Reuters: Fitorja e Kurtit mund të rikthejë krizën politike në Kosovë

Mediumi ndërkombëtar Reuters i ka kushtuar vëmendje zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor në Kosovë, duke paralajmëruar se një fitore e re e Lëvizjes Vetëvendosje mund të çojë në përsëritjen e krizës politike njëvjeçare. Sipas Reuters, zgjedhjet po mbahen pas shpërbërjes së parlamentit, e cila la vendin pa institucione funksionale dhe krijoi një boshllëk rreth 1 miliard euro në financat publike. Edhe pse Vetëvendosje doli fituese në zgjedhjet e fundit, ajo nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare apo të formojë koalicion qeverisës. Analisti politik Artan Muhaxhiri vlerëson për Reuters se, nëse Kurti fiton sërish rreth 42% të votave, bllokada politike do të vazhdojë, pasi hendeku me partitë e tjera mbetet i pakapërcyeshëm. Sipas tij, këto zgjedhje janë ndër më të rëndësishmet në vitet e fundit, pasi zhvillohen katër muaj para zgjedhjes së presidentit të ri dhe në një moment kyç për ratifikimin e kredive ndërkombëtare. Reuters thekson gjithashtu se partitë opozitare nuk shfaqin gatishmëri për bashkëqeverisje me Kurtin, duke e akuzuar atë për rritje tensionesh me serbët e veriut, mungesë përmirësimi të standardit të jetesës dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Endrit Thaçi në mbështetje të Bedri Hamzës: Kosovës i duhet ndryshimi, votoni 125

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij …