Kryetari i komunës së Klinës z.Sokol Bashota, përkujton komandant Mujë Krasniqin dhe bashkëluftëtarët të tjerë në 18 vjetorin e rënies heroike, duke shtuar:
Sot, më 14 dhjetor 2016, po bëhen 18-vjet kur Komandanti i UÇK-së, Heroi i Kombit, Mujë Krasniqi, bashkë me shumë bashkëidealistë dhe bashkëluftëtarë të lirisë, ranë për t’i vënë gurthemelet e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, përpjekje dhe synim shumëshekullor i brezave tanë.
Portreti dhe vepra e Tij janë më tepër sesa rrëfim, më shumë se portret për Heroin e Kombit, për brezin e çlirimtarëve, janë tregues se ky popull dhe ky vend, gjithnjë i kishte dalzotësit e fatit të vet.
Portreti dhe vepra e Komandant Kapuçit, janë më tepër se dëshmi e guximit të pashembullt; janë rrëfim për lindjen e epokës së çlirimit, të epokës që e mban emrin dhe vulën e lavdishme të UÇK-së. Kujtimi për Mujën është i pambaruar dhe do të vazhdoj pa kufi.
Lavdi e përjetshme për gjithë heronjtë, dëshmorët dhe të rënët e Kombit!