Në një konferencë për media së bashku me Sorensenin dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, kryeministri Kurti tha se kjo masë e lehtësirave të përkohshme për qytetarët serbë që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe atij për automjetet, të cilët pritet të hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela. Kjo synon të shmangë ndërprerjen e shërbimeve bazike për qytetarët serbë derisa të përfundojë integrimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor serb në sistemin e Kosovës. Sipas tij, krerët lokalë do t’i dorëzojnë Qeverisë lista me emrat e stafit akademik dhe shëndetësor që aktualisht ofrojnë shërbime, në mënyrë që ata të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi nga Ministria e Punëve të Brendshme. E njëjta procedurë do të vlejë edhe për studentët serbë që studiojnë në Kosovë, të cilët do të mund të marrin leje qëndrimi 12-mujore me mundësi vazhdimi nëse vazhdojnë studimet. Kurti theksoi se paralelisht Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, do të nisë procedurat për integrimin e plotë të institucioneve arsimore dhe shëndetësore serbe në sistemin e Kosovës, përfshirë procesin e licencimit të institucioneve dhe stafit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
