Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Pensionistëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe me simpatizantët e saj “ELITA” – Dega në Karadak.
Kjo marrëveshje synon institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet palëve dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në interes të qytetarëve të komunës së Vitisë.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje parashihet bashkëpunimi në menaxhimin e situatave emergjente dhe fatkeqësive natyrore, organizimi i trajnimeve dhe aktiviteteve vetëdijësuese për qytetarët, si dhe ofrimi i mbështetjes profesionale në fushën e kërkim-shpëtimit dhe reagimit në raste emergjente.
Gjithashtu, marrëveshja parasheh bashkëpunim dhe koordinim edhe me njësitë e zjarrfikësve vullnetarë, me qëllim rritjen e kapaciteteve për reagim të shpejtë dhe efikas në raste zjarresh dhe emergjencash të tjera.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet forcimi i kapaciteteve lokale, rritja e bashkëpunimit institucional dhe përfshirja e strukturave vullnetare në shërbim të sigurisë, mbrojtjes dhe mirëqenies së qytetarëve.