Komandanti i Zonës Operative të Neredimes, të UÇK-së, Shukri Buja, ka bërë homazhe në Reçak, në nderim të 45 civilëve shqiptarë që ranë në Masakrën e 15 janarit 1999. Në fjalën e tij, Buja e përshkroi Reçakun si një vend që dhemb sa herë përmendet, një simbol të gjakut, lotit dhe dinjitetit të një kombi që nuk u përkul. Ai rikujtoi se krimi i Reçakut ndezi ndërgjegjet ndërkombëtare dhe mobilizoi NATO-n, forca më e madhe ushtarake e botës, për të mbështetur drejtësinë dhe lirinë e Kosovës. “Çdo kujtim është plagë, çdo emër i rënë është një pjesë e zemrës sonë. Por bashkë me dhimbjen jeton krenaria, krenaria që nuk u dorëzuam, që luftuam për të drejtën tonë për të jetuar të lirë,” tha Buja. Ai shtoi se ata që sot flasin lehtë për ato ditë të rënda nuk mund të kuptojnë çfarë do të thotë të shohësh vdekjen në sy dhe të mos tërhiqesh. “Lavdi e përjetshme të rënëve për liri! Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit! Nderim i thellë dhe respekt i pafund për bashkëluftëtarët e mi!” përfundoi Shukri Buja.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
