Kryetari Haliti gjatë vizitës së tij në Saint-Julien-en-Genevois të Francës po merr pjesë në aktivitete të shumta

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i shoqëruar nga Naim Pira, drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, si dhe Milihate Ajete, drejtoreshë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim gjatë vizitësë së tij zyrtare në qytetin Saint-Julien-en-Genevois të Francës,ka marrë pjesë dje dhe sot në aktivitete të shumta kulturore dhe sportive, ndërkohë që ka realizuar edhe vizita në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin lokal, si bujqësia, blegtoria dhe agrobiznesi.
Ai është njohur nga afër me modelet dhe praktikat e suksesshme që aplikohen në këtë qytet francez, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe identifikimit të mundësive për bashkëpunim.
Po ashtu është takuar edhe me afaristë të suksesshëm shqiptarë nga Kosova të cilët veprojnë dhe punojnë në Francë. Kryetari Haliti i përgëzoi ata për kontributin dhe angazhimin e tyre në promovimin e komunitetit shqiptar dhe në ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen.
Ai foli edhe për bashkëpunimin mes dy komunave dhe vullnetin e tyre për binjakëzim.
“Kemi dakordim të plotë për binjakëzim dhe bashkëpunim në mes të vendeve tona përfshirë edhe aktivitetet me mërgatën tonë të shumtë nga Vitia, në veçanti me këtë qytet, si dhe me bizneset e tyre të suksesshme.”, u shpreh kryetari Haliti.
Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara, gjatë mbrëmjes së sotme do të zhvillohet edhe një ndeshje sportive në boks, ku kryetari Haliti, do të jetë i pranishëm dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Përndryshe vizita në Saint-Julien-en-Genevois vjen si vazhdimësi e angazhimeve të Komunës së Vitisë për të forcuar lidhjet ndërkombëtare, për të shkëmbyer përvoja të mira në fusha të ndryshme dhe për të thelluar bashkëpunimin me mërgatën shqiptare në Francë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati nderon me mirënjohje Dr.Ferid Aganin

Kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, ka pritur sot në takim, z. Ferid …