Krerët e komunës së Skenderajt me homazhe kujtuan sulmin e dytë ndaj familjes Jashari, një nga momentet më domethënëse të historisë së rezistencës shqiptare kundër pushtuesit serb.
Në këtë përvjetor domethënës, Kryetari i Komunës së Skënderajt, z. Sami Lushtaku, së bashku me Nënkryetarin z. Fadil Nura, përfaqësues të OVL-së, deputetë, drejtorë të drejtorive komunale dhe zyrtarë komunalë, bënë homazhe dhe nderuan sakrificën sublime të familjes Jashari.
Sulmi i dytë ndaj familjes Jashari dëshmoi edhe njëherë vendosmërinë e pathyeshme për të mos u nënshtruar, duke e shndërruar kullën e Jasharajve në simbol të qëndresës, guximit dhe sakrificës për liri. Ky sulm ishte paralajmërim i qartë i rrugës së pakthyeshme drejt luftës çlirimtare dhe dëshmi se fryma e rezistencës kishte marrë hov në zemrën e popullit shqiptar.
Kujtimi i kësaj qëndrese na obligon që vlerat e sakrificës, lirisë dhe dashurisë për atdheun t’i ruajmë dhe t’i përcjellim brez pas brezi.
Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.