Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka mbajtur sot debatin e dytë publik me qytetarë. Me këtë rast, ai i ka njoftuar ata për punën e tij njëvjeçare por edhe të drejtorive komunale si dhe për planet e qeverisjes lokale në Viti, për vitin në vijim.
Në këtë takim kryetari Haliti ka folur edhe punën që ka bërë ekzekutivit komunal në interes të qytetarëve vitias. “Sot, para jush, do të ndaj një pasqyrë të përgjithshme të punës njëvjeçare të Komunës së Vitisë për vitin 2025 – një periudhë që ka qenë intensive dhe sfiduese, por njëkohësisht edhe e frytshme, falë angazhimit të stafit komunal dhe bashkëpunimit tuaj të vazhdueshëm. Gjatë këtij vit, jemi përballur me sfida reale, përfshirë kufizime buxhetore, procedura administrative komplekse ndryshme të jashtme. Megjithatë, përkundër këtyre vështirësive, Komuna e Vitisë ka arritur të realizojë dhe avancojë një sërë projektesh dhe iniciativash konkrete, të cilat kanë pasur për qëllim të vetëm përmirësimin e drejtpërdrejtë të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, në çdo pjesë të komunë”, u shpreh kryetari Haliti.
Ndërkaq, pjesa e dytë e këtij takimi ishte e hapur për qytetarët për të parashtruar pyetje, për çështje të ndryshme. Në këtë takim kryetari Haliti ju ka shprehur mirëseardhje bashkatdhetarëve që po gjendën për pushime në Kosovë si dhe i uroj të gjithë qytetarët për festat e fund vitit. Përndryshe ky takim është organizuar nga Zyra e Kryetarit, Zyra për Informim Publik dhe është udhëhequr nga zëdhënësi komunal, Nikollë Ukaj.