Komandant Adem Shehu: Erdhëm nga jugu i Shqipërisë për t’u radhitur në luftën tonë për çlirimin e Kosovës

Komandant Adem Shehu: Erdhëm nga jugu i Shqipërisë për t’u radhitur në luftën tonë për çlirimin e Kosovës

Komandanti i Brigadës 153, të Zonës Operative të Llapit, gjatë luftës, Adem Shehu, në një bisedë në studion e TV-Diellit dhe në Radion-Kosova e Lirë, ka folur për angazhimin e tij dhe të shqiptarëve liridashës nga Jugu i Shqipërisë, të cilët erdhën dhe iu bashkuan luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Komandanti, Adem Shehu ka qëndruar  kësaj radhe, në Prishtinë,  në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, me ç’ rast edhe ka marrë pjesë në aktivitetet tematike që janë zhvilluar në 20-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, Bastri Canolli, më 18 qershor 2019, i cili ishte edhe bashkëluftëtarë i ngushtë i Komandantit.

Në studion e TV-Diellit, Adem Shehu ai ka folur për angazhimin e tij dhe të eprorëve e luftëtarëve të lirisë, sidomos të atyre nga Jugu i Shqipërisë, disa nga të cilët edhe kishin rënë për çlirimin e Kosovës. Ai veçmas ka çmuar rolin që ka luajtur në SHP të UÇK-së, kolonel, Dilaver Goxhai i cili luftës iu kishte  bashkuar edhe me djalin e tij, Dritanin, oficer i Ushtrisë së Shqipërisë,  heroi, Tahir Sinani, komandant në tri luftëtar Çlirimtare, pastaj kolonel, Bardhyl Tahiri e disa të tjerë. Ka përmendur edhe rënien heroike të dëshmorëve, Astrit Suli nga Berati, Endrit Cara nga Kavaja dhe të dëshmorëve të tjerë, të cilët kanë rënë në frontet e luftës në Kosovë.

Ai ka rrëfyer se edhe në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, në kuadër të Divizionit të Kukësit, kur kishte qenë komandant i një njësie të artilerisë, e cila kishte për qëllim të ndërhynte në Kosovë, në rast se fillonte lufta dhe të ndihmonte në çlirimin e vëllezërve shqiptarë nga regjimi  i ish RFSJ-së.

Komandanti, Adem Shehu, flet me emocione për luftëtarët e UÇK-së. Për ata që kishin rënë dëshmorë dhe ata që kishin luftuar ballë për ballë kundër forcave serbe, sepse “ne në Zonën e Llapit ishim në kufi me Serbinë nga ku hynte ushtria e policia serbe, por edhe armatimi e tërë logjistika e  tyre, andaj kishim për qëllim që këtyre forcave që vrisnin e masakronin popullatën civile, të iu shkaktonim humbje, t’ i sulmonim ku ata nuk e prisnin dhe t’ ua bënim të pasigurte çdo cep të Kosovës. Dhe kështu kishin vepruar por thuajse në çdo rast kur ata parakalonin me mjete të motorizuara dhe  të armatosur deri në kokë”.

“Në Zonën e Llapit unë gjeta atdhetarë të dëshmuar, eprorë dhe ushtarë, shumica e tyre ishin të burgosur politikë, veprimtarë të hershëm të çështjes kombëtare, burra të kalitur në vështirësitë e jetës, të cilët ishin betuar për çlirimin e vendit dhe qëndronin të patundur në idealin e tyre, për çlirimin e Kosovës” si Fatmir Sopi, Sejdi Veseli, Salih Saliu, Isa Kastrati, Rrahman Dini dhe sa e sa të tjerë.

Duke folur për organizmin e UÇK-së, në Llap, Adem Shehu ka fjalë miradie e lavdie për të gjithë luftëtarët dhe eprorët, që nga Komandanti i Zonës, Rrustem Mustafa e deri te luftëtari më i ri në moshë, i cili iu kishte bashkuar radhëve të çlirimtarëve. Ai çmon lart popullatën civile, e cila kishte rrezikuar krejt çka kishte pasur dhe ishte vënë në shërbim të luftës, në strehim dhe ushqim të ushtarëve. Dhe pikërisht për ta mbrojtur këtë popullatë shumë luftëtarë të lirisë kishin rënë në altarin e atdheut. “Ky ishte karakteri popullor i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse bashkimi me popullin kurdoherë dhe në çdo periudhë të historisë sonë kombëtare ka dhënë rezultate të pamohueshme”. Po ashtu ka spikatur edhe rastin se lufta e UÇK-së si luftë popullore aleatin kryesor kishte malin, terrenin e përshtatshëm për sulme të befasishme, por mbi të gjitha kishte moralin e lartë ushtarak, duke ilustruar me  rastin kur një luftëtar, iu kishte bashkuar radhëve të çlirimtarëve me një çifte gjuetie…

Adem Shehu ka folur edhe për kontributin madhor që kanë dhënë luftëtarët e Zonës së Llapit në Çlirimin e Prishtinës, ku ata kishin hyrë, që nga fillimi i qershorit të vitit 1999 me urdhër ushtarak, me qëllim për të bashkërenditur aksionet me rastin e fillimit të tërheqjes së forcave serbe, të cilët vrisnin shqiptarë, kidnaponin, plaçkitnin e më pas u digjnin shtëpitë. Hyrja e trupave të këmbësorisë së NATO-s, më 12 qershor 1999 kishte gjetur në Prishtinë, UÇK-në, aleatin e saj të pashpallur. Ai ka vërejtur se edhe 20 vjet pas nuk kemi një datë unike për çlirimin e Kosovës, por kemi datat kur janë çliruar qytetet me rastin e depërtimit të forcave të UÇK-së.

Duke folur për dekoratat e mirënjohjet e munguara të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi për më meritorët në 20-vjetorin e çlirimit, ai ka vlerësuar se  “dekoratat e mirënjohjet më të përzemërta i kemi marrë nga populli i Kosovës dhe nga shqiptarët liridashës, kudo ku janë ata, pastaj nga bashkëluftëtarët, familjarët e dëshmorëve. Prita me këtë rast një ftesë nga kryetari i Kosovës për të marrë pjesë në 20-vjetorin  jubilar të çlirimit, por unë as bashkëluftëtarët e mi nuk i morëm ato. Pavarësisht nga kjo po të shpall gjendje lufte kryetari, që është edhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, unë do të vendosem në detyrë ushtarake për ta mbrojtur  atdheun tim”, ka thënë mes tjerash në bisedën e tij për TV-Diellin dhe Radion-Kosova e Lirë, komandanti i Brigadës 153, të Zonës Operative të Llapit gjatë luftës, Adem Shehu.

Të saktësojmë  me këtë rast se por në këtë përvjetor jubilar, kryetari i Kosovës Hashim Thaçi dekoroi 39 personalitete në Shqipëri, madje edhe gazetarë e shkrimtarë, disa syresh edhe pas vdekjes dhe anashkaloi më meritorët e luftës, në mesin e tyre edhe  vetë komandantin e tri luftërave çlirimtare, Tahir Sinanin dhe dëshmorët, që kishin ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë dhe kishin rënë në Kosovë.

(Bisedën në Studion e TV-Diellit me komandant, Adem Shehun e zhvilloi, Ahmet Qeriqi)

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

– “Në Tepelenë ka disa grupe labe që mbajnë gjallë dhe mbartin këngën më të …