Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 9 shkurt 2025, ishte 8.7 milionë euro, prej të cilave 3.2 milionë euro ishin përgatitje për procesin gjatë vitit 2024 dhe rreth 5.5 milionë euro për fazën kryesore të zgjedhjeve në fillim të vitit 2025. Sipas raporteve të deritashme, shuma e shpenzuar ishte rreth 7.9 milionë euro, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Elezi ka sqaruar gjithashtu se buxheti i planifikuar për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale, arrin mbi 10.5 milionë euro. Në këtë shifër përfshihet edhe organizimi i raundit të dytë për kryetarët e komunave. Pas përfundimit të të gjitha procedurave, KQZ do të publikojë raportin përfundimtar të shpenzimeve. Sipas KQZ-së, ligji i ri për zgjedhjet ka zgjeruar përgjegjësitë e këtij institucioni, duke rritur nevojën për infrastrukturë dhe pajisje për qendrat komunale të numërimit (QKN), sigurimin e kamerave, monitorëve, kompjuterëve dhe pajisjeve tjera teknike, si dhe për pagat e trupave zgjedhore dhe stafit që angazhohet gjatë procesit. KQZ thekson se aktualisht nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për zgjedhje të parakohshme, por në rast se shpallen, Komisioni do të përgatisë kërkesën për financim dhe do ta dërgojë për miratim në Qeverinë e Kosovës, ashtu si ka vepruar edhe në raste të ngjashme më parë. Institucioni konfirmon se mbetet i përkushtuar për të përmbushur mandatin kushtetues dhe po fokusohet aktualisht në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe përgatitjet për raundin e dytë që do të mbahet më 9 nëntor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
