Zogaj- Gashi: Gruaja në vendimmarrje pasqyrim i identitetit të Republikës së Kosovës

“Pjesëmarrja e grave në proceset vendimmarrëse”, ishte tema për të cilën u diskutua sot në ceremoninë e përmbylljes së projektit “Gratë e margjinalizuara të Kosovës: Qytetare aktive”, një iniciativë e organizuar nga Women for Women International dhe  mbështetur nga Ambasada Amerikane, në Prishtinë (Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci).

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj Gashi, e cila në fjalën e saj, nënvizoi faktin se pjesëmarrja e barabartë e gruas në çdo segment të jetës, e sidomos në nivelin e vendimmarrjes qoftë atë lokal apo qendror është vlerë e shtuar për shoqërinë tonë dhe pasqyrim i identitetit të Republikës së Kosovës.

“Sipas tendencës, më shumë gra në vendimmarrje shpesh përkthehet në më shumë fuqizim ekonomik, kushte më të mira punësimi, të drejta mbi pronën, infrastrukturë publike miqësore për gratë, dhe një cilësi më e mirë jetese për 50% të popullsisë. Sa më shumë të bëhen prezentë gratë në rolet e ashtuquajtura jo-tradicionale, aq më shumë krijojnë impakt, aq më shumë kreativitet, vlerë, prakticitet dhe energji në familje dhe në shoqëri. Pjesëmarrja aktive e grave në jetën publike e private të një vendi është sa një e drejtë aq edhe një domosdoshmëri”, është shprehur zëvendësministrja  Zogaj – Gashi, e cila ka vazhduar më tej duke potencuar të arriturat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila ka iniciuar një mision të veçantë, në mënyrë që të zbatoj Strategjinë Kombëtare për Zhvillim  2016-2021, strategji kjo që synon një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

“Ne vlerësojmë se një synim i tillë mund të realizohet vetëm duke siguruar pjesëmarrjen dhe kontributin e gjithë qytetarëve, në këtë të grave dhe vajzave, të cilat konsiderohet se janë faktorë tepër i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, i zhvillimit arsimor, i zhvillimit shëndetësor, kulturor dhe përgjithësisht i zhvillimit social të Kosovës. Kemi një rritje të ndjeshme në përfaqësimin e gruas në borde të korporatave agjensione të pavarura dhe nivel lokal si dhe fushën e diplomacisë. Kabineti qeveritar po punon në mënyrë të vazhdueshme në mbështetjen dhe fuqizimin e grave në ndërmarrësi, që ambienti i të bërit biznes për gratë ndërmarrëse në Kosovë të jetë sa më i favorshëm, sepse gratë ndërmarrëse konsiderohen si partnere shumë të rëndësishme në zhvillimin e sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ky angazhim u reflektua në raportin e fundit të Bankës Botërore  e cila reflektohet në statistika të grave pronare të bizneseve te cilat janë regjistruar në vitin 2015’, është shprehur zëvendësministrja  Zogaj Gashi.

Ajo gjithashtu ka evidentuar të arritura dhe projekte të tjera të Qeverisë së vendit dhe ministrive përkatëse, duke përfshirë këtu edhe promovimin e një politike  specifike për të nxitur e industrinë online outsoursing  (OO), duke filluar me implementimin e projektit  WOW (gratë në punë në internet/online). Një projekt i cili ka  trajnuar  gratë dhe deri më tani janë  100 gra të çertikuara në këtë lëmi.

Përveç zëvendësministres  Zogaj – Gashi, në këtë organizim folën edhe  Iliriana Gashi nga Women for Women International , Michelle J. Schohn nga Ambasada Amerikane,  Blerta Deliu nga Gratë Deputete në Parlament dhe  Kimet Zeqa nga Grupi Jo-Formal i Grave në Kuvendin komunal të Prishtinës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …