Kosova vazhdon të mbetet jashtë sistemit evropian të pagesave SEPA, për shkak të tri ligjeve kyçe që janë ende në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ligji për Banka, Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe ndryshimet në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave, ndonëse të miratuara në Kuvend, janë dërguar për vlerësim nga Partia Demokratike e Kosovës dhe aktualisht janë në shqyrtim. Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se lënda është në procedurë, por pa dhënë ndonjë afat të vendimit. Pa hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve, Kosova nuk mund të dorëzojë aplikimin final për SEPA – proces që vendet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi e kanë përmbyllur tashmë. Banka Qendrore e Kosovës ka sqaruar se Kosova ka kryer para-aplikimin në KE dhe Këshillin Evropian të Pagesave, ndërsa Komisioni Evropian ka dhënë komente teknike duke theksuar se aplikimi final pranohet vetëm pas hyrjes në fuqi të ligjeve. Sipas BQK-së, vonesat kanë shtyrë procesin përtej vitit 2025. Përfitimet nga anëtarësimi janë të mëdha: qytetarët dhe bizneset do të kursenin rreth 55 milionë euro në vit nga tarifat e larta aktuale të transferimeve në euro. Nëse ligjet miratohen së shpejti, Kosova mund të aplikojë gjatë vitit 2026, por gjithçka varet nga vendimi i Kushtetueses.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
