Edhe pesë komuna të tjera kanë përmbyllur mbrëmjen e së premtes procesin e verifikimit të rezultateve të subjekteve politike dhe numërimin e votave për kandidatët për deputetë, të bazuar në formularët e plotësuar në vendvotime. Bëhet fjalë për komunat Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj, të cilat i kanë përfunduar këto aktivitete deri në orën 21:00 të së premtes. Lajmi është konfirmuar për Gazetën Express nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë, procesi i verifikimit dhe numërimit do të vazhdojë gjatë pjesës së parë të ditës së shtunë. Sipas Elezit, deri më 2 janar 2026, në orën 21:00, në platformën e rezultateve janë procesuar 5,504 nga gjithsej 5,557 vendvotime, apo rreth 98 për qind e tyre. Ndërkohë, Elezi bëri të ditur se në QNR po vazhdon edhe numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme. Deri më tani janë numëruar 21 nga 40 vendvotimet e përfaqësive diplomatike. Ai shtoi se nga 19,187 shtetas të regjistruar për votim jashtë vendit, kanë votuar 16,165 persona, apo 84.24 për qind, ndërsa fletëvotimet e tyre janë ende në proces numërimi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
