Rritja e popullsisë historikisht ka qenë shenjë e prosperitetit, por një trend i ri global tregon rënie të dukshme në shumë vende. Sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2024, 42 vende dhe territore po përjetojnë tkurrje demografike, disa prej të cilave me ritme alarmante. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre vendeve ndodhen në Evropën Lindore. Kosova, Moldavia dhe Maqedonia e Veriut shënojnë rëniet më të mëdha të popullsisë, kryesisht për shkak të emigrimit masiv drejt vendeve të zhvilluara. Edhe Shqipëria renditet në vendin e nëntë global për tkurrje, sipas raportit të Bankës Botërore. Ekspertët vënë në dukje se shkaku kryesor i këtij fenomeni është lëvizshmëria e punës dhe hendeku i pagave me vendet e Evropës Perëndimore, që e bëjnë emigrimin një zgjedhje të favorshme për qytetarët. Integrimi gradual në Bashkimin Evropian ka krijuar gjithashtu rrugë ligjore për largimin e punëtorëve, duke thelluar më tej tkurrjen demografike. Ky trend paraqet një sfidë serioze për zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit, pasi humbja e popullsisë fuqizon plakjen demografike dhe zvogëlon kapitalin njerëzor të vendeve të prekura.