leoni

Kosova ende jashtë zonës SEPA për shkak të ligjeve të bllokuara në Kushtetuese

Ekonomia e Kosovës ka humbur rreth 29 milionë euro vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 për shkak të vonesave në anëtarësimin e vendit në zonën e vetme të pagesave evropiane, SEPA, sipas Këshillit të Investitorëve Evropianë. Pengesa kryesore mbeten ligjet që aktualisht shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese: Ligji për Bankat, Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe ndryshimet në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit. Kushtetuesja nuk ka dhënë afat se kur do të vendosë për këto ligje, të miratuara në dhjetorin e vitit të kaluar dhe dërguar në interpretim nga Partia Demokratike. Banka Qendrore e Kosovës ka nxjerrë rregulloret përkatëse dhe ka paraaplikuar në SEPA, ndërsa vlerësimi për harmonizimin e tyre me legjislacionin e BE-së është në proces. Anëtarësimi në SEPA do të mundësonte pagesa më të shpejta, më të lira dhe më të thjeshta për qytetarët dhe bizneset, përmirësim të menaxhimit të likuiditetit për ndërmarrjet vendore dhe qasje më të mirë në tregjet ndërkombëtare. EIC thekson rëndësinë e këtij hapës drejt modernizimit të sistemit financiar dhe përafrimit me standardet evropiane, duke e konsideruar vonesën si humbje ekonomike të konsiderueshme. Përfitimet vjetore të mundshme të anëtarësimit në SEPA kapin rreth 55 milionë euro. Kosova ka mundësinë reale të mos mbetet pas vendeve fqinje, pasi Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tashmë kryejnë pagesa në euro përmes SEPA. Këshilli i Investitorëve Evropianë thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjet e bllokuara është kyç për të mundësuar vazhdimësinë e reformave financiare dhe përfitimet e drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset e vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Jakup Nura: Paaftësi dhe mungesë guximi, LVV duhet të shkojë në opozitë

Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e …