Krimet e luftës në Kosovë ende gjykohen mbi bazën e ligjit të ish-Jugosllavisë

Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë vazhdojnë të gjykohen mbi bazën e ligjit penal të ish-Jugosllavisë, përkatësisht atij që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave. Kjo po vazhdon të krijojë dilema dhe interpretime të ndryshme në sistemin e drejtësisë. Ish-prokurorja speciale për krime lufte, Drita Hajdari, ka shpjeguar për RTK, se menjëherë pas përfundimit të luftës, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kishte nxjerrë rregulloren 1999/24, me të cilën hiqej dënimi me vdekje – në përputhje me standardet evropiane për të drejtat e njeriut. “Përfundimi i luftës na ka gjetur me këtë ligj. UNMIK-u, misioni ndërkombëtar, menjëherë e ka nxjerrë një rregullore, e që ishte rregullorja 1999/24, me të cilën e hoqi dënimin me vdekje,” ka thënë Hajdari. Megjithëse ligjet e reja të Kosovës, përfshirë Kodin Penal të rishikuar, parashohin dënime më të rënda – përfshirë burgimin e përjetshëm – ato nuk mund të zbatohen për krimet e kryera gjatë viteve 1998-1999, për shkak të parimit të ligjit më të favorshëm për të pandehurit. “Dënimi i përjetshëm nuk ka ekzistuar në kohën kur janë kryer këto krime, prandaj nuk mund të shqiptohet. Asnjë dënim tjetër më i rëndë se ai prej 20 vjetësh burgimi nuk mund të zbatohet për ato raste,” theksoi ajo. Hajdari gjithashtu ka kërkuar një qëndrim të unifikuar gjyqësor, duke theksuar se mungesa e konsistencës ligjore po sjell interpretime të ndryshme nga gjykatat.

Kontrolloni gjithashtu

Zahrije Podrimqaku, mes lotësh para mediave rrëfen torturat nga gardiania Nadica Cvetkoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarës Nadica Cvetkoviq, e …