Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur në takim ekipin e ISG-së nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë në vizitë të rregullt në FSK për ushtrimin në tavolinë (Top Table Exercise – TTX) për fushën e logjistikës.
Gjatë këtij takimi, Komandanti i FSK-së i uroi mirëseardhje ekipit të ISG-së dhe i njoftoi për zhvillimet dhe të arriturat e fundit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të ISG-së përgjatë viteve në të gjitha fushat e zhvillimit të FSK-së.
Gjithashtu u diskutua edhe mbështetja e ISG-së në realizimin e TTXLOG dhe rëndësia e këtij ushtrimi për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Fusha e Logjistikës si një ndër fushat kyçe për zhvillimin e FSK-së, mbetet prioritet i KOMFSK-së. Të dalurat e këtij ushtrimi do të analizohen në të gjitha nivelet dhe do të zbatohen nga linjat përkatëse të FSK-së.
Ekipi i ISG-së po qëndron në vizitë në FSK me rastin e TTXLOG ku ka rolin këshillues për zbatimin e procedurave logjistike në të gjitha nivelet në linjë me standardet më të larta profesionale. Ky ekip ka qenë dhe mbetet ndër akterët kyç në dhënien e këshillave profesionale për ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të gjitha nivelet gjatë Planit Gjithpërfshirës të Tranzicionit, konform standardeve më të larta të ushtrive të NATO-së.