Kosova, Shqipëria dhe Kroacia drejt blerjeve të përbashkëta të armatimit nga ShBA-ja

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po hyjnë në një fazë të re të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, duke kaluar nga deklaratat e përbashkëta në hapa konkretë për blerjen e armatimit. Tri shtetet kanë nisur procesin e koordinimit për furnizim të përbashkët me kapacitete mbrojtëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës është konfirmuar se takimi i parë trelateral tashmë është mbajtur dhe janë duke u hartuar aktivitetet e përbashkëta, ku përfshihen edhe blerjet bazuar në kërkesat e secilës forcë ushtarake. Pas finalizimit, marrëveshja do të nënshkruhet nga të tri shtetet. Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, e vlerëson këtë marrëveshje si tejet të favorshme, duke theksuar se blerja e përbashkët ul koston, e lehtëson furnizimin dhe rrit interesimin e prodhuesve për ofrim të shpejtë dhe cilësor të armatimit. Ndërsa ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, theksoi se partneriteti me ShBA-në është jetik për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës dhe për mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit. Ky zhvillim vjen në kohën kur Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar kontingjentin e dytë prej 50 autoblindave të reja nga ushtria amerikane, duke forcuar më tej kapacitetet mbrojtëse të saj.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata speciale në Hagë ndalon 11 persona nga vizitat tek Hashim Thaçi, katër emra mbeten konfidencialë

Gjykata speciale në Hagë ka ndaluar vizitat e 11 personave tek ish-presidenti Hashim Thaçi. Vendimi …