Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka mbajtur sot një takim me drejtorët e shkollave të komunës dhe me përfaqësuesit e Drejtorisë Komunale të Arsimit. Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi dhe koordinimi rreth përgatitjeve për një fillim sa më të mbarë të procesit mësimor.
Në fjalën e tij, kryetari Haliti i përgëzoi drejtorët e shkollave dhe stafin e Drejtorisë së Arsimit për angazhimin e vazhdueshëm në ngritjen e cilësisë së arsimit në komunën e Vitisë. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për të siguruar kushte sa më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Gjatë takimit u bë e ditur se më 1 shtator do të fillojë mësimi në objektin e renovuar të Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti, i cili tashmë ofron kushte më moderne për zhvillimin e procesit arsimor.
Kryetari Haliti u zotua se përkrahja për arsimin do të mbetet prioritet i komunës, duke theksuar se investimi në të rinjtë është investim në të ardhmen e Vitisë.