj “gjelle” delikate dhe çdo butësi tjetër, të cilat e bëjnë ta duan të gjithë ushtarët, sepse mendon më shumë për repartin se sa për vete; në çdo veprim ai kqyr dobinë e repartit dhe jo dobinë e tij.,(military-school.org)

Pse arrihet të përfitohen këto veti vetëm në këtë lloj shkolle?

Këto veti përfitohen në shkollën e mesme ushtarake sepse oficeri, duke u bërë ushtar qysh në adoleshencën e tij, ai mendon se është shteti i atëdheut të tij ai që e bëri të tillë, që e bëri intelektual, që e bëri të respektuar, që i dha mundësinë të tregonte aftësitë e tij të lindura, që i krijoi bindjen se ai nuk mund të qëndrojë jashtë ushtrisë, që e mbushi me nderime dhe të mos kërkojë nderime të tjera. Duke patur të tillë edukim dhe bindje, ndaj dhe ata e duan me kokë njëri-tjetrin dhe kanë besim tek njeri-tjetri. Si rjedhojë, kjo lloj shkolle i përgatit shoqërisë qytetarë të rinj, qytetarë model. Duke qenë të pajisur me të tilla veti, tek oficerat e dalë nga kjo shkollë thyhet çdo lloj opinioni para dashurisë për atdheun, kudo që ata të shërbejnë dhe në çdo pozitë që do të ndodhen.

Si e tillë, krahasuar me paralelet e sotme civile, kjo lloj shkolle bëhet model për shoqërinë, në çdo drejtim, pasi ajo ka për qëllim të formojë të rinj të përgjegjëshëm, të kompletuar me instrumenta të forta kulturore dhe sociale. Duke qenë se kjo lloj shkolle, përveç procesit mësimor, ka në programin e saj 24 orësh aktivitete të shumëllojshme kulturore-sportive dhe stërvitje, duke zhvilluar tek nxënësit shpirtin e grupit, i cili nxit vlerat e solidaritetit, të miqësisë dhe të konkurimit të drejtë. Mirëpo kjo hierarki vlerash i nevoitet edhe organizmave humane më kompleks, siç është shoqëria, por edhe qelizave që përbëjnë këtë shoqëri. Po t’i shohim mirë vlerat e botës ushtarake përputhen shumë mirë me ato të kompanive serioze private: korrektësia, respekti, ndershmëria, disiplina, besnikëria, pavarësishtë se me një diferencë në “dozë” përfundojnë me marrjen e hapësirës së duhur, si në botën e parë edhe në të dytën.

Mbi të gjitha, në shkollat e mesme ushtarake mësohet energjia e kolektivit, një energji, e cila nuk duhet të ngatërrohet me thjeshtë shoqërinë e grupit. Ata oficerë që kanë dalë nga këto shkolla kanë treguar se janë të aftë që të arrijnë të përfitojnë ato rezultate që individualitetet e vetme nuk do të ishin në gjendje të vijonin vetëm. Kjo ndodh sepse në ato shkolla zhvillohet qysh në adoleshencë ndjenja e fuqishme e përgjegjësisë, që i bashkangjitet një shpirti të sakrificës dhe një bujarie ndaj të tjerëve. Këto përbëjnë vlerat më të çmuara për këta nxënës. Në këtë mënyrë, të studjuarit bashkë me të mësuarit bëhet jo vetëm burim i vërtetë i dijes, por edhe një faktor i rëndësishëm i rritjes morale dhe i intelektit të secilit veç e veç.

Propozim

sesi të jetë shkolla jonë e mesme ushtarake e  

ardhshme

Edhe shteti ynë ka përvojën e vet për ngritjen dhe funksionimin e shkollës së mesme ushtarake, kështu që nuk fillohet nga zero. Bazuar në atë përvojë, por edhe në përvojën e shkollave të ngjashme në vendet që përmendëm më lart, shkolla e mesme ushtarake e jona është e arsyeshme të jetë një Shkollë e Mesme e Përgjithëshme Klasike Shkencore, të jetë pjesë e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes e Ushtrisë sonë dhe komandanti i saj, (ai edhe drejtor), të jetë jo më pak se me gradën kolonel.

Pranimet në atë shkollë të jenë nxënës që kanë mbaruar shkollën 9-vjeçare, por edhe nxënës që mund të kenë kryer një vit shkollë të mesme dhe që i kanë kompletuar kërkesat për shkollë të mesme ushtarake klasike dhe shkencore, por duke e filluar nga viti i parë.

Do të ishte më se e arsyeshme që pranimi në këtë shkollë të bëhet vetëm përmes konkursit, i cili të konsistoi: test mjekësor, test psikopërgatitor, test atletik dhe provim kulturor mbi lëndët, të cilat do të jenë objekt të dy viteve të para të shkollës.

Në rast se do të ketë kërkesa familjarësh për të sjellë fëmijët e tyre në këtë shkollë “spartane”, kur kontigjenti i planifikuar nga buxheti i shtetit është plotësuar sipas nevojave të tij, ata mund të pranohen (gjithnjë me konkurs), por me një lloj pagese të familjes.

Bazuar edhe në përvojën aktuale, në këtë shkollë nuk do të ishte gabim që të pranohen edhe vajza, por jo si në rastin kur ato vinin në “Shkollën e Bashkuar të Oficerave”, me klasë më vete, por së bashku me djemtë, sikundër është edhe përvoja amerikane.

Në rast se edhe Ministria e Brendëshme, ajo e Jashtme si dhe Shërbimi Inteligjent do të dëshirojnë që të marrin kontigjente të ardhëshme nga kjo shkollë, kuptohet që do të financojnë për atë sasi nxënësish që parashikojnë të marrin.

Nuk duhet përjashtuar edhe mundësia që në këtë shkollë të  konkurojnë edhe nxënës nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare ose edhe nga familjet shqiptare në emigracion e diasporë, qoftë me shpenzime familjare por edhe me bursa, për ata që do të ketë nevojë Ministria e Mbrojtjes (Qeveri) e Kosovës. Kam besim se, nëse ringrihet kjo shkollë, mund të bëjë që edhe familje shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni, Greqi, Preshevë si dhe ato në emigracion e diasporë, t’i dërgojnë adoleshentët e tyre, pasi do të jetë një nga shkollat më cilësore, e që që do të krijoi besimin tek çdo familje shqiptare se, fëmija do t’i bëhet jo vetëm i kompletuar me dije dhe i aftë të ndjekë çdo fakultet në çdo universitet të vendit dhe jashtë tij, por, në radhë të parë, do të formohet si qytetar tepër i edukuar dhe i moralëshëm, i dobishëm për vete, për familjen dhe shoqërinë. Pra, ajo do të shndrrohet në shkollën më të lakmuar për shqiptarët. Në këtë mënyrë, dashje pa dashje, ajo do të shndërohet në shkollë kombëtare, dhe e vetmia e atij lloji. Kjo do të bente që edhe numuri i nxënësve të vijë gjithnjë duke u rritur, gjë që do të kompesonte edhe shpenzimet e shtetit.

Duke qenë se kemi përvojë pozitive në drejtim të të qenit shkollë e mesme klasike-shkencore-politeknike, dhe duke qenë se ende nëpër repartet e ushtrisë ekziston bazë e bollshme materiale jo vetëm për kabinete mësimore (çdo klas të jetë edhe kabinet), por edhe për ofiçina dhe laboratorë për të përgatitur teknikë të mesëm të çdo profesioni të nevojshëm për ushtrinë, dhe nxënësit e këtyre klasave mund të dalin qysh në fillim nënoficera pas maturimit dhe të shërbejnë në ushtri si teknikë, por edhe në jetë civile, nëse nuk ddo të duan të vijojnë studimet e mëtejshme.

E mira do të qe, që kjo shkollë të jetë katër vjeçare, me qëllim që viti i parë të jetë për të mësuar në përfeksion gjuhën Angleze si dhe njç gjuhë tjetër plus me mësues të atyre popujve, paralel me gjuhën shqipe, me synim që një ose dy lëndë në secilin vit pasardhës të zhvillohen në atë gjuhë, sikundër është përvoja turke. Përveç lëndëve shkollore të përgjithshme që zhvillohen në gjimnazet e tjera, të përfshihet përvoja e shkollës së dikurshme “Skënderbej” me fushime verore e dimërore. Cikli i studimit të përfundoi me marrjen e diplomës së pjekurisë. Pranimi i pedagogëve të bëhet me konkurs nga vet komanda e shkollës, sipas një programi të paracaktuar dhe me vlerësim kompjuterik, njësoj si dhe për nxënësit, me qëllim që të eleminohet subjektiviteti. I vetmi kusht për pedagogët që do të konkurojnë për në këtë shkollë të vinin nga shkollat e mesme, mundësisht të pashkëputur nga mësimdhënia, me përvojë jo më pak se tri-katër vjeçare.

Që nxënësit të përgatiten me durimin larg familjes (sikundër është vepruar edhe edhe gjatë ekzistencës së saj) dhe të forcojnë gjithnjë e më shumë dashurinë për shokun, besoj nuk ka qenë e keqe të praktikohet ajo e ish-shkollës “Skenderbej”; shkuarja më e shpeshtë pranë saj të jetë një lloj shpërblimi për ata që janë të shkëlqyer në mësime. Në këtë drejtim nuk do të ishte gabim të praktiokohet edhe përvoja e shkollës italiane, franceze dhe ajo angleze.

Pas marrjes së diplomës nxënësi mund të vijojë përgatitjen ushtarake, duke bërë kërkesë për pranim në Akademinë Ushtarake  të Trupës në Shqipëri ose për universitet si kontigjent i ushtrisë, si dhe për në akademitë përkatëse të vendeve antare të NATO-s që na afrojnë të drejta studimi, duke i paraprirë edhe me një kontratë të veçantë në të dy rastet. Përparësi do të kenë nxënësit e shkëlqyer, kritere të përcaktuara e të njohura nga secili nxënës prej ditës së panimit në shkollë. Në këtë rast, akademia, në të cilën ata pranohen, u garanton disa lehtësi pranimi në raport me ata që vinë nga jeta civile, sikundër mund të jetë rezervimi i vendet pa konkurs, etj.

Përveç kësaj, sipas disa përcaktimeve rigoroze, një pjesë e të diplomuarve do të shkojnë në Universitetin Shtetëror Shqiptar, për t;u përgatitur specialistë të lartë për nevojat e ushtrisë dhe të dikastereve të tjera shtetërore, sipas planifikimit të saj, por me një kontratë ligjore të detyrueshme që pas diplomimit të shërbejnë në ushtri një periudhë të caktuar, dhe atje ku ka nevojë ushtria. Në rastin tjetër, ata që e kanë kryer shkollën me shpenzimet e familjes, kuptohet që janë të lirë të vendosin të shkojnë në shkolla civile dhe akademitë ushtarake. Në rastin kur ata të ardhur jashtë kontigjenteve të institucioneve shtetërore, nuk do të dëshirojnë të shërbejnë në ushtri, janë të lirë të shkojnë ku ta shohin më të arsyeshme.

Mund të ndodhë që nxënësi, i cili është maturuar me shpenzimet e shtetit, por që nuk dëshiron të qëndrojë në ushtri, ai mund të largohet, por duhet të parashikohen detyrime financiare në kontratë qysh në ditën e pranimit të tij si kadet.

Mund të ndodhi që, nisur nga nevoja të ndryshme, një pjesë e maturantëve të kërkojnë fillojnë punë me pagesë me të mbaruar këtë shkollë, duke kaluar në Akademinë e Nënoficerave ose në atë të Policisë, menjëherë me pagesë. Kjo mund të jetë një prej alternativave të njohura dhe, duke qenë se ata janë maturantë të kësaj shkolle pranohen në ato akademi pa iu nënshtruar testeve të konkurimit si dhe, kur ta kryejnë atë akademi, mund të marrin një ose dy grada më lart se kolegët e tyre nënoficerë që vijnë nga shkollat e mesme civile.

Meqenëse ish fushimet ushtarake të ushtrisë, ai dimëror në Feken të Martaneshit dhe ai në Karpen të Kavajës, por edhe ai në Voskopojë, do të ishte e arsyeshme që të shfrytëzoheshin gjatë vitit mësimor nga Shkolla e Mesme Ushtarake, ku të zhvillohet program i veçantë si, teori e praktikë armësh, regullore ushtarake, qitje me të gjitha llojet e armëve të këmbsorisë, ngjitje alpinistike, not, skijim etj aktivitete sportive që i përkasin ushtrisë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …