Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar ndaj zërave publikë dhe shqetësimeve të ngritura lidhur me përfitimin e subvencioneve nga disa zyrtarë komunalë, duke sqaruar se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka konstatuar ndonjë konflikt interesi në këtë rast. Përmes një njoftimi publik, Ramosaj ka bërë të ditur se pas hetimeve të detajuara dhe shqyrtimit të dokumentacionit përkatës, APK ka përfunduar se nuk ka pasur përfshirje në vendimmarrje apo ushtrim ndikimi nga zyrtarët, që do të përbënte shkelje të ligjit. “Procesi i subvencionimit është zhvilluar me transparencë dhe në përputhje me rregullat dhe kriteret ligjore”, theksoi ai. Ramosaj shtoi se institucionet komunale që ai drejton do të vazhdojnë të veprojnë me integritet, transparencë dhe përgjegjësi, ndërsa u bëri thirrje opinionit publik dhe mediave që të bazojnë komentet në dokumente zyrtare, jo në “dezinformata apo insinuata të pabazuara”.
