UNESCO

Gilbert Gardes: Dokument në mbështetje të pranimit të Republikës së Kosovës në UNESCO 2015/2017

Gilbert Gardes është historian francez i historisë së Artit dhe autor i mbi 250 botimeve që nga viti 1967 kur doktoroi në drejtimin e historisë së Artit dhe më pas në Letërsi. Ai u bë i njohur ndër shqiptarët me publikimin e librit të parë për Shqipërinë (1995)1. Gjatë luftës së Kosovës, i ftuar në një emision radiofonik, njoftohet me bashkëpjesëmarrësin, Xhevat Bislimin, asokohe drejtues i LPK-së dhe përfaqësues i UÇK në Francë. Ndërmjet dy figurave lind një miqësi, që do ta bën të interesohet më gjerë për bashkësinë shqiptare që do t’i kushtojë edhe serinë e artikujve: “Lioni dhe Kosova”2. Gilbert Gardes njihet sot si specialisti më eminent i historisë së artit në rajonin e Rhonë-Alpes e në Francë dhe është ndër njohësit më të respektuar të monumenteve publike në nivel ndërkombëtar. Njohës i zhvillimeve në botën shqiptare ai ka qenë ndër organizatorët e konferencës së Mathieu Aref në Lion me ç’rast boton kumtesën3. Miku i shqiptarëve është duke përgatitur edhe një libër për Kosovën. Artikulli është përpunuar bazuar nga letra e dërguar nga Z. Gilbert Gardes UNESCO-së dhe Shteteve të ndryshme në përkrahje të pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

LETRA DARDANE, KOSOVA PARADOKSALE

Kosova është një vend paradoksal. Një ide, një fakt ende pa u siguruar mirë imponohet e kundërta dhe nga përplasja e këtyre kundërshtive lind në perspektivë një e vërtetë. A ka një ndërveprim të veçantë ndërmjet mendësisë së këtij populli dhe territorit ku banon? A e formësojnë njëri tjetrin?

Kosova vuan nga një imazh që nuk përkon me realitetin, Kosova është një vend i pasur, i ulur mbi një thesar nëntokësor, por me një komb të varfër që ka dhënë shumë, të cilin e braktisin banorët e saj të rraskapitur. E pasur me një trashëgimi të shumëllojshme të përçmuar, Kosova ka ndërmarrë të rindërtoj kujtesën e vet kolektive. Skulptura publike parashtron çuditërisht pyetjen e luftës apo të paqes për shqiptarët, për Ballkanin, madje edhe për tërë njerëzimin.

KOSOVA VUAN NGA NJË IMAZH QË NUK PËRKON ME REALITETIN

I rrënuar po aq sa është rrënuar vet Kosova, imazhi ndërkombëtar i Kosovës shpjegohet pjesërisht nga një mospërputhje ndërmjet reputacionit negativ dhe realitetit pozitiv. Kosova vuan nga një dyzim i personalitetit.

Ky imazh vjen si pasojë e “ trajtimit paragjykues” nga shtypi që privilegjon  informatat negative kundrejt atyre pozitive. Të mirat heshtën, kur nga të këqijat bëhen shitjet e gazetave. Sa i përket figurës së dashur të këtij vendi, e përbërë nga peizazhet dhe trashëgimia e objekteve historike, ajo injorohet. A është domosdoshmërish mospërfillja sinonim i mos ekzistencës?

Atëherë, kush do t’i ngre lavde mikpritjes tradicionale, të këndshme dhe thuajse të lashtë, të një vendi në të cilin banorët, me veti të pavarur dhe krenar, kanë të përbashkët një shtat të hedhur,  një gjallëri të trupit dhe të mendjes, një shkathtësi dhe një mirësjellje natyrore, ku njerëzit përshëndeten ende si në kohët e lashta me një të rame burrërore pas shpine?

Kush do t’i ngre lavde mikpritjes së nikoqirit që mirëpret mysafirin besnik, e merr nën mbrojtjen e tij, i paraprinë dëshirave të tij, e strehon pa bujë në banesën apo në shtëpinë e tij, kujdeset për çdo gjë gjatë qëndrimit dhe, kur qëndrimi të ketë përfunduar, e përcjellë me miradije deri në vend të sigurt, i vetëdijshëm sa është jeta e tij e çmueshme për të gjithë?

Kush do të rrëfej  kënaqësitë e thjeshta e të kënaqurit në brigjet e Drinit duke ngrënë një peshk të shijshëm, kënaqësinë e të krahasuarit shijet e mjaltës së koshereve të Junikut apo për kënaqësinë e të shijuarit në Prizren një lëng trëndafili në një sofër shqiptare të besimit islam.

Kush do të rrëfej kënaqësinë e të shijuarit të një jogurti të freskët nga qumështi i deleve, e të freskuarit me një bozë apo, si në Zhur, të biseduarit gjatë në kullën e Reshat Hoxhajt, duke gjerbuar kafenë ”a la turke”(“jo, jo, më falni, thoni më mirë kafenë shqiptarçe!”) i ulur këmbëkryq në “odën e burrave”?”

Kush do të flas për guximin e pa gabueshëm përballë vështirësive, forcën morale të fjalës së dhënë, respektin tashmë mjaft të lashtë të Kanunit, kod i nderit dhe i të drejtës zakonore që Christian Gut e përktheu në frëngjisht4?

Më në fund, kush do t’i thurrte lavde ndershmërisë shembullore të shqiptarit të miredukuar të Kosovës, kur vetëm ligësia e cave përflitet?

E  ULUR MBI NJË THESAR, KOSOVA ËSHTË “NJË UJËDHESË ” TË CILëN E BRAKTISIN BANORËT E SAJ TË VARFËRUAR

Në kuptimin e një ”hapësire të kufizuar”, e izoluar në zemrën e Ballkanit, Kosova është një ujëdhesë. Gjeografia mesjetare e quante Ujdhesë e  Avalonit5 vendin e mbretit Artur; gjersa e thërrasim edhe sot Ishull i Francës, Parisit. Vërejmë se mentalitetet Korsikane dhe Sardenjase kanë aq shumë ngjashmëri me këtë vend sa që ta quash “Ishull i Kosovës” nuk do të ishte e papërshtatshme!

Ky emërtim tregon gjithashtu sa është e rëndësisë parësore që t’i qasemi mirë çështjes së këtij kontinenti në miniaturë, zbulimi i të cilit vetëm sa ka filluar nga Perëndimi. Për vendet që e kanë sunduar, kjo tokë qe gjithmonë një tokë që shtrihej në kufinjtë e vendit, madje edhe për vet Ilirinë, Shqipërinë dhe Serbinë përkundër që kjo e fundit e shpalli Prizrenin një kryeqytet.

Ndonëse pak udhëtarë, aq më pak turistë, e kanë përshkruar në kujtimet e tyre të udhëtimeve, Kosova, të cilën Udhërrëfyesi i kaltër i Jugosllavisë (1968)6 e injoron deri në heshtjen e emrit të saj sikur të ishte ndonjë ishull i Antipodëve, duam apo s’duam, është një udhëkryq ballkanik i bashkëjetesës. Sot, kosovarët ikin nga një vend, i cili dje qe tokë e strehimit për mijëra shqiptarë (muhagjerë) të shpërngulur prej tokave  të tyre nga serbët.

I rrethuar me male, ky vend i rrafshnaltave dhe luginave është kështjellë uji e Ballkanit, një kryqëzim i rrugëve romake, mbase ende jo një nyje hekurudhore trans ballkanike.

Kosova është fushëbeteja e mbyllur, e rastësishme apo e parapëlqyer e përleshjeve të shumta të armatosura (Lufta e Fushës së Mëllenjave, 1389), një territor i gueriles. Cili imazh është më tërheqës dhe më mashtrues se ai i Qendrës së Ferizajt, ku kisha ortodokse dhe xhamia defilojnë mur për muri, ku në ditët e stuhishme (vetëm atyre ditëve!), në qiell ylberi shenjtëron pasqyrimin e diellit me një parhelion?

Në thellësi të nëntokës minerale të Kosovës (-800 m), shtresa argjendi të mbushura me ar, të shfrytëzuara që nga lashtësia, ngërthejnë një mollë sherri që romakë, bizantinë, turq dhe serbë e kafshojnë me radhë. Ato mundësojnë ngritjen e fondeve të nevojshme për ndërtimin e manastireve dhe të kishave të shndritshme ortodokse: Graçanica, Nënë e Perëndisë, Patrikana, Shën Arkangjelin…) dhe në Stamboll të xhamive dhe pallateve të shndritshme, duke financuar njëkohësisht mozaikët polikromatike dhe afresket të njërit dhe muret e dekoruar me piktura dhe mermer të tjetrit.

Nga viti 1928 korporatat ndërkombëtare anglo-saksone hedhin grepin mbi këtë pasuri dhe nuk ka djall të na tregojë se si u përdorën këto mjete. Të shfrytëzuara kryesisht në Trepçë, këto miniera ushqenin edhe Venedikun me dukate tingëlluese prej ari si dhe furnizojnë me plumb dhe zink shoqërinë komuniste dhe post komuniste. Nesër, këto  shtresa unike me minerale të rralla, do të jenë “lumturia” e Evropës.

Veçanti tjetër e jashtëzakonshme e këtyre galerive të errëta, ku me mijëra minatorë u rraskapitën në greva dëshpëruese (1988-1989), është aktiviteti gjeologjik i gjatë që me durim ka formuar ngurtësira të kristalta të mrekullueshme, të cilat kërkohen shumë nga koleksionuesit e kristaleve. Fatmirësisht, një muze mineralogjik, i krijuar në vitin 1967 dhe i rindërtuar në vitin 2005, i krahasueshëm me Crystal Hall të Bullgarisë dhe Muzeun e Beogradit, paraqet në sytë e mahnitur të vizitorit këtë trashëgimi minerare.

Nëse vërtetë është poetik, emërtimi shkurt si “ishull” nuk është më pak i saktë. Një emërtim i tillë sugjeron një ekzistencë të veçantë, madje të izoluar ndoshta deri në jetë të mbyllur në vete.

Të praktikuara që në kohën e lashtësisë, arkitekturat e mbrojtjes pasive, siç është moria e fortesave dhe kalave që mbulojnë territorin, janë një tipar i vazhdueshëm i urbanizmit. Të thuhet se fortifikatat e Novamontes (Artanës) dhe të Vushtrrisë janë kasaforte, nuk është një metaforë! Madje edhe vet origjina e emrit të shqiptarëve, nga ”shqiponja”, supozon një traditë të vëzhgimit ajror!

E dëmshme për marrëdhëniet në mes popujve, kjo mbyllje në vete shpjegohet nga agresiviteti mijëvjeçar i fuqive kundërshtare të ndryshme që shpiu në mohimin e madh të shqiptarëve. Ky tipar i mentalitetit të mbyllur nuk i përshtatet fare karakterit të hapur të shqiptarëve, të cilëve iu imponua nën shtypjen e pushtimeve të përhershme. Kjo nevojë e mbrojtjes, kjo jetë e kufizuar “në mes nesh”, shpie në mbyllje në vete deri në shekujt XIX-XX kur u ndërtuan kullat, pirgje të fortifikuara të banimit, të cilat të kujtojnë një mënyrë jetese me karakter neo-mesjetar bazuar në një ekonomi të vetëmjaftueshmërisë, sa që një qendër banimi si Isniqi shërben si ambient i ngjarjeve të librit të Berit Backer, Behinb stone ëalls7.

Por, më shumë se një kureshtje, kjo arkitekturë është bërë në mënyrë paradoksale një simbol kombëtar i veçantë i vullnetit për liri. E paraparë për të mbajtur tjetrin larg, kulla bëhet shenjë e afrimit, e cila fton turistin ta vizitojë. Ky objekt i paanashkalueshëm, unik për nga mundësitë e përdorimit: kafene, hotel, muze, monument përkujtimor i luftës së viteve 1998-99, banesë luksi, shëndrohet në një pasuri të veçante origjinale. “Stili kulla!” ka hyrë në trend. Për fat, kulla e Isa Boletinit ende dëshmon për këtë aristokraci të lirisë së armatosur.

KOMB MISTIK APO ATDHETAR?

Shqiptarët i konsiderojnë fetë për aq sa vlejnë, mohojnë të jenë mistikë- edhe pse Prizreni mund të llogaritet kryeqyteti fetar i Ballkanit- ndërsa një elitë shpallet vendosmërisht”laike”, fjalë e cila përfshinë agnostikët  dhe ateistët.

Kosova numëron gjashtë fe kryesore plus një: atdhetarizmin. E fundit, më shumë se cilado, zë vend në zemrën e shqiptarëve dhe ka përparësinë të mos jetë përjashtuese. Atdhetari mund të jetë mysliman apo i krishterë, gjithsesi katolik, më rrallë serb-ortodoks. Megjithatë, atdhetarizmi i pakicës serbe ndaj vendit mikpritës është pak sa ” i vakët” për të mos thënë jo ekzistues, edhe pse kanë kaluar shumë shekuj që nga ardhja e disave… Ndarja etnike që tregojnë monumentet e luftëtarëve të rënë në Luftën e Parë Botërore (Viti), nga ku janë hequr emrat e shqiptarëve, është tmerruese. Megjithatë, kjo trashëgimi e Kosovës duhet të restaurohet në mënyrë të paanshme.

Vendeve natyrore simbolike (pyje, gurishta) dhe tempujve politeistë ( kanë pushuar së ekzistuari apo janë rrënuar) nga periudha pagane, u janë mbivendosur kishat katolike dhe ortodokse, xhamitë sunite, teqetë dhe tyrbet e vëllazërive safitë e sinagogat çifute.

Duhet nënvizuar se, përtej prozelitizmit dhe dhembshurisë, ithtarët e këtyre feve luajnë një rol vendimtar në fitimin e pavarësisë shqiptare dhe farkojnë identitetin e Kosovës.

Njëkohësisht me Rilindjen shqiptare shtohet intensiteti i kërkimit të rrënjëve të kombit, madje të një periudhe të artë Ilire mitike. Nga këto rrënjë ringjallen simbole ikonografike. Të gravuar apo të gdhendur, ato karakterizojnë arkitekturën shtëpiake dhe mobilimin e brendshëm, ashtu si dhe koshat e hambarët, drithnikë me grurë karakteristikë të Kosovës. Më vështirë të dukshëm se një flamur, ata vërtetojnë lidhjen e privilegjuar iliro-shqiptare, shënjojnë banesën e një atdhetari më shumë përtej aftësive të tyre zbukuruese.

Rastësi befasuese, turqit sollën në Kosovë një simbolikë myslimane të ngjashme (por të dallueshme) origjina e së cilës vjen nga Sumeria, 3000 vite para erës sonë. Po aq të rafinuar, ilirët nga ana e tyre, shumë kohë para erës sonë, ngërthenin motive të njëjta. Vula ezoterike e Salomonit apo heksagrami, e përhapur botërisht që 5000 vite, në Kosovë ka një burim të dyfishtë. Nëse e marrim me mend se kjo grafemë e pazakonshme gjendet te simbolet antike, katolike, ortodokse dhe çifute, atëherë jemi në prani të një shembulli të përkryer të karakterit thellësisht sinkretik të qytetërimit të Kosovës dhe të vështirësisë për hulumtuesin të identifikojë një origjinë të caktuar. E njëjta vështirësi vlen edhe për çështjet gjuhësore dhe arkitektonike.

Katolicizmi romak e konsideron vetën si religjioni ” tradicional” i Kosovës. Ai ka martirët e vet, Shën Flori e Shën Luri, sajimi i nevojshëm i relikteve të të cilëve në shekullin e IV paraprin pushtimin osman.

Në Prizren, katedralja katolike e vitit 1870 paraqet një ikonografi të pasur “mbrojtëse-sulmuese”. Atdhetarizmi i Skënderbeut aty lavdërohet, barazi me atë të Janosh Huniadit, pararendës të ri të vendosur në praparojë të  Virgjëreshës së zezë të Letnicës.  Ikonë e dhembshurisë dhe roje në pararojë, ajo është bërë vend pelegrinazhi vjetor i protestantëve gazmor amerikan të KFOR-it të cilët kërkojnë ndërmjetësimin hyjnor të kësaj  kukulle magjike.

Konvertimi i banorëve të Kosovës në Islam rrjedhë nga lufta fetare, e cila u fitua nga Perandoria osmane dhe u humb nga bota e Krishterë. Ajo përdori forcën, çdo mjetë shtypje ekzistues dhe përfitoi nga një pushtim shekullor i pandërprerë, shkaktar i njohur i vonesës intelektuale të fituar nga tërësia e Ballkanit.

Ndër faktet e panumërta të rezistencës ndaj turkut mysliman, është rasti i “ kripto-katolikëve” të rajonit të Stubllës, që ngrenë në filozofi mentalitetin e normanëve që mund të përmblidhet me moton ”ndoshta po, por ndoshta jo”8, do të ishte qesharake po të mos ishte tragjike.

Si kombinim i besimit dhe oportunizmit për t’ju ikur taksave të ngritura ndaj të panënshtruarve, këta Laramanë përgjigjeshin në dy emra, njërin katolik, për përdorim privat,  tjetrin mysliman, për përdorim në publik! Kjo u kushtoi 25 familjeve të depërtohen në Anadolli në vitin 1846. Të mbijetuarit e këtyre ”martirëve të Stubllës” u riatdhesuan fal ndërhyrjes së Francës.

I veçantë është qëndrimi përparimtar i këtyre dy religjioneve në lëminë politike. Që elita e klerikëve të dy feve të ngrihet për ndjekjen e Osmanëve nga Ballkani dhe fitimin e pavarësisë ka një vlerë shembullore. Atdhetarizmi shërben si katalizator i këtij bashkërendimi pikëpamjesh të pazakonta.

Më i ndërlikuar është rasti me religjionin ortodoks. E dalë nga shteti serb, ajo u shfaqet shqiptarëve në Kosovë vetëm dhunshëm, në dallim prej ortodoksisë greke, e cila përshtatet më lehtë.

Kapja e arsimimit nga qeveritë turke dhe serbe, kufizimi në gojëtari (oral) i një gjuhe, e cila me mund krijoi alfabetin e vet, mungesa e shkollave, pengojnë jetësimin e bashkimit të shqiptarëve. U mbetej shqiptarëve të ndjeknin shembullin e prindërve, të mësuesve të medreseve dhe të shkollave katolike.

Nderi i të qenit pionier i përket Stubllës (Viti, Kosovë), ku Mikel Tarabullusi në vitin 1905 hapi shkollën, ashtu sikur edhe kongregacioneve të vendosura që moti në Shkodër, pararojë e Vatikanit. Ato ngritën një shtypshkronjë për librat shkollor dhe edukuan një njeri me karakter të kalitur si Shtjefën Gjeqovi. Françeskan dhe atdhetar aktiv, mësues kërkues, shtatoren mbresëlënëse e të cilit Sadik Spahiu e ka punuar për Zymin (Prizren), dhe të cilit i referohen ende sot me titullin ” Atë i etnologjisë shqiptare”.

A është rastësi që përpjekja e parë e emancipimit kombëtar fillon në Prizren, qytet i zgjedhur për themelimin e Lidhjes, e cila mbanë emrin e tij? A është rastësi që Ymer Prizreni, imam reformist dhe mësues në medresenë e xhamisë Mehmet Pasha, harton dhe organizon këtë koalicion. Ai vepron me përkrahjen e fuqishme të Abdyl Frashërit dhe vëllezërve të tij, Naimit dhe Samiut, të besimit myslimanë, që janë kalitur pranë babait të tyre imam, më pas pranë shkollës ortodokse greke Zosimea të Janinës, të gjithë poliglotë dhe ithtarë të vëllazërive sufi (Bektashi, të kryegjyshatës), të gjithë të hapur ndaj Lindjes si ndaj Perëndimit. Por, sigurisht se nuk është rastësi që Ymer Prizreni dhe Shtjefen Gjeqovi u vranë, i pari nga turqit, i dyti nga serbët.

                                     NË ZANAFILLEN E KUJTESËS SHQIPTARE

Kërkimi shpirtëror, politik dhe shkencor i rrënjëve të kujtesës shqiptare në Kosovë fillon nga gjuha. Shqyrtimi i teksteve të para në gjuhën shqipe tregon për një komb ende të pavetëdijshëm për dimensionin politik të gjuhës. Ripërvetësimi i gjuhës shqipe nga shqiptarët fillon vërtetë me Rilindjen e shekullit XIX-të.

Izolimi dhe vetmia gjuhësore shkojnë bashkërisht. Dëshpërimisht e vetmuar ndër gjuhët e folura në Evropë, shqipja paraqet dukshëm paradoksin të jetë dyfish e izoluar brenda gjuhëve indo-evropiane si brenda hapësirës së Evropës kontinentale.

Ky popull që ka një mendësi familjare kaq të fortë fletë një gjuhë që është jetime, e cila nuk ka shoqëruese, pasardhëse apo bashkëjetuese gjuhësore. Arsyeja e mos përhapjes së kësaj gjuhe mbetet e pashpjeguar, veçse njihet ekzistenca e dy dialekteve kryesore: toskërishtja dhe gegërishtja, që e përbëjnë. Shtypjet e vazhdueshme nga turqit dhe sllavët kanë përforcuar këtë vetmi mbasi gjuha, si bastion i fundit i pavarësisë mendore, ndahet me tjetrin vetëm në mirëbesim. Djallëzia kokëforte e serbëve mbështetej në idenë e lodhjes psikologjike të shqiptarëve. Si të favorizohet atëherë njohja ndërkombëtare e një gjuhe të panjohur nga të huajt dhe të njohur jo mirë nga folësit e saj? Si munden një grusht njohësish të bindur të dëshmojë lashtësinë e saj në krahasim me gjuhën serbe, turke ose gjithashtu ”greqishtes”? Krenaria e Kombit kërkon që të qartësohet kronologjia e të kaluarës së tij, e cila kërkohet të jetë sa më e lashtë dhe e lavdishme të jetë e mundur.

Me tezën e Mathieu Aref, “Hulumtim mbi Pellazget në zanafillen e qyterërimit grek9” dhe hartën arkeologjike të Kosovës, e publikuar nga Instituti arkeologjik i Kosovës, qartësohet kërkimi mahnitës i rrënjëve të kujtesës shqiptare, që kontribuon në mënyrën e vet në mitin e rikthimit të vazhdueshëm.  Të ripërvetësosh kohën e kaluar, të bësh një lloj ekspansioni mendor në vend të një ekspansioni territorial është urtësi. Fitorja mbi të ardhmen fillon me ripërvetësimin paqësor të së kaluarës.

Ky kantier i përhershëm mundëson të vërtetohet se civilizimet e tre popujve të lashtë të shquar kanë pasuar njëri-tjetrin në territorin e Kosovës. Secili ka gjuhën e tij, me dialektet e saj të mundshëm, gjuhë e folur më shumë se e shkruar. Pellazgët mendohet të kenë qenë banorët e parë, Ilirët pasuan, nën emërtimin topografikë Dardanë. Të ardhur nga Lindja, historia e tyre mitike i lidhë ata me Dardanin10. Nga bashkimi i tyre në Dardani lindin Albanët, emër i dhënë më vonë kësaj popullate, e cila vet riemërohet me emrin Shqiptar.

Çështja e raporteve me “grekët” përparon. Ky emërtim fsheh një përzierje etnish ndër më kryesorët prej të cilave janë edhe Pellazgët, që jetonin në ato territore para Dorianëve dhe Egjipto-fenikasve të ardhur në shekullin e VIII para erës sonë. Sado e largët të jetë, ekziston një lidhje gjaku ndërmjet grekëve dhe shqiptarëve. Mbase kjo mund të shpjegoj mentalitetin epik që kanë të përbashkët këta dy popuj.

Ndonëse një mori provash dëshmojnë një vazhdimësi etnike të pakontestueshme ndërmjet civilizimeve Pellazgë, Ilirë dhe shqiptar, mungon ende ”Guri i Rozetës11” që do të zgjidhte këtë puzzle (mister) gjuhësor. Sidoqoftë, një pjesë e madhe e etimonëve të shqipes bashkohore, të panjohura në të kaluarën, sqarojnë sot fjalë të lashta të cilat mbetën për tu përkthyer.

Sot, rrethimi është qarë. Banorët e Kosovës me dashamirësi dëgjojnë tinguj të huaj miqësore në vendin e tyre, aq më shumë që nga nevoja, të shumtë janë mërgimtarët që kanë “fërkuar trurin e tyre” me të tjerëve, siç do shprehej Montaigne12… Pas shekuj harrese, kujtesa shqiptare ringjallet dhe sjellë zgjidhje çështjeve polemike të kujtesës evropiane.

NGA KUJTESA E HUMBUR TE KUJTESA E RIKTHYER

Vetëdijesimi për ekzistencën e një trashëgimie shqiptare saktësohet kur historianët i kthehen studimit të “folklorit vendor”. Studimet e kulturës popullore shqiptare, kërkimet albanologjike, revistat e publikuara, në shqip dhe në frëngjisht, të cilat u bën edhe vetë tani trashëgimi e pazëvendësueshme, i paraprijnë publikimeve të Institutit arkeologjik të Kosovës. Nderim këtyre pishtarëve, të cilët, duke parafrazuar Rabelais13, do të mund të shpreheshin ” janë gurë të gjallë ata për të cilët shkruaj!”.

Përveç trashëgimisë së arkitekturës fetare, Kosova krijoi edhe një art e të banuarit të veçuar. Krijues, i përshtatur sipas vendeve, i mahnitshëm për gjenialitetin e strukturave të ndërtimit dhe konceptimin e shkathët të qarkullimeve, ky art vjen nga lashtësia por zhvillohet veçanërisht në shekullin XIX, duke u pasuruar edhe nga leksionet mbi rehatin e otomanëve.

Restaurimi i një arkitekture në frymën e atyre që e kanë krijuar, më shumë se një mirësjellje ndaj brezave të ardhshëm, është një kërkim i të vërtetës së domosdoshme, ndryshe do të rrezikohej të venitej imazhi i një kombi. Një dekadë studimi dhe vendqëndrimi (2005-2015) më mundëson të kem një vrojtim të ri, shumëdisiplinor dhe të pavarur mbi trashëgiminë e ndërtuar të Kosovës dhe të përshëndes përmirësimin e gjendjes së saj dhe vetëdijësimin në rritje të administratës dhe popullatës për këtë pasuri të përbashkët të njerëzimit. Paqja e rikthyer, çdo hap i hedhur drejt restaurimeve, largon ethet e luftës dhe rojet vrojtuese, kujdes i nevojshëm në kohëra të turbullta.

Të krahasohen gjendjet e njëpasnjëshme të një arkitekture para dhe pas restaurimit është mbresëlënëse në të gjitha kuptimet e fjalës. Restaurimi nënkupton ”kthimin në gjendjen autentike”, duke respektuar frymën origjinale të krijuesit të saj. Rinovimi nënkupton “kthimin e pamjes ose dukjes së re”, që të kënaqet syri i vrojtuesit të rëndomtë. Vepra bis që vjen si rezultat nuk është më autentike, por duket si e parë në një pasqyrë shtrembëruese. Shikimi i një dublikati të tillë do të shtrembëronte kujtesën e brezave.

Restaurimi duhet të jetë i shpejt, por jo i nxituar. Xhamia e Kaçanikut është një shembull i një rinovimi të mirë, por i një restaurimi të diskutueshëm. Vërtetë, ndryshimet e më parme dhe niveli i degradimit përbëjnë pengesa por duhet të ketë një kujdes të veçantë që restaurimi të mos jetë në kundërshtim me historinë.

Një përmendore funerale si tyrbja e bukur zyrtare e sulltan Muratit nuk duhet të jetë shkas për mburrje të pavend, mbasi ashtu mund ta ndjejnë vizitorët shqiptarë të ndjeshëm. Ringjallja e antagonizmave në mes të islamit turk dhe krishterimit perëndimor nuk është qëllimi i synuar nga një restaurim, madje edhe nëse një karakter agresiv eventual, i qenësishëm në konceptimin e një monumenti ekziston, duhet të ruhet, por të shpjegohet me sqarimet e nevojshme. Restaurimet duhet të jenë të paanshme.

Shtatoret monumentale publike shqiptare në Kosovë, filluan të shfaqen zyrtarisht vetëm pas përkujtimit të njëqind vjetorit tëLidhjes së Prizrenit më 1978.

Shtatoret në këmbë të dy themeluesve të lirisë shqiptare, Abdyl Frashëri dhe të Ymer Prizrenit (nuk dihet përse Sylejman Vokshi, anëtar i kësaj treshe udhëheqëse, nuk ka qenë fare i paraqitur), i kanë nxjerrë mjaft telashe skulptorit, Agim Çavderbasha. Është dashur të zhvarrosen eshtrat e Ymer Prizrenit dhe të rindërtohet fytyra e kësaj figure që ishte rrahur gjerë në vdekje, mbasi nuk ekzistonte asnjë fotografi e tij. Të vandalizuara nga serbët, këto kryevepra u rrënuan dhe Ymer  Prizreni u vra për së dyti.

Mundësia e krijimit të një skulpture monumentale publike të lirë shqiptare në Kosovë filloi vetëm pas viti 1999. E lehtësuar nga përdorimi i lehtë dhe çmimi i lirë i bronzit, ngritja e kësaj trashëgimie metalike të re është e konsiderueshme. Çdo skulptor mund të jetë edhe artizan, si Luan Mulliqi, apo të përdor shkritoren e Pjerin Kolnikajt, në Mënik, afër Tiranës.

Për krijimin e reliefëve, busteve, shtatoreve në këmbë dhe kalorëse artistët i referohen Odhise Paskalit “Atë i skulpturës shqiptare”. Kosova fillimisht falënderon Madelin Olbrajtin dhe Bill Clintonin duke i emëruar rrugët me emrat e tyre, ndërsa këtij të fundit iu bë një shtatore në Prishtinë nga skulptori Izedin Mustafa. Në këtë piedestal të mirënjohjes po ngritet pak nga pak një sër figurash e cila përmban joshjen e panteonit të Kosovës.

Kategoria e mirëbërësve, heronjve e martirëve privilegjohet: Isa Boletini, Rexhep Bislimi (2012, Maksim Mero, skulptor) … Adem Jashari, i fortifikuar në shtëpinë e vet dhe i masakruar nga serbët me familje dhe përkrahësit e tij prej më shumë se 80 veta, mishëron figurën e heroit të flijuar. Ai ngërthen një tip të ri të komemoracionit. I ruajtur si një relikt fetar, tërësia e memorialit Adem Jashari ruhet si muze tragjik i tmerrit, siç është në Francë Oradour-sur-Glane14, dhe është vend i një pelegrinazhi laik gjithpopullor.

Personalitetet e besimit të krishterë, si Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi, Fan Noli (etj…) janë të njohur, ashtu si dhe atdhetarë eruditë si Anton Çetta ( Fatmir T.H. Gjakova, skulptor).

Shqiptarët e Kosovës vazhdojnë kërkimin e tyre në kujtesën historike. Duke rindërtuar kujtesën heroike, ata zënë hapin e shekujve të humbur për t’iu bashkërenduar skulpturës perëndimore. Por kjo e fundit është zhvilluar në dobi të artit jo-figurativ dhe të temave jo historike, të lidhura me zbavitjen dhe gëzimin.

Pogradeci dhe Tirana e kanë zënë hapin. Kalimtari përshëndet qenin e vogël të poetit Lasgush Pogradeci, i cili shëtitet me zotërinë e vet, shtatorja e të cilit, vepër e Mumtas Dhramit, është më shumë portret se figurë.

Ndërkohë, dy figura të kudo ndodhura ndajnë kujtesën kolektive. Paradoks, ekzistenca e tyre i vendos ata në kufijtë e botëve të ndryshme, në mes të dy etnive, ashtu sikur shqiptarët, të shtrirë në udhëkryqin e civilizimeve të ndryshme.

I vlerësuar si themelues , bashkues, mbrojtës i kombit dhe “pararojë e krishterimit”, Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbe (1405-1468) është portretizimi i shkëlqyeshëm i Heroit shqiptar, përsosmëria dhe pasqyra e shndritshme e identitetit shqiptar. Një shtatore kalorëse e tij është vënë fillimisht në Krujë (Janaq Paço, 1959), pastaj e dyta në Tiranë (nga Odhise Paskali, 1983) dhe e treta në Prishtinë ( 2001 sipas Janaq Paços).

Përmasat e këtij përkujtimi të shumëfishtë të heroit në kalë, veshur me koracë dhe i armatosur, shtatlartë, tejkalohet mirësjellshëm në Kosovë dhe në nivelin ndërkombëtar, nga një grua e vogël, Nënë Tereza (1910-1997), të cilës artistët mundohen rishtazi t’i gdhendin sa më bukur fytyrën e vrazhdë, por me një buzëqeshje të ëmbël, duke u dalluar nga njëri-tjetri falë variacioneve subtile të vijave të kaltra të mbulesës së saj të bardhë. Dobësia triumfuese e dhjetëra figurave nga bronzi me tiparet e kësaj mirëbërseje të njerëzimit vjen në kohën e duhur për të zbutur epshet luftarake.

KUJTESË APO ANTI KUJTESË? LUFTË APO PAQE?

Art politik, monumenti publik është një armë. Që nga revolucioni francez kjo vegël demokratike i jep popullit, i cili supozohet të frymëzohet nga to, shembullin e elitave të zgjedhura për të frymëzuar kombin drejtë një ardhmërie më të mirë. Por, nëse keqpërdoret, skulptura politike shërben si instrument sundimi dhe falsifikon historinë.

Zhvillimi i ri i monumentit politik në Ballkan nuk është i rastësishëm. Çdo vend, nën pretekstin e përkujtimit të lavdisë së tij, thërret në piedestal dhe nën qiell armatën e panumërt të elitave të tij të vdekura.

Teatri i ballafaqimit në mes të sllavëve dhe shqiptarëve është vendosur në lindje, në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe vë në lojë edhe Greqinë. Si në teatrin e bulevardit15, grindja është çështje e trashëgimisë. Ndarja e përkujtimit të Aleksandrit të Madh (Leka i Madh), dhe në një masë më të vogël e Nënë Terezës, është një nyje e pazgjidhshme, e cila ngërthen motivime tjera.

Për të shmangur një konflikt të përgjithshëm, derdhja e bojës dhe bronzit në vend të barotit është një zgjedhje që duket e qëlluar para këtij rreziku. Luftërat ballkanike vazhdojnë me shtatore të ndërmjetme. Ashtu si dikur kampionet fyheshin me njëri tjetrin, mburreshin me kapadaillëkun e tyre, për t’u tërhequr më në fund para se të vinte te derdhja e gjakut, edhe sot para syve tanë ndodh një “mbartje ”, madje një “psikodramë kolektive”.

“Fabula e gdhendur e dy Aleksandërve” ngërthen një shembull bindës. Skena zhvillohet në Shkup, kryeqyteti maqedon i pëlqyer nga shqiptarët e Kosovës, dikur vend përzierje në mes Dardanëve dhe Trakëve… Sot, me ndërmjetësimin e shtatoreve të tyre kalorësiake, këta dy personazhe i bëjnë ballë njëri tjetrit. Kush janë ata?

Thoma-Thomai Dhamo, artist nga Tirana, me nismën e pakicës shqiptare bëri një shtatore të Skënderbeut. I hipur mbi kalin e tij, në stilin e “kalit duke ecur”, heroi shqiptar shfaqet me elegancën mbretërore të një klasicizmi të kulluar, stil i frymëzuar nga vepra pararendëse në Itali dhe Francë. E izoluar, kjo skulpturë cilësore është e privuar nga kuadri minimal që do ta vinte në pah.

Një figurë tjetër, e porositur nga qeveria dhe e përfunduar në vitin 2013, ngrit Aleksandërin e Madh në piedestal. -“Çfarë lidhje ekziston në mes këtyre “heronjve?” do të pyeste lexuesi. E tëra shpjegohet kur e konstatojmë se emri Skënderbeu, që përkthehet me Aleksandër bej, është një homazh Aleksandërit të Madh! T’i thurësh lavdi njërit nënkupton ta popullarizosh tjetrin. Kjo situatë paradoksale e dy Aleksandrave “të dallueshëm, por të pandashëm”, të dy ”binjakëve virtualë” të paraqitur në rivalitet në kundërshtim me historinë, bëhet edhe më absurde kur mësojmë se nëna e heroit antik ishte ilire! Kjo fabulë e çuditshme, a nuk është e denjë të jetë një libret e operës? Edhe aty, realiteti tejkalon trillimin.

Përkujtimi i Aleksandërit të Madh në Shkup është një operë: urbane, arkitekturale, e gdhendur. Duke rrugëtuar  nëpër kohë, vizitori rrugëton brenda një historie të rishkruar dhe imponuar nga një Qeveri e cila përvetëson një origjinë dhe bën ashtu Greqinë, e cila në Pela dhe Selanik ka shtatoret e saj  kalorëse të Aleksandrit të Madh, të iritohet…

Ky realizim përfshinë urbanizmin e riorganizuar të qendrës së qytetit, gjë që a priori është një ide e shkëlqyer. Vardari dhe ura e tij e ripërtërirë, dikur e ndërtuar nga osmanët (dhe jo nga serbët) e përshkruajnë Shkupin në listën e qyteteve në rrugëtimin e tij. Katër luanë, 5 metra të lartë, fisnikërojnë këtë arkitekturë të leverdishme të qytetit. E lartë prej dymbëdhjetë metrave, dhe njëzet e dy metrave me piedestalin e saj, shtatorja me kalë, përsosmërisht e stilit barokë në të gjitha kuptimet e fjalës, është shenjë madhështore.

Harqe triumfi, shtatore të ulura, në këmbë, me kalë, ujëvara etj., e plotësojnë pikturën. Ndjekin njëri-tjetrin edhe dhjetëra personazhe, si në ndonjë muze në ambient të hapur: Nikola Karev, Goce Delqev, Dame Gruev, Car Samueli i parë (!), presidenti i parë Metodija Andonov Cento.. Kirili dhe Metodi etj. Çmimi i paraparë për këtë libër vizatimor në relief, sipas marrëveshjes me shkritoren Artistica Marineli të Florencës, arrinte një shumë prej 4,5 milionë euro, qysh në vitin 2008…

Padyshim, ky bolivud i skulpturës, gjigantizim, gjestikulativ, grandilokuent, bën të shtrembërohet fytyra e njohësve të këtyre çështjeve si dhe të profanëve qoftë edhe për arsye të kundërta. Edhe pse është i tillë, bronzi nuk duhet të tingëllojë bosh.

PARADOKSET ULTIME- DREJT NJË FATI TË RI TË KOSOVËS?

Kujtesë kolektive e njerëzimit, trashëgimia mbetet pasi të jenë zhdukur të gjallët, të cilët e kanë krijuar atë. Kjo lidhje themelon të ardhmen tonë.

Larmia e burimeve të kësaj trashëgimie i japin Kosovës një joshje të misterit. Veçanërisht komplekse, studimet kërkojnë aftësinë për t’i përkthyer një numër të madh të gjuhëve: shqipen, arabishten, greqishten e vjetër dhe të re, italishten, latinishten, serbishten, turqishten… Ajo që duket ndërlikim për disa quhet pasuri nga të tjerët. Kosova është një vend i pa zëvendësueshëm i kujtesës universale.

Përveç trashëgimisë specifike të formave dhe të ngjyrave, të bukurisë dhe ndjenjave të këtij vendi të vogël, ajo shfaqet si një vendtakim dhe një laborator i marrëdhënieve Perëndim-Lindje e Mesme. Duke pasur parasysh këtë të vërtetë, të ruhet edhe guri më i vogël është çështje jetike. Siç shprehej Victor Hugo:

                       “ Monumentet e një të kaluare të pikëlluar nuk na përkasin,

                               ato janë pasuri e së ardhmes”

Një kohë të gjatë e vendosur nën thonjëza, Kosova kthehet në gjirin e përbashkët. Një kthim i gjërave kur dihet përgjegjësia  historike e fuqive perëndimore në traktatet fatkeqe për  shqiptarët.

Më shumë se për të vënë në vend një padrejtësi, pranimi i Republikës së Kosovës në UNESCO, është sikur të mirëpresësh me dashuri dhe urtësi “ fëmijën e artë” të kthyer në djepin e tij! Është të mirëpresësh një trashëgimi evropiane, duke llogaritur se gjysma e popullatës, të vendit sado të vogël, jeton jashtë kufijve të vet.

Tallje e fundit dhe e dyfishtë e historisë. Shqiptarët, të çrrënjosur, të larguar, të dëbuar, të mërguar, të mohuar, por të pathyeshëm, të ngulmuar nga shija, nomadë nga nevoja, duke menduar se i dhanë fund rrugëve të mërgimit, duhet t’u bien pendët. Të detyruar të marrin sërish shkopin e pelegrinit në kohën kur Evropa do t’i integrojë, a do të bëhen ata, përkrah figurës së çifutit endacakë, shqiptarë endacakë? Në këtë fat të ri kolektiv, a do të duhet të ecin në hapat e pjesës tjetër të  mbarë njerëzimit të ribërë… nomad? Paradoksi i fundit dhe i dyfishë?

 Gilbert Gardes

Përgatiten dhe përshtatën:

  1. Arban Bislimi: Asistent hulumtues i Z. Gilbert Gardes- Redakto dhe përshtati
  2. Izet Sylaj: Përkthyes gjyqësor i gjuhës frënge
  3. Ardian Ramadani: Përkthyes

P.S.

Ky punim i shkruar në përkrahje të Republikës së Kosovës për t’u pranuar në UNESCO është lexuar dhe vlerësuar edhe nga profesori i nderuar universitar, Shefki Sejdiu, i cili shkruan se “teksti i shkruar në gjuhën frenge nga Zhilbert Gard është shqipruar në një nivel të dëshirueshëm. Tema e trajtuar nga një studiues francez, e përzgjedhur me kujdes rreth çështjes shqiptaro-arbroro-ilire, e përqëndruar tek Shkupi dhe në rivalitetet që sot po ndodhin është sqaruar përmes analizës që i ka bër ngritjes së monumenteve të Aleksandrit të Madh (Lekës), atij të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Nënë Terezëz (Shën Terezëz), etj. Shkrimi i këtij autori për UNESCO-në na bënë nder dhe meriton respekt”.

 

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës ka emërtuar pullën postare me portretet e heronjve ë kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies

Mehmet Bislimi: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

 (në 35 vjetorin e rënies së tyre heroike) Sa herë që vjen nëntori, malli më …