Kosova po rrezikon të mbetet pas në përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, për shkak të mungesës së një Kuvendi të konstituuar. Paketa prej 6 miliardë eurosh e BE-së, e miratuar në fund të vitit 2023, synon të mbështesë reformat dhe zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën. Deri më tani, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe së fundmi edhe Serbia kanë pranuar mjetet e para nga kjo paketë. Ndërkohë, Kosova ka mbetur peng i bllokadës politike pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, pasi deputetët nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin, çka po pengon ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkojnë miratimin me dy të tretat e votave. Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane thekson se vonesat po e lënë Kosovën një hap prapa në garën për integrim dhe zhvillim. “Pse është kjo e rëndësishme sot? Sepse, nëse Kosova e ka ‘head start-in’ më të vonshëm se vendet tjera, kjo i bie që ti do të jesh një hap prapa”, tha ai. Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, përfshirë 250 milionë si ndihmë të pakthyeshme dhe pjesën tjetër në kredi të volitshme. Rreth 61 milionë euro janë paraparë si para-financim, të cilat Kosova nuk mund t’i marrë pa ratifikimin parlamentar.
