Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati thotë se do kërkojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka ftuar Prokurorinë e Shtetit ta vazhdojë punën e ish-prokurorit special

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka ftuar Prokurorinë e Shtetit ta vazhdojë punën e ish-prokurorit special Elez Blakaj, i cili ka qenë duke e hetuar keqpërdorimin e listave të veteranëve të UÇK-së. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Prokuroria duhet ta çojë deri në fund këtë çështje dhe ta zbardhë të vërtetën. “Nëse Blakaj ka dhënë dorëheqje, besoj se shteti i Kosovës ka prokurorë të tjerë që ta vazhdojnë punën aty ku e ka lënë Blakaj. Pra, ky proces nuk duhet të ndalet këtu e të bëhen shumë thashetheme me lista të veteranëve. Puna duhet të vazhdojë dhe kjo çështje të mbyllet njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Gucati. Ai ka komentuar edhe deklaratën e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, të ketë thënë se rreth 19 mijë veteranë kanë fituar statusin kundërligjshëm. “Edhe unë e lexova deklaratën e kryeprokurorit Lumezi. Tani nuk e di çfarë pret Lumezi dhe Prokuroria e Shtetit që nuk ndërmarrin diçka. Unë i bëj thirrje kryeprokurorit Lumezi t’i marrë të gjitha masat dhe të vazhdojë punën që i takon, nëse kanë prova që rreth 19 mijë veteranë fituan statusin kundërligjshëm”, është shprehur Gucati.

 

Kryetari i OVL-UÇK-së ka treguar edhe për komunikimin që ka pasur me ish-prokurorin special Elez Blakaj para disa muajve. Sipas Gucatit, ish-prokurori që ka hetuar këtë çështje e ka pyetur nëse është në dijeni që janë fryrë listat e veteranëve të UÇK-së. “Unë jam kontaktuar një herë nga Elez Blakaj para dy-tre muajve. Ai më ka pyetur mua në cilësinë e kryetarit të OVLUÇK-së, se çka mendoj për fyerjen listës së veteranëve. Pra, krejt ajo që më ka pyetur është se a jam në dijeni se janë fryrë listat”, ka thënë ai, duke treguar përgjigjen që ia ka dhënë ish- prokurorit. “Unë qëndrimin tim rreth kësaj çështje e kam bërë publik edhe më herët përmes medieve, ku kam thënë se listat e veteranëve janë të fryra dhe kërkojmë drejtësi”, ka thënë Gucati. Sipas tij, Blakaj i ka treguar se për këtë çështje janë duke u bërë hetime dhe nuk ka thënë diçka nëse ndihet i kërcënuar nga dikush apo jo. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar të enjten se janë rreth 19 mijë persona që jashtëligjshëm kanë fituar statusin e veteranit të luftës së UÇK-së dhe marrin përfitime nga shteti.

Kontrolloni gjithashtu

Këshilli Gjyqësor i Kosovës angazhon 30 gjyqtarë në nivel vendi për ditën e zgjedhjeve të cilët do të jenë kujdestar

Seanca fillestare ndaj Muharrem Ibrajt për krime lufte në Gjakovë zhvillohet në mungesë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca fillestare ndaj Muharrem Ibrajt, i akuzuar për …