te Pagjeturit

Kosova ka kërkuar nga BE-ja të caktojë një emisar special për të pagjeturit

Radio- Evropa e Lirë ka bërë të ditur se çështja e të pagjeturve nga Kosova, e vlerësuar si më e dhimbshmja që prej përfundimit të luftës në vitin 1999, mund të hapet në bisedat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sado që ajo deri tani nuk ka arritur të bëhet pjesë e agjendës së dialogut, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Madje, dialoguesja, Edita Tahiri, ka thënë se “përfaqësuesit e Kosovës kanë kërkuar shumë herë, nga BE-ja që të caktojë një emisar special, i cili do të merrej vetëm me çështjen e të pagjeturve”. Në Kosovë, ndërkaq, shqetësimet me ngadalësinë e procesit të zbardhjes së fatit të të zhdukurve, janë rritur dhe familjet e të pagjeturve “thonë se nuk është bërë aq sa duhet për të gjetur zgjidhjen për ta”. Çështja e të pagjeturve është thënë shumë herë se do të mund të ngrihet në instancat më të larta ndërkombëtare, dhe autoritetet e vendit kanë thënë se do t`i kërkojnë Bashkimit Evropian që të bëjë më shumë presion mbi Beogradin për ta zbardhur fatin e të pagjeturve.

Madje, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se kanë kërkuar nga BE-ja që çështja e të pagjeturve të bëhet pjesë e bisedave me Beogradin zyrtar për të gjetur zgjidhjen për të gjithë personave të zhdukur. Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se beson futjen e kësaj çështjeje në kuadër të pjesës së dialogut, në të cilin “do të hapet problemi i reparacionit të luftës”.

“Vazhdimisht, edhe kryeministri i mëhershëm, Thaçi, dhe kryeministri i tanishëm, Mustafa, në takimet me përfaqësuesen e BE-së në atë kohë, Ashton dhe tani Mogherini, e shtrojnë kërkesën që kjo çështje të jetë në agjendën e bisedimeve. Ma merr mendja që do të fillojë edhe faza e tretë e dialogut ku ne në kuadër të temave të reparacionit të luftës, tema kryesore do të jetë çështja e të pagjeturve”, theksoi Tahiri.

Për familjarët e të pagjeturve është e “pakuptueshme zvarritja e procesit të zbardhjes së fatit të të zhdukurve”, ndërkohë që Haki Kasumi, nënkryetar i Këshillit Familjar për Persona të Zhdukur në Kosovë, kjo çështje po neglizhohet edhe nga autoritetet e vendit.

 “Ne konsiderojmë se është çështje e interesit politik, për të mos thënë ekskluzivisht e palës serbe, e cila është fajtore kryesore dhe e cila është adresë kryesore, që do të jepte informacion. Unë, dhe familjaret e kësaj kategorie konsiderojmë se pjesërisht fajtor është edhe pala e Kosovës. Po të ishte njëra palë këmbëngulëse dhe po të përkrahej kërkesa jonë e drejtë, sigurisht se kjo çështje do të ngrihej në nivel të lartë”, tha Kasumi. (REL)

Kontrolloni gjithashtu

Specialja lejon Prokurorinë të zbulojë materiale shtesë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Gjykata Speciale në Hagë kanë miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të …