Nën udhëheqjen e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, është mbajtur mbledhja e gjashtë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF).
Një nga çështjet kyçe të trajtuara në këtë mbledhje ishte Korniza Afatmesme Buxhetore për periudhën 2026–2028, përmes së cilës anëtarët u njohën me planifikimet buxhetore për tri vitet e ardhshme, si pjesë e koordinimit strategjik të politikave financiare në nivel komunal.
Gjithashtu, në mbledhje u diskutua propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm për një pjesë të ngastrës kadastrale nr. 555-0 në Zonën Kadastrale Balaj, e cila është pronë private. Ky propozim ka për qëllim realizimin e një projekti me interes publik.
Në këtë mbledhje u shtuan edhe disa pika të rendit të ditës, të cilat do të trajtohen në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal.
Mbledhja e ardhshme e Kuvendit të Komunës së Ferizajt do të mbahet më 30 qershor 2025, duke filluar nga ora 10:00.