Kosova rrezikon krizë financiare nëse nuk miratohet buxheti deri në fund të dhjetorit

Kosova tash e disa muaj vazhdon të ballafaqohet me mungesën e institucioneve funksionale, ndërsa rreziku më i madh tashmë lidhet me mosmiratimin e buxhetit për vitin 2026. Nëse deri në fund të dhjetorit Kuvendi i Kosovës nuk arrin ta miratojë buxhetin, vendi do të funksionojë vetëm me një buxhet të përkohshëm për muajin janar, përderisa nga 1 marsi pritet të përballet me një krizë financiare të jashtëzakonshme. Situata është e ngjashme edhe në nivelin lokal. Disa komuna nuk kanë arritur ende të miratojnë buxhetet e tyre për vitin e ardhshëm, në mesin e tyre Prishtina, Gjilani, Zveçani dhe Rahoveci. Ky vonim po lidhet edhe me procesin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor, duke e lënë të paqartë fatin e financave komunale. Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se bordi i asociacionit ka kërkuar nga Ministria e Financave që t’iu lejohet komunave miratimi i buxheteve pas afatit ligjor. “Do të ishte shumë më mirë që kryetarët e rinj dhe anëtarët e kuvendeve komunale të miratojnë buxhetet dhe të punojnë me to vitin e ardhshëm,” tha ai, duke theksuar se ende nuk kanë marrë përgjigje nga ministria. Ibrahimi paralajmëroi se mosmiratimi i buxheteve sjell pasoja ligjore dhe financiare, ndërsa përmendi se ministri i Financave ka të drejtë të hartojë buxhete të përkohshme për komunat, duke u bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar. Megjithatë, sipas tij, sfida më e madhe mbetet buxheti i përgjithshëm i Republikës së Kosovës. “Një krizë financiare e këtij niveli nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovën e pasluftës,” theksoi Ibrahimi.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova pa zë në botë: Qeveria e Kurtit e fut vendin në ngërç historik

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka ngritur alarmin se zvarritja e ngërçit politik po …