Vendimi i Gjykatës speciale në Hagë për t’iu ndaluar njëmbëdhjetë personave vizitat te ish-presidenti Hashim Thaçi po ngjall reagime të ashpra nga juristë, organizata dhe bashkëluftëtarë të tij. Më 18 gusht 2025, gjyqtarja Marjorie Masselot vendosi ndalimin e vizitave për një grup personash, mes tyre Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla dhe Milaim Ahmetaj, me arsyetimin se këto vizita mund të cënojnë procesin gjyqësor. Avokati Artan Qerkini e ka cilësuar këtë si shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për jetë private dhe familjare. Sipas tij, kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk ka kaluar testin e proporcionalitetit, sidomos tani kur në shtator pritet të nisin dëgjimet e dëshmitarëve nga mbrojtja. Edhe drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, kritikoi vendimin, duke thënë se Gjykata po pranon kërkesat e Prokurorisë, por refuzon ato të mbrojtjes. Në të njëjtën linjë, Hysni Gucati nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së e quajti vendimin të turpshëm dhe për keqardhje. Ish-presidenti Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa më 15 shtator 2025 pritet të nis paraqitja e provave nga mbrojtja në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
